Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Intervista e fundit/ Themie Thomai, zonja që drejtoi bujqesinë 13 vjet!

Intervista e fundit/ Themie Thomai, zonja që drejtoi bujqesinë 13

THEMIE THOMAI: Bujqësinë nuk mund ta ngrejnë dot mediokrit, por njerëzit e shkolluar e të ditur

Themie Thomai lindi në vitin 1945 në Goriçaj të Lushnjës. Arsimin shtatëvjeçar e kreu në Këmishtaj, ndërsa atë të mesëm dhe të lartë e kreu në Tiranë. Vitet e para të punës Themie Thomai i nisi si shefe e degës së planit në kooperativën bujqësore Këmishtaj. Nisur nga puna me seriozitet që u kthye natyrë të dytë të karakterit të saj, më 21 shkurt 1967, u zgjodh kryetare e kooperativës bujqësore Këmishtaj. Vetëm 21 vjeçe, në një ekonomi të madhe, në zemër të Myzeqesë, do të thoshte se e gjithë kjo barrë e rendë ra mbi shpatullat e njoma të një vajze të re. Në vitin 1976, tashmë 31- vjeçare, do të drejtonte Ministrinë e Bujqësisë. Peshë shumë e rëndë për t'u ngritur dhe udhëhequr. Në këtë post kaq të lartë e me përgjegjësi ishte e para herë që vendosej një femër. Arritjet dhe rezultatet për kohën që ajo drejtoi bujqësinë vlerësohen si me të lartat. Ndër reformat e ndërmarra për atë kohë, me vlera janë ato të zhvillimit të bujqësisë, pak a shumë e pavarur nga kundërshtitë e klimës. Me to do të rritej rendimenti nga 6-10 herë. Konkretisht, duke zgjeruar sipërfaqen e serrave do të thoshte se "shtohej" edhe toka që për Shqipërinë është vendi më i varfër për frymë.

Themie Thomai është ministrja e vetme shqiptare që pas shumë dekadash realizoi vizitat e para në vendet perëndimore, ku është nderuar dhe pritur nga drejtues të lartë dhe homologë të saj. Ishte Themie Thomai kur vendi u lidh edhe me organizatën më të madhe të ushqimit, FAO. Drejtuesi kryesor, z. Eduard Sauma vlerësoi shumë arritjet e bujqësisë shqiptare, sidomos sistemimin dhe parcelimin e tokave. Themia mori vlerësime të drejtpërdrejta edhe nga ministri i Bujqësisë italiane, z. Pandolfi. Me interes ka qenë dhe vizita në vendin me bujqësi të zhvilluar, në Francë, Egjypt e gjetkë. Ambasadori i Brazilit, i akredituar në Romë, në një takim u shpreh: "Nuk është e lehtë të jesh ministre për një periudhë kaq të gjatë. Kjo tregon personalitet dhe karakter të fortë". Në vitin 1989 ajo u caktua në detyrën e sekretares së parë për rrethin e Lushnjës, të cilin e mbajti deri në fillimin e proceseve demokratike.

Intervista e fundit/ Themie Thomai, zonja që drejtoi bujqesinë 13

Themie Thomai është dekoruar me shumë Urdhëra e Medalje pune. Ajo mban titullin e lartë “Heroinë e Punës Socialiste”, akorduar nga Kuvendi Popullor. U nda nga jeta më 19 dhjetor 2020 nga COVID-19.

-Ju kini qënë e para dhe e vetmja Ministre e Bujqësisë femër qysh nga themelimi i shtetit shqiptar në vitin 1912. E konsideroni fat, apo diçka të rastësishme që erdhi, ashtu papritur, në karierën Tuaj politike. Kush ua komunikoi detyrën e lartë dhe emocionet e asaj dite.

