Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ja kur do të mbahen zgjedhjet në Kosovë!

Ja kur  do të mbahen zgjedhjet në Kosovë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot shpërndarjen e Kuvendit pasi dështoi sërish zgjedhja e Qeverisë, duke caktuar 28 dhjetorin si datën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Osmani tha se dy datat kushtetuese të mundshme ishin 21 dhe 28 dhjetori, por shumica e partive politike janë shprehur në favor të datës 28. “Kjo datë mbetet e vetmja e mundshme, edhe pse sjell sfida për KQZ-në”, deklaroi ajo.

Ja kur  do të mbahen zgjedhjet në Kosovë!

Mungoi vullneti politik në Kuvend

Presidentja theksoi se para nënshkrimit të dekretit ka bërë “përpjekjen e fundit” për të bindur partitë që të riktheheshin në Kuvend, me qëllim miratimin e zgjatjes së buxhetit dhe paketës së pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, me vlerë 1 miliard euro.

“Nuk pati vullnet politik. Edhe pas dështimit të mandatarit të dytë, Kuvendi mund të merrte vendime. Në mungesë të vullnetit, nuk kishte zgjidhje tjetër”, u shpreh Osmani, duke e cilësuar situatën “për keqardhje”.

Marrëveshjet e humbura, goditje për qytetarët

Osmani paralajmëroi se mosvotimi i marrëveshjeve i privon qytetarët nga fonde të BE-së dhe Bankës Botërore, që do të ndihmonin fëmijët, spitalet, bizneset dhe fermerët.

“Një shtet që humb fondet e partnerëve ndërkombëtarë humb besimin e tyre. Nuk dënohen partitë, por qytetarët”, theksoi ajo.

Fushatë dinjitoze dhe thirrje për përgjegjësi

Presidentja u bëri thirrje partive të zhvillojnë “fushatë dinjitoze” dhe të marrin përgjegjësinë që do të rezultojë nga vota e 28 dhjetorit.

Ajo konfirmoi se 11 janari është përjashtuar si datë zgjedhjesh dhe se çdo vendim për të ardhmen institucionale të saj do të varet nga vullneti i qytetarëve. Në lidhje me kandidimin e mundshëm për një tjetër mandat presidencial, Osmani tha se çështja do të diskutohet vetëm pas konstituimit të Kuvendit të ri.

Presidentja theksoi se prioritet mbetet stabiliteti institucional dhe mbrojtja e interesit të qytetarëve, ndërsa vendi hyn në një periudhë të re zgjedhore./L.F-dritare.net