Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kush ishte vëllai i njeriut që urrente Enver Hoxha! Flet Daut Gumeni!

Kush ishte vëllai i njeriut që urrente Enver Hoxha! Flet Daut Gumeni!

Figura e Sadik Premtjes është lënë në harresë. Ai mbahet mend si një ndër tradhtarët e parë të Partisë Komuniste që më vonë u arratis në Paris. Flitet që i bënë disa atentate në Shqipëri dhe në Francë, por nuk ia dolën. Mbeti një kundërshtar i vendosur i komunizmit, por la një vëlla në Shqipëri që njihet me një emër tjetër, Zija Lebenica. Ai pësoi gjithë persekutimet për fisin.
Poeti dhe shkrimtari Daut Gumeni ishte sot i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV për të folur për mikun e tij të ngushtë Zija Lebenicën që ndërroi jetë një muaj më parë. Zija Lebenica ishte rreth 10 vjeç kur i vëllai u arratis në Paris, ai u transferua në jetimore dhe pak vite më pas nisën goditjet e sistemit ndaj tij e vazhduan deri kur ra sistemi. Zoti Gumeni tregon peripecitë që kaloi Zija Lebenica, që u përjashtua nga shkolla e oficerëve, u pështy nga shokët se ishte vëllai i Sadik Premtjes, bëri tre herë burg, si u poshtërua pasi doli nga burgu, transferimi në Amerikë pas 1990-ës dhe ndarjen nga jeta një muaj më parë. Zoti Gumeni sjell në DritareTV përcjelljen për në banesën e fundit të Zija Lebenicës, në fshatin e tij, që ia la amanet fëmijëve para se të ndërronte jetë, që të varrosej në vendlindje.

“Sadik Premtja dhe Zija Lebenica janë vëllezër nga nëna.

Kush ishte Sadik Premtja!
Enver Hoxha e ka pasur mëri Sadik Premtjen sepse ai edhe kur qe në Tiranë ishte motori i demonstratave. Mjafton të shohësh fotografitë e tij. Është tip që nuk rri dot pa trazuar, sepse qetësia e bezdis. I thoshte gjërat siç ishin. Që kur u themelua partia në 1941-shin filluan fërkimet: kush jeni ju, kush jemi ne? Sadiku ka qenë nga luftëtarët e parë antifashistë. Edhe kur vajti në Paris ishte në Internacionalen e Katërt. Sadiku vdiq si i majtë. Për mua Sadik Premtja është një nga vlerat e të majtës shqiptare. Këtë ua thashë në sy edhe komunistëve. Të gjithë ata që mori me vete Enver Hoxha ishin nxënës të Sadikut. Hoxha trembej se një ditë të bukur ata mund të ndryshonin mendim për Sadikun. I bëri pjesë-pjesë këta dhe pastaj u thoshte çfarë të donte për Sadikun. U tha që Sadik Premtja ishte fashisti më i madh pas Duçes. Por në fakt ai ishte luftëtari më i madh i fashizmit. Nuk i thua dot fashist sepse nuk është dakord me ty.

Kalvari i vuajtjeve të Zija Lebenicës!

Zijai i jetoi 30 vitet e fundit në Amerikë. Iku si emigrant. Punoi si djalë i ri edhe në moshë të thyer. Mori dhe familjen me vete pastaj, i shpëtoi ata nga varfëria e sidomos nga ato kusuret që hiqnin mes revolucionarëve. Zonja e tij më tregoi që kishte ditë kur shkonte në punë që fuste lecka në çantën e bukës se s’kishte bukë të hante. Zijai nuk fliste se ai kishte merakun që të bënte gjithçka që të mos i humbte emri vëllait. Në Shqipëri botoi disa dokumente të tij, sepse kishte merak që të mos i thuhej më tradhtar.
Zija nuk kishte harruar t’i shërbente emrit të të vëllait me gjithë ato që hoqi në emër të vëllait. Sa arriti e tha në një nga gjyqet që i bënë atëherë: “Sikur nëna ime kur i vdiq burri i parë, të ishte martuar me Richard Nickson, unë do paguaja për xhandarin imperialist?”

Kur Sadiku iku në Paris, Zijai ka qenë rreth 10 vjeç. Pastaj e çuan në shtëpinë e fëmijës se iu shuan njerëzit e vet. Një vëlla i kishte vdekur kur ishte lufta për Çamërinë, erdhi nga Amerika i bëri edhe atij varrin në Lebenicë. Tjetri iu arratis në Paris.

Zija Lebenica kishte një jetë të zezë. Ka qenë 59 vjet nën goditje vetëm për të vëllanë. Kur doli nga shtëpia e fëmijës, një vlonjat i tha të shkojë për oficer. Komandanti i shkollës së oficerëve ishte një vlonjat që ishte kundër Sadik Premtes. Një ditë kontrolloi regjistrin dhe kuptoi kush ishte Zija Lebenica. Pastaj e thirri në zyrë dhe e përjashtoi nga shkolla se ishte vëllai i Sadik Premtjes. Shtyu të gjithë shokët e tij që ta pështyjnë para se ta përjashtonin. Pasi u përjashtua, pak kohë më pas me 1000 mijë halle mori një patentë. Merr në telefon drejtorin e patentave dhe e bën zërin sikur qe nënkryetari i Komisionit të Planit të Shtetit dhe i thotë: “Kam një nip që do të bëjë patentën!” Kështu e pranuan dhe e bëri patentën.
Pastaj filluan tre burgjet. Pasi doli nga burgjet, për ta poshtëruar i dhanë karrocën me fekale. Por e panë që edhe aty qëndroi edhe pse ishte kockë e lëkurë.
Ai doli në burg në 1987-ën. Një jetë e dhimbshme, por që e kaloi me burrëri. Pas 1990-ës iku në Amerikë, mori fëmijët dhe gruan e dytë dhe i sistemoi aty. Ai ndërroi jetë para një muaji dhe amaneti i tij ishte ta varrosnin në Lebenicë dhe kështu u bë.”, tha zoti Daut Gumeni në DritareTV./K.C/dritare.net