
Mes qindra viktimave, si ia doli 40-vjeçari të shpëtojë nga rënia e avionit!
Dritare.net
Në mesin e rrënojave të tragjedisë ajrore të Air India, ku humbën jetën mbi 220 persona, vetëm njëri mbijetoi. Vishwashkumar Ramesh, 40 vjeç, nga Leicester, ishte ulur në vendin 11A kur avioni Boeing 787-8 Dreamliner u rrëzua në Ahmedabad, Indi. Ai tregon se përmes këmbëve hapi trupin e avionit të çarë dhe u zvarrit jashtë për të shpëtuar.
Air India konfirmoi se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi të tjerë humbën jetën – përfshirë 169 shtetas indianë dhe 52 britanikë.
Duke folur nga shtrati i spitalit, z. Ramesh tha se dritat brenda avionit “filluan të ndizeshin e të fikeshin” menjëherë pas ngritjes.
Brenda 5 deri në 10 sekonda, ndjeu sikur avioni “ishte bllokuar në ajër”, tha ai.
“Dritat filluan të ndizeshin me ngjyrë jeshile dhe të bardhë... dhe papritur u përplas në një ndërtesë dhe shpërtheu.”
Boeing 787-8 Dreamliner u përplas me një ndërtesë që përdorej si akomodim për mjekët në Kolegjin Mjekësor dhe Spitalin Civil Byramjee Jeejeebhoy.
Por z. Ramesh, nga Leicester, tha se pjesa ku ai ishte ulur ra pranë tokës dhe nuk pati kontakt me ndërtesën.
“Kur dera u thye dhe pashë që kishte pak hapësirë, u përpoqa të dilja prej andej dhe ia dola,” tregoi ai.
“Askush nuk mund të dilte nga ana tjetër, që ishte nga muri, sepse u përplas atje.”
Pamje të ndara në rrjetet sociale tregojnë z. Ramesh duke ecur drejt një ambulance me tym që dilte në sfond.
Ai tha për transmetuesin indian se nuk mund ta besonte që doli i gjallë nga rrënojat.
“Pashë njerëz duke vdekur përpara syve të mi – stjuardesat, dhe dy persona pranë meje,” tregoi ai.
“Për një moment, mendova se edhe unë do të vdisja, por kur hapa sytë dhe pashë përreth, kuptova që isha gjallë.”
Vëllai i z. Ramesh, Ajay, ishte gjithashtu në bordin e avionit.
Vëllai tjetër, Nayan Kumar Ramesh, i tha BBC-së të enjten, jashtë shtëpisë së tyre në Leicester:
“Kur ai [Vishwashkumar] na telefonoi, ishte më i shqetësuar për [Ajay-n]… vetëm për të mendon tani.”
Z. Ramesh, një biznesmen që ka lindur në Indi por jeton në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2003, ka një grua dhe një djalë katërvjeçar./L.F-dritare.net

