-Bujqësia është baza e të ushqyerit të njerëzimit. Prodhimi bujqësor ka ardhur gjithmonë në rritje si në sasi e llojshmëri si rezultat i kërkesës së popullatës për t’u ushqyer silësisht mirë. Buqjësia shtrihet në kohë e në hapësirë e ndërvarur edhe nga kushtet atmosferike. Në këtë degë shumë të rëndësishme por edhe shumë e domosdoshme më takoi që të punoj shumë kohë. E kam nisur nga baza e prodhimit, duke punuar për 10 vjet kryetare e ish kooperativës të Tipit të Lartë të Këmishtajt të Lushnjes. Gjatë kësaj kohe që kam bërë këtë detyrë, kam pasur situata të vështira, por edhe momente kënaqësie. Që të arrije ato rezultate duhej jo vetëm të dije, por kjo duhet të shoqërohej me një punë të lodhshme, cfilitëse. Duke punaur në këtë mënyrë arritëm që kjo ekonomi të rreshtohej ndër më të mirat e vendit. Pas 10 vjetëve si drejtuese i kësaj ekonomie u emërova si Ministre e Bujqësisë. Ka qenë e papritur. Nuk kisha menduar kurrë, asnjëherë se një ditë mund të ndodhte kjo. Por nuk mund ta quaj rastësi sepse unë punoja në drejtim të një ekonomie të madhe, ndër më të mëdhatë e vendit, për 10 vjet, pa u shkëputur.

Vendimi për emërimin tim, detyrës si Ministre e Bujqësisë më është komunikuar nga Enver Hoxha dhe Hysni Kapo. Mbaj mend se deri në momentin që do të hyja brenda në zyrat e KQ, nuk dija asgjë. Në momentin që më komanduan detyrën, kam provuar një emocion të pa përshkruar. Mbeta pa fjalë, u hutova krejt. Për një çast më shkoi mendja që ta kundërshtoja këtë detyrë kaq të madhe, që nuk mund ta mbanin dot shpatullat e mija, por gjithçka, edhe fjalët ngecën pa dalë sepse ata i paraprinë fjalës çka unë mendoja, duke thënë: e dimë që është përgjegjësi e madhe, por ne kemi besim që do ta kryesh mirë këtë detyrë të vështirë.

Intervista e fundit/ Themie Thomai, zonja që drejtoi bujqesinë 13

-Nëse një gjë u duket e vështirë, ka thënë një mendimtar, mos mendoni se është e pa mundur për ta realizuar. Si e konsideroi Themie Thomai detyrën e Ministres, u shkoi nëpër mend se merrnit “një të përpjetë” që nuk do t’i dilnit dot në krye?

-Duke e vlerësuar si detyrë tepër të vështirë, gati çdo ditë, çdo çast mendoja si do ta ngjitja këtë të përpjetë. Kam kaluar stres të madh, mundues. Edhe tani, pas kaq vitesh, e pyes veten: more, si ia kam dalë, ku i gjeta forcat për të përballuar atë detyrë aq të madhe, me përgjegjësi të jashtëzakonëshme? Por kur njeriu, qoftë edhe një femër siç isha unë, po të dijë, po të jetë i vendosur për ta kryer detyrën, ia del mbanë. Asnjëhërë nuk ka rënë nga qielli, qoftë drejtues i lartë apo udhëheqës i madh. Këto detyra njeriu i mëson, nuk i trashëgon. Kjo ngjau edhe me mua.

-Populli ynë ka një fjalë të urtë: Vështro nga vjen, mëso ku je dhe do të dish ku shkon. U ka ndihmuar në karierën tuaj, zonja Themie, kjo thënie, e cila brënda saj ka filozofinë e jetës?

-Populli ynë ka shumë fjalë të urta të cilat janë koncentrat, i ka nxjerrë nga jeta. Unë isha e ndërgjegjëshme, e dija nga vija dhe por edhe ku shkoja. E rëndësishm ish fakti se kisha përvojë drejtimi, isha rrëzuar e isha ngritur disa herë. Dhe ko, besoj, ka qenë bazë për suksesin. Drejtimin, në kooperativë apo në pozicionin e Ministres, nuk e mendoja si një çështje personale, por gjithëpërfshirës, nga dikasteri e deri poshtë, në ndërmarrje dhe kooperativë bujqësore. Në këtë drejtim bëhej punë e vazhdueshme për të njohur përvojën më të mirë e, mandej, për të zbatuar hap pas hapi në gjithë vendin. E kam pasur metodën time të punës për të punuar me specialistët dhe drejtuesit. Zgjidhja në mënyrë permanente specialistët më të mire, si ata të prodhimit dhe shkenctarët, të cilët punonin në institucionet shkencore. Të drejtuarit mirë nuk është asgjë më shumë se motivimi i njerëzve të tjerë, kuadro apo specialist qofshin..

- Në hisorinë e bujqësisë shqiptare kanë drejtuar 38 ministra, por, edhe pse femër, Ju kini qenë më jetëgjata në atë dikaster, diçka më shumë se 13 vjet. Ka ndonjë arsye të fortë që e bëri person “gines” Themie Thomain?

-Është e vërtetë që në 38 vjet kam qenë e vetmja grua që kam drejtuar këtë Ministri për 13 vjet. Jetëgjatësia ime në këtë detyrë nuk ka patur ndonjë gjë çudibërëse. I vetmi sekret është puna këmbëgulëse, e vazhdueshme, si një ditë e një ditë, gjatë gjithë kohës që kam drejtuar atë ministri. Kam kryer punë të lodhëshme, me plot shqetësime, me plot të papritura, ashtu siç ndodh shpesh në bujqësi. Por, ama, për një gjë kam qenë e “priviligjuar”, kasha atë që nuk e dispononin të tjërët. Unë, Themie Thomai, e njihja jo vetëm bujqësinë, por edhe Shqipërinë, pëllembë për pëllembë. Nuk kam lenë vend pa e shkelur. Jo me makinë, por me këmbë. Ky është çelësi për një drejtues të lartë.

-Kam dëgjuar të thuhet se nëse me të vërtetë e dëshiron çelësin e suksesit, fillo duke vepruar të kundërtën e asaj çfarë gjithë të tjerët bëjnë. Ju, gjatë viteve që drejtuat Ministrinë e Bujqësisë, kini qënë e suksesëshme. Çfarë bëtë ndryshe nga paraadhësit tuaj?

-Gjatë 13 vjetëve janë bërë ndryshime thelbësore dhe këtë e them me bindje të plotë. Është bërë vërtet një punë e jashtëzakonshme. Në të gjitha drejtimet. Tokat u sustemuan dhe u krijua një rrjet modern kullimi e ujitjeje, në të gjithë vendin. Më vjen mirë të qëndroj pak në këto probleme. Ndjehem kryelartë që gjatë atyre viteve u ndërtua një rrjet i fuqishëm kullimi, duke filluar me pritat malore, me të cilat i thuhej “ndal” orizionit, e deri tek ngritja e stacioneve të fuqishëm të pompave që derdhnin ujrat e tepërta në det. Kjo punë, sidomos mirmbajtja e stacioneve të pompave, bëhej gjatë gjithë vitit. Në çdo fund gushti kontrollohej gatishmëria e këtij sistemi. Ndaj edhe nuk ndodhën kurrë, asnjëherë përmbytje siç ndodh tani. Kështu, me këtë stil e përgjegjshmëri punohej edhe për ujitjen. Kishte studime të mirëfillta, shkencore. Koha bën të vetën, por nuk duhet të harrojmë që kur unë jam larguar nga detyra e Ministres së Bujqësisë ishin në gjendje pune 2200 rezervuar dhe 60% e tokës ishte nën ujë. Unë jam njeri, jam e ndjeshme si të gjithë njerëzit, ndaj dëshpërohem, bëhem keq kur shikoj se në ç’gjëndje janë katandisur këto vepra të mëdha. Nuk mund të harroj që ujëmbledhësi i Lushnjes mbante 60 milion m3 ujë, ai i Shkodrës me 30 milion m3 ujë, e kështu me radhë. Investim i madh u bë për ngritjen e stacioneve të pompimit siç ish ai i Tomorricës në Skrapar, i Dibrës, i zonave malore në Tepelënë, Përmet, Krujë e gjetkë.

Natyrisht me këto ritme kishin punuar edhe paraardhësit e mij, por më duhet të them se gjatë viteve që drejtova bujqësinë shqiptrae pati hop të jashtëzakonshëm në drejtim të përgatitjes së kuadrove dhe specialistëve, të ngritjes dhe të funksionimit të institucioneve shkencorë. Siç edhe dihet, këto qëndra të rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e bujqësisë dhe të blegtorisë u ç’bënë, u shkatërruan nga themelet.

-Menaxhimi i një dikasteri të rëndësishëm, siç është Ministria e Bujqësisë, mbi të gjitha, është praktikë ku takohen arti i drejtimit, shkenca dhe mbështetja politike. Sipas Jush, e patët këtë privilegj, mundët të bashkonit “në një” artin e drejtimit, shkencën dhe mbështetjen politike?

-Bujqësia ka vështirësi në drejtim e menaxhim. Ajo është shumë komplekse sepse veprojnë shumë faktorë. Faktorët atmosferikë, përshembull, mund të ta rrëmbejnë nga dora vetëm për një çast mundin dhe djersën e një viti të tërë.

Por i rëndësishëm është drejtimi dhe menaxhimi i bujqësisë me njerëz të ditur, me spëcialistë kompetentë. Mund të jetë i mirë ministri, zëvendësat e tij, drejtorët e drejtorive etj, por mëndjendriturit i do në radhë të parë baza, i do toka ku rritet gruri e misri, ku kultivohet pemataria, perimet, në stallat ku mbarështohen kafshët etj. Sipas meje, edhe në një shoqëri kapitaliste, të ekonomisë së tregut, roli dhe vendi i specialistit nuk humbet kurrë. Përkundrazi, bëhet më i rëndësishëm, më i domosdoshëm nëse kemi parasysh konkurencën. Në kohën tonë funksiononin institucionet shkencorë ku eksperimentohej dhe prodhoheshin fonde të rëndësishme gjenetike, si në fushën e bujqësisë, po ashtu edhe në atë të blektorisë. Dhe këtë e bënte agronomi, e realizonte zooveterineri. Problemet nuk trajtoheshin si çështje rutinë, por të planifikuara e me objektiva të caktuara. Isntituti i Kërkimeve në Lushnjë dispononte disa lloje gruri ku punohej me shumë seriozitet për të krijuar farëra elitë, me prodhimtari të lartë. U krijuan lloje të tilla që në zona fushore të mund të merrej deri 80-100 kv grurë për ha. Po kështu mund të them për Institutin e Prodhimit të Misrit, të Perimeve e të Patates, të Institutit të Veterinarisë dhe Zooteknisë, të fidanishteve të fuqishme në shumë rrethe të vendit për prodhimin e fidanave frutorë e të vreshtarisë etj. Në këto institucione punonin specialistë e shkenctarë të vërtetë, të cilët kanë qenë të shumtë dhe të niveleve shumë të larta. Ndjej respekt, mirënjohje e detyrim moral që të mund të përmend emrat e Profesor Mentor Përmetit, Skënder Gozhitës, Koço Dhimës, Alfred Xhamos e shumë të tjerë si seleksionerë e prodhues të farërave të grurit me cilsi shumë të larta; të shkencëtarëve Hysen Laçej e Ahmet Osja për punën me farërat e bimës së misrit; të specialistëve të shquar Sotir Pasko e Teki Tartari për mbarshtimin e kafshëve; të Petraq Sotirit e Xhelo Murrajt për kontributin që dhanë në sektorin e pemtarisë. Po kaq kontribues kanë qënë specialistët dhe petagogët me emër të lartë si Vasfi Samimi, Novrus Kafazi, Taso Nini, Todi Gjermani, Muharrem Pengili, Hysen Çobani, Athanas Stani, Andrea Shundi, Mërkurr Mero, Burhan Çela, Argjir e Meropi Prifti e duke vazhduar me të tjerë si, Veip Bleta, Faik Labinoti, Lefter Pepo, Milto Ferra e shumë e shumë të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë për mos mundësinë e përmëndjes së emrave në këtë intervistë. Nuk e them për modesti, por nëse gjatë përiudhës që unë kam drejtuar Ministrinë e Bujqësisë u arritën rezultate shumë të mira, kjo erdhi sepse punët qëndruan mbi shpatullat e emrave gjigandë që i përmenda më sipër.

- Në shumicën e rasteve të qenit “shef” i mirë do të thotë të angazhuarit e njerëzve të talentuar në një fushë të caktuar. Mund të na sillni “të talëntuarit”, specialistë, kuadro drejtuese, njerëz me përvojë të çmuar në bujqësi me të cilët punoi Themie Thomai?

- Disa nga emrat e shquar të bujqësisë i përmenda pak më sipër, por unë nuk e kam menduar asnjëherë që, duke qëndruar në karriken e Ministrit të detyraja vartësit të vepronin sipas mentalitetit “të bëhet ashtu si them unë”. Shembulli, kam dëgjuar të thuhet nga një i mençëm, nuk është gjëja kryesore për të influencuar tek të tjerët. Është e vetmja gjë. Në këtë kuptim më është dashur të jem vetë në krye të të gjitha punëve që kërkonin edhe autoritetin e ministers. Kur je në pozicione të larta drejtuese ndeshesh me një rrezik të madh, atë që të vijnë rrotull servilët, njerëzit pa moral, ata që janë të vështirë për t’i larguar. Në këtë çka po them kam qenë shumë e vëmëndëshme, nëmos e papërfillëshme, duke i injoruar si karaktere të pështirë.

Në metodën e punës time unë kam patur lidhje të vazhdueshme me bazën, më njerëzit që drejtonon e prodhonin produkte bujqësore. Kudo ku ishin, në Ndërmarrje Bujqësore apo kooperativë, në zona fushore apo në ato malore. Kjo më jepte mundësinë që të kontaktoja me kuadro e specialist të zotë, me njerëz që të frymëzonin për kapërcimin e vëshhtirësive që na dilnin në çdo hap. Këta burra e gra të mrekullueshëm i kam takuar në NB-në e Krujës, në NB “17 Nëntori” të Tiranës, “29 Nëntori” në Lushnjë, NB “Çlirimi” në Fier, NB Vrina në Sarandë, NB Maliq të Korçës, NB Lezhë, në të gjithë vendin, pa përjashtuar asnjë. Po kështu edhe kuadrot e specialistët e koperativave bujqësore si ajo Dajçit në Shkodër, e Divjakës dhe Krutjes në Lushnje, Cakranit dhe Semanit në Fier, Lapardha, e Poshnjë në Berat etj. E kam shkelur vendin nga veriu në jug, cep më cep. Për këtë ndjehem mirë sepse më lumturon jo vetëm puna dhe rezultatet që u arritën, por më shtuan pa masë, jashtëzakonisht shumë, numrin e miqve e të shokëve. Ata më bënin me plot besim, më shtonin optimizmin për të kapërcyer pëngesat që i dilnin bujqësisë përpara. Të mos harrojmë që bujqësia, ashtu si të gjitha degët e tjera të ekonomisë, ishte e centralizuar. Punëve të mëdha u bëhet ballë me oganizim dhe duke aplikuar mendimin shkencor. Bujqësia është shkencë, është art ndaj kërkon të ndërthuren të gjithë faktorët, qofshin ata njerëzorë, qofshin ata që kanë të bëjnë me rolin drejtues të kuadrove dhe mendimit progresiv të specialistit. Unë kam luftuar gjatë gjithë kohës për të qënë sa më objektive, sa më realiste dhe e natyrëshme në rraportet që krijoheshin midis pozicionit më të lartë, siç ishte ai i ministrit, dhe bazës, kuadrove dhe specialistëve në NB e kooperativa bujqësore. Kurrë nuk e vuri Themie Thomai karrigen ministrore për përfitime personale, për karrierë a kudi çfarë. Atë vend, atë pozicion të lartë, e kam përdorur për të qenë një bashkëpunëtore dhe dëgjuese shumë e mirë të mendimeve të ndryshme, në takime direkt ose indirekt me njerëzit e thjeshtë. Mendoj se për mua ka qenë një privilegj, nëmos fat që të punoja e të bashkëpunoja me këta njerëz të ditur e të përkushtuar. Të gjithë së bashku bëmë aq sa denim dhe aq sa mundëm.

-Të qënit në pozicionin e lartë të Ministres së Bujqësisë Ju arritët të bënit atë që duhet, pavarësisht nga rrjedhojat personale, pavarësisht nga pengesat, rreziqet dhe presionet që kini patur. Mund të na sillni diçka, ngjarje apo kujtime tuajat, nga vitet që punuat si ministre?

-Ndjehem e privilegjuar që kam qenë Ministre e Buqjësisë 13 vjet. Kjo kohë më ka dhenë mundësinë të bashkëpunoja ngushtë me elitën e specialistëve e buqjësisë dhe punonjësve me përvojë e arritje të shkëlqyera në prodhimin e gjerë. Natyrisht është e kuptueshme që të ndryshojë bujqësia e një vendi nga ekstensive në atë intensive, e vendosur mbi baza shkencore, ka dashur supersakrifica. Në sektorin e bujqësisë u futën njesitë e mekanizuara në zonat fushore. Në sektorin e perimeve u rritën sipërfaqet e mbrojtura me plasmas ose me xham, me dhe pa ngrohje. Në blektori u ndërtuan komplekset blektorale për prodhimin e vezëve dhe të mishit. Në sektorin e frutikulturës u krijuan blloqe frutore me sipërfaqe të mëdha siç ishte Lukova në Sarandë, plantacionet me ullinj në Berat, me mollë në Korçë e Peshkopi, plantancionet me vreshta si ato të Shkodrës, Tiranës, Lushnjes e gjetkë. Të gjitha këto dhe masa të tjera të rëndësishme, si fuqizimi i gjithë infrastrukturës dhe rritja e mekanizmit nëpërmjet SMT-ve, ndërmarrjeve të bonifikimit, drejtoritë e ujrave, drejtoritë e furnizimit Materialo-Teknike, dy kombinate të mëdhenj për prodhimin e plehrave azotike në Fier dhe ai i Superfosfatit në Laç, janë investime të mëdha, të jashtëzokonëshme. Natyrisht bujqësia donte edhe më shumë për të shfrytëzuar gjithë potencialet e resurseve natyrorë dhe ato njerëzore.

-Bujqësia, siç dihet, është sektor mjaft i vështirë. Ka një thënie, e cila ka dalë nga praktika: Nëse doni që diçka të realizohet shkoni vetë, nëse nuk doni, dërgoni të tjerë. Ju si kini vepruar në punën tuaj, u ka rënë rasti që “gomarin e nxjerr i zoti nga balta”?

-Në metodën time të punës, në themel të saj, ka qenë shembulli im personal. Ish bashkëpuntorët e mij e dinin që unë vetë, në çdo rast, qëndroja në krye të aksionit apo të fushatave të cilat ndiqnin njëra tjetrën gjatë gjithë vitit. Ne thoshnim shpesh atëhere, se nga 12 muaj që kishte viti, bujqësia përballonte 13 fushata. Në këtë kuptim drejtuesi në bujqësi apo specialisti i këtij sektori të vështirë rritet, nuk bëhët. Dhe që të rritet i duhet lënë hapsirë për të vepruar, t’i jepen kompetenca që të mund të “trimërohet” për të gjetur çelsin e suksesit. Por, meqë është fjala tek bashkëpunimi, tek mjeshtëria për t’i bërë punët së bashku, më duhet të sjell këtu një thënie nga i madhi Ajshtajn: Shpirtrat e mëdhenj, ka thënë ai, gjithmonë janë kundërshtuar nga mediokrit. Këta të fundit nuk mund ta kuptojnë kur një person nuk i nënshtrohet paragjykimeve të trashëguara dhe përdor me kurajë inteligjencën e tij. Ҫka më duhet të them me këtë. Dikasteri që unë drejtova, të gjitha hallkat, nga baza në qendër, nuk u lamë shtigje të depërtonte mediokriteti, madje lamë hapësira për të aplikuar mendimin e përparuar, për të vënë në efiçencë inteligjencën e njerëzve të ditur. Gjithmonë kam qënë e prirur për të kontrolluar një më një detyrat që dilnin nga dikasteri. Pra, për të qënë e sinqertë, i qëndroja shumë fjalës së urtë që ka dalë nga populli: beso e kontrollo. Kjo nuk do të thotë të mos kesh besim tek vartësit. Përkundrazi, është vlerësim, është edhe seriozitet për të mos i lënë punët në mes, rrugëve. Që t’i bje shkurt, unë kam punuar shumë si individ, si minister, por besoj se kam koordiduar punët mirë edhe me vartësit. Mirë apo keq, përgjegjësitë i kemi patuar bashkë. Nisur nga kjo pikpamje gjithmonë kam menduar që kur të largohesha nga kjo karrige të më mbretej emiri Themie, e barabartë midis të barabartëve. Sepse në fund të fundit unë kreva një detyrë që më kishin ngarkuar.

-Nëse njerëzit do të dinin sa shumë duhet të bënin për të arritur suksesin, shumica e tyre nuk do t’i hynin asaj rruge. Ju, zonja Themie, togfjalëshi “sa shumë duhet të bëje për të arritur suksesin” u bëri ndonjëherë pishman përse iu futët asaj rruge?

