
Ikëm me një anije të vjetër, sot jemi biznesmenë! Flet shqiptari nga Milano!
Dritare.net
Ardian Xhakolli është një sipërmarrës dhe inxhinier i njohur në Itali. Ai kandidon në zgjedhjet për këshilltar bashkiak që do të mbahen më 8-9 qershor. Zoti Xhakolli erdhi sot në rubrikën “Zgjedhja ime”, në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të folur për jetën dhe kandidaturën e tij. Ai rrëfen se si iku bashkë me disa miq nga Shqipëria me një anije të vjetër, në vitin 1991, kur sapo ishin hapur portet. Shkoi në Bari, menjëherë u pikas, zuri punë si projektues në një ndërmarrje teknike në Como dhe avash-avash karriera e tij po korrte suksese edhe më të mëdha. U bë përfaqësues teknik në një ndërmarrje në Milano, punonte me kompanitë më të mëdha të inxhinierisë në botë dhe sot ai është drejtor në një ndërmarrje të rëndësishme në Milano. Që kur kam ardhur në Itali, thotë Xhakolli, tundimi për t’u kthyer në Shqipëri më ka ndjekur gjithë kohës. Do kthehemi në Atdhe, shprehet ai, por duhet një plan, se nuk mund të bëjmë hapin e gabuar e të rrezikojmë gjithçka kemi ndërtuar në Itali.
“Unë jam nga Durrësi. Kam ardhur në Itali në 1991-shin. Kam ikur me anijen e parë që iku në Itali