Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kosovë/ Tentativa e 35-të, deputetët sërish s’arrijnë të konstituojnë Kuvendin!

Kosovë/ Tentativa e 35-të, deputetët sërish

Për të 35-tën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo është hera e 27-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.

Deputetët do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht më 23 qershor, për të vazhduar seancën konstituive, që ka nisur më 15 prill.

Fituesja e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtë ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Subjekti, që udhëhiqet nga Albin Kurti, insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr Kuvendin. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, dhe ato kërkojnë që partia e Kurtit të ndryshojë kandidatin.

Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit – nga e hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata që të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim”.

Mbi katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të mospajtimit rreth kryeparlamentarit, vendi ka mbetur pa institucione të reja. Së voni, LDK-ja – që doli e treta në zgjedhje – ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

Propozimi është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë – pra, duke përjashtuar LVV-në.

Megjithatë, çështja nuk mund të kalojë te zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës pa u konstituar Kuvendi.

Deputetët fillimisht duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për të cilët kërkohen 61 vota – në mënyrë që më pas të hapet rruga për formimin e ekzekutivit.

Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje ligjvënësve që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja./REL