-Bujqësia është një degë sa e rëndësishme, po aq e vështirë për ta drejtuar, për të arritur e të realizuar të mirat e domosdoshme për popullin. Ky sektor nuk varet vetëm nga dija, nga potencialet shkencorë e organizativë, por edhe nga kushtet atmosferike. Këtë vështirësi unë e dija fare mire, por vendosa të punoj me këmbëngulje, pa u tërhequr.

Mu desh të thyeja konceptin se kjo detyrë, i cilsoj shumë e vështirë, mund të përballohej vetëm nga një burrë. Të mos them tjetrën që isha vetëm një vajzë 31-vjeçe. Por këto dy “disfavore” nuk mund të më mposhtnin, nuk mund të më thyenin dot sepse unë vija nga një pozicion po aq i vështirë, nga ai që prej 10 vjetësh kisha drejtuar kooperativën më të madhe e më të suksesëshme në shkallë vendi, siç ishte Krutja. Favori tjetër, shumë i rëndësishëm edhe ky, ishte se unë po shkoja në dikasterin që deri atëherë ishte drejtuar nga një personalitet i madh, siç ishte Pirro Dodbiba.

Por këto çka thashë nuk vlenin, nuk bënin fajde sepse duheshin rezultate konkrete. A mund të vazhdonte që bujqësia të mbetej në kushte ekstensive, të praktikoheshin metoda të vjetra? Për këtë u bë një plan, u mendua gjatë si të veprohej. Së pari, u morën masa për forcimin e institucioneve të degëve më të rëndësishme. Fjalën e parë duhet ta thoshnin specialistët dhe shkencëtarët tanë të talentuar, të cilët, për të qënë të vërtetë, punonin me një përkushtim të jashtëzakonshm. Ata përbënin armatën e punonjësve të institucioneve shkencorë si Instituti i Kërkimeve të Lushnjës që krijonte dhe adoptonte lloje grurërash me prodhimtari të lartë; Instituti i Veterinarisë dhe i Zooteknisë nga të cilët u arrit të çrrenjoseshin të gjitha vatrat e sëmundjeve të kafshëve. Ky i fundit punonte vazhdimisht me përmirësimin rracor dhe rajonizimin e blektorisë sipas zonave. Po kështu punuan Institutet: i faragjeve, i perimeve e patates dhe i frutikulturës. Duke menduar se pyjet zinin një sipërfaqe të madhe dhe me interesa goxha të rëndësishne për vendin, përpos drejtorisë së përgjithëshme, që funksinonte në Ministrinë e Bujqësisë, u ngrit dhe Intituti Shkencor për Pyjet. Ky sektor, me një rol të madh në ekosistem, por edhe në zhvillimin e industrisë së drurit, bënte të domosdoshme vëmendjen dhe përkushtimin për ta zhvilluar më tëj.

-Femrat janë si gjeneralët: atyre nuk u intereson ç'humbje u ka kushtuar një fitore. Ju, sigurisht, kini qënë e suksesëshme, por mund të na thoni “humbjet”, ç’sakrifikuat në karierën tuaj?

-Siç kam thenë edhe më lart gjatë periudhës që kam qenë në krye të Ministrisë së Bujqësisë kam pasur arritje dhe, sigurisht, këto arritje më kanë motivuar për të punuar e sakrifikuar edhe më shumë për të ngritur bujqësinë në standarte moderne, në të gjitha drejtimet. Por nuk ishte e mundur që të gjitha të shkonin siç e planifikoja, ashtu siç edhe dëshiroja. Më duhet të flas hapur dhe me zemër në dorë. Goditje e madhe, e pariparueshëe, dhe që e psuam të gjithë si popull, ka qenë tufëzimi i blektorisë të oborrit kooperativist. Nuk mundëm ta ndalnim dot këtë marrëzi. Unë personalisht nuk kam qenë dakord, por kjo qe po them nuk i vlen kujt. Një drejtues në nivele të larta, siç isha unë, duhet të ketë kurajën të veprojë kundër këshillës së “ekspertëve”. Unë, duke e njohur shumë mirë gjendjen e fshatarësisë nuk kishte arsye që të isha dakort me direktivën e “filozofve” të Partisë. Tufëzimi solli katastrofën. Populli u kthye nga prodhues në konsumator. Po sjell vetëm një shembull: nga 12 mijë e pesëqind ton qumësht që prodhonte oborri kooperativist, ra në 1500 ton. U bë një hata, apo jo!

