Kujdes nga mashtrimi i ri me mesazhe në WhatsApp!
Dritare.net

Një mesazh që kërkon të votoni për një vajzë në një konkurs vallëzimi po qarkullon prej ditësh në WhatsApp dhe përmes SMS-ve, duke prekur tashmë edhe përdorues në Shqipëri. Mesazhi zakonisht vjen nga një kontakt i njohur dhe përmban një link për të votuar, me pretendimin se bëhet fjalë për vajzën apo mbesën e dikujt.
Në fakt, bëhet fjalë për një skemë mashtrimi të njohur si “mashtrimi i balerinës”, e cila synon vjedhjen e të dhënave personale. Klikimi i linkut mund t’u japë hakerëve akses në llogarinë WhatsApp, kontaktet dhe bisedat, ndërsa më pas mesazhe të ngjashme shpërndahen automatikisht te persona të tjerë, duke e përhapur mashtrimin me shpejtësi.

Ekspertët këshillojnë të mos hapen linke të dyshimta, edhe kur vijnë nga kontakte të njohura, të verifikohet gjithmonë informacioni dhe të aktivizohet verifikimi me dy hapa (two-step verification). Gjithashtu rekomandohet kontrolli i pajisjeve ku është hapur llogaria, për të shmangur aksesin e paautorizuar./K.C/dritare.net