Kush janë ministrat më të rinj të kabinetit qeveritar!
Dritare.net

Pasditen e sotme, disa ministra të rinj marrin postet e tyre, duke zëvendësuar emra kyç të kabinetit. Ministrat më të rinj të kabinetit janë Ferit Hoxha si Ministër i Punëve të Jashtme, Erjona Ismaili si Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, dhe Enea Karakaçi si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës. Ky ndryshim vjen pas shkarkimit të Belinda Ballukut, e cila aktualisht është nën hetim nga SPAK.

Enea Karakaçi – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës
Enea Karakaçi është një ekspert i njohur në sektorin e energjisë dhe i drejtimit të infrastrukturës në Shqipëri. Para se të emërohej ministër, ai ka shërbyer si administrator i OSHEE Group, ndërmarrja shtetërore që merret me shpërndarjen dhe furnizimin e energjisë elektrike në gjithë vendin.
Karakaçi ka një karrierë të gjatë në sektorin energjetik — duke filluar si jurist në Entin Rregullator të Energjisë, pastaj duke punuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës në role të avancuara. Ai ka diplomë në drejtësi dhe një master të specializuar në Ligjin e Bashkimit Europian nga University of Amsterdam.

Ferit Hoxha – Ministër i Punëve të Jashtme
Ferit Hoxha është një diplomat me përvojë të gjatë në marrëdhënie ndërkombëtare. Ai iu bashkua shërbimit të jashtëm shqiptar në vitin 1991 dhe ka shërbyer në poste kyçe si ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Belgjikë, Luksemburg dhe Francë, si dhe përfaqësues i vendit në Kombet e Bashkuara (OKB). Gjatë karrierës, Hoxha ka kryesuar edhe misione të rëndësishme si koordinues kombëtar për procese rajonale dhe organizata ndërkombëtare, duke e bërë atë figurë kyçe në diplomacinë shqiptare.

Erjona Ismaili – Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
Erjona Ismaili është politikanja e re e Partisë Socialiste e lindur më 26 mars 1990 në Sarandë. Ajo ka studiuar drejtësi dhe është diplomuar edhe në fusha të komunikimit dhe marrëdhënieve publike. Përpara angazhimit në qeveri ka punuar në media, administratë publike dhe ka qenë aktive në projekte të Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në zhvillimin e shërbimeve lokale, performancën e administratës dhe funksionimin e këshillave bashkiakë. Ismaili ka qenë gjithashtu koordinatore rajonale në projekte zhvillimi dhe kandidat për deputete për Qarkun e Vlorës.

Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes
Ermal Nufi është një jurist dhe funksionar i administratës shtetërore, i emëruar së fundmi Ministër i Mbrojtjes, duke zëvendësuar Pirro Vengun në ndryshimet e fundit qeveritare të kryeministrit Edi Rama. Ai ka përfunduar studimet master në drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe është licencuar si avokat që prej vitit 2013. Para këtij emërimi, Nufi ka punuar si konsulent ligjor në sektorin privat dhe në organizata jofitimprurëse, si dhe ka shërbyer në role të ndryshme brenda administratës publike. Ai ka qenë edhe zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, këshilltar ligjor i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka kryesuar poste të rëndësishme në institucione si Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, duke u përfshirë aktivisht në zhvillimin e politikave infrastrukturore dhe ligjore të vendit./dritare.net