Përsa i përket karierës time nuk kam humbur asgjë, përkundrazi. Të merresh me buqjësinë është sakrificë dhe unë e kam sakrifikuar pjesën më të bukur të jetës time. Ia fala bujqësisë, pasionit për të cilin edhe u përpoqa shumë. Eshtë në nderin tim, të moralit tim që të deklarohem se këtë punë të vështirë e me shumë përgjegjësi ma kanë lehtësuar bashkëpunëtorët, të gjithë specialistët e drejtuesit e Ministrisë, duke mos harruar ata të institucioneve shkencorë dhe të ekonomive bujqësore në mbarë vendin.

Kam dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, të dy të mrekullueshëm. Por me mamanë, me nënën e tyre, kanë ndenjur shumë pak. Me fëmijët, me shtëpnë, me të gjitha detyrimet që ka një familje e rregullt është marrë bashkëshorti, i cili është një mjek i talentuar. Ai më ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Në punën time kam pasur mbështetje pa kursim të familjes time. I jam përjetë mirënjohëse dhe gjej rastin ta falenderoj për këtë suport që më kanë dhenë!

-Sipas statistikave zyrtare bujqësia shqiptare ka rënë shumë, ka degraduar. Do të ishte në interes edhe për lexuesin se cili është mendimi i ish Ministres të suksesëshe të Bujqësisë, Themie Thomai?

-Tani struktura e buqjësisë ka ndryshuar dhe ka më shumë një zhvillim specifik. Toka që është baza e bujqësisë, është keqpërdorur, po trajtohet keq. Ne jemi shtet që kemi pak tokë për frymë. Mirpo edhe pse kemi këtë tregues negativ, sipërfaqja e tokës bujqësore nga viti në vit po zvogëlohet. Kapaciteti i kullimit dhe i ujitjes, duke abandonuar rrjetin e kullimit dhe të ujitjes, ka marrë të tatëpjetën. Mendoj që institucionet shkencore duhen të ngrihen nga ana metodike e për të udhëhequr studime e projekte të zbatueshme, duke iu përshtatur ekonomisë së tregut. Bujqësia jonë duhet të shkojë drejt specializimit për të shfrytëzuar më shumë mundësitë që na jep çdo zonë, fusha dhe mali. Pasuritë janë përpara syve tanë, duhen trajtuar e menaxhuar. Bujqësia kërkon më shumë investime në infrastrukture, qëndra të përpunimit të prodhimit bujqësor e blektoral. Mendoj se edhe levat e ndryshme, siç janë ato financiare, janë të nevojshme. Kam dëgjuar në media që tani po bëhen përpjekje që buqëjsisë t’i jepet një fytyrë tjetër, duke shtuar investimet. Ky është një lajm shumë i mirë. Jam e bindur që ujqësisë ta shpërblen shpejt një investim të kryer me mençuri.

-Dhe një pyetje të fundit. Eshtë një thënie angleze: Çdo njeri duhet të ngrejë zërin aq sa e ka fuqinë. Mendimi juaj, zonja Themie, për indiferentizmin, për heshtjen e specialistëve të bujqësisë, të shkencëtarëve apo edhe të medias rreth asaj që ndodh çdo ditë me bujqësinë, tokën, kullotat, pyjet, blegtorinë etj.?

-Mendoj se në sektorin e bujqësisë ka pasur dhe ka specialistë të zotë. Mesa kam konstatuar neglizhenca është e madhe. Sigurisht jo i specialistëve, por i shtetarëve që, mesa duket, janë të zhytur në korrupsion. Sipas meje dy janë problemet që kërkojnë ndërhyrje urgjente: toka dhe pyjet. Nuk e kam kuptuar si mund të zihen me troje mijra Ha tokë e nga ana tjetër të priten mijra ha pyje? Dhe kjo çka po them vazhdon me vite e vite, gati tri dekada, dhe askush nuk e ngre zërin, të jap alarmin për këtë dëm që po i bëhet vendit, Shqipërisë. Dëmi është fatal. Këshilla që mund të jap, si një person i dashuruar pas bujqësisë është: Mos u nxitoni në marrjen e vendimeve të drejta për tokën dhe pyjet, por edhe mos u vononi në zbatimin e tyre!/Xh.Xh/dritare.net

(Marrë nga libri “Kapedanë të Bujqësisë” Bashkim Koci)