
Kodi Zgjedhor/ Rudina Xhunga: Dera për partitë e vogla po mbyllet. Pse po ngre tonet presidenti!
Dritare.net
Gazetarja Rudina Xhunga e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 komentoi situatën politike. Nisur nga Ndryshimet në Kodin Zgjehdor, Xhunga tha se ato dëmtojnë partitë e vogla, ndaj edhe më i mërzituri është presidenti.
“Diskutimi ka qënë teknik, edhe votimi u bë në mënyrë të papritur për këdo që ishte jashtë rregullave të lojës, se ata brenda e dinin çfarë do ndodhte. Pasi dicka ndodh është e pamundur ta riparosh. Ajo që ndodhi dje, ndodhi dhe kaq. Gjuha politike është ashpërsuar. Rama u duk disi më i qetë, sot ku foli për rritjen e pagave të mjekëve dhe mësuesve. Basha po ashtu, nga ana tjetër më i ashpër ka qënë presidenti.”- tha Xhunga.
Por pse ishte Presidenti më i ashpër? Gazetarja u shpreh:
“Sepse ai përfaqëson një parti të vogël dhe dera për partitë e vogla po mbyllen. Partitë e vogla nuk është se kanë ndryshuar ndonjëherë rregullat e lojës. Në Shqipëri ka vetëm parti të djathta. Nuk ka parti të majta. Rama nuk është kryeministër i majtë, kjo është e dukshme. Sikundër, Basha me mënyrën sesi po premton dhe me ato 5 pikat që po tund tani nuk ngjan fare që po kërkon hapësirë dhe frymëmarrje për të djathtën. Si çdo njeri që po kërkon pushtetin, edhe ai po sillet në mënyrë populiste, duke tundur 5 pika jo dhe aq të djathta. Mënyra se si ndryshojnë me njëra-tjetrën është e vogël, i ndan vetëm dëshira për të marrë apo mos marrë një karrige. E tillë do të jetë edhe fushata. Kodi Zgjedhor nuk do t'i lërë mundësi disa të vegjëlve të futen si rasti i Hajdarit. Do të kemi një përplasje mes dy partive kryesore, që do të lënë jashtë ose brenda listave të tyre emra të tjerë. Kjo e bën nervoz presidentin, për shkak të partisë që drejton Kryemadhi, bashkëshortja e tij. Dhe me të drejtë se kërkonte të tjera rregulla loje. Këto rregulla nuk i përshtaten."
E pyetur nëse do të ketë sërish protesta, Xhunga tha:
"Nuk besoj se do të ketë protesta, atëherë më 2 mars u ndihmua nga PD-ja. Por tani nuk mendoj se do e mbështesë më PD-ja presidentin, sepse ka lojën e vet për të luajtur. Nuk besoj të ketë protesta masive edhe për shkak të situatës, por do të ketë luftë politike. Presidenti bëri sot publike emrat e atyre që votuan Kodin Zgjedhor. Njerëzit në gazeta nuk lexojnë për emrat që votojnë, lexojnë për pronat, për pagën e luftës, kanë të tjera interesa. Politika shqiptare duhet të afrohet pak më shumë me votuesin, sepse është larguar shumë dhe nuk i kupton më. Kam përshtypjen se nuk na pret një stinë protestash politike, na pret një stinë dimri me pikëpyetje për pandeminë, na presin shumë dilema për shkollat, spitalet. Do të kemi fushatë të ashpër, palët do të përplasen, njerëzit do shahen, mediet do të jenë plotë me njerëz që hyjnë e dalin, nëpër studio dhe flasin në emër të politikes dhe popullit. Nuk ka shumë rrugë, për rrugën."-shtoi ajo./balkanweb

















