
Si u bë kapitullimi i Serbisë pa asnjë firmë shqiptare! Flet dëshmitari!
Dritare.net
Ish-koloneli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dilaver Goxhaj, rrëfen në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV detajet dhe atmosferën e asaj dite historike.
Goxhaj tregon çfarë ndodhi një dita para se të firmosej kapitullimi i Serbisë dhe përse nuk mori pjesë asnjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nga Shqipëria, Kosova dhe UÇK-ja në firmosjen e kapitullimit të Serbisë.
“Më 10 qershor 1999 unë isha në shtabin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Katund i Ri në Drenicën e Poshtme. Në datën 9 qershor u nënshkrua marrëveshja midis Serbisë dhe NATO-s, ku Shqipëria nuk ishte, Kosova nuk ishte, UÇK-ja duhet të ishte prezente. Nuk ishte prezentë sepse amerikanët kërkonin që atje të ishte shefi i shtabit ose më saktë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës de facto që kishte drejtuar luftën dy vjet dhe ai ishte Bislim Zyrapi.
Thaçi donte të ishte në atë mbledhje, por nuk pranonin amerikanët. Thaçi ishte drejtori i drejtorisë politike të Ushtrisë Shqiptare të Kosovës për arsye sepse Ushtria Shqiptare e Kosovës është një ushtri dhe organizatë politike dhe ushtarake. Amerikanët thoshin që nuk duhet të jenë në mbledhje ata që kanë drejtuar politikisht, por ata që kanë drejtuar luftën, që kanë bashkëvepruar me NATO-n. U bë nënshkrimi i kapitullimit të Serbisë para NATO-s. Tani thonë se na çliroi NATO-ja, sepse ishte firma. Por nuk mund të çlirohet kurrë një vend me aviacion apo me artileri detare e tokësore, po nuk shkeli këmba e ushtarit. Dhe këmba e ushtarit të UÇK-së kishte shkelur.”, tregon Goxhaj./L.F-dritare.net

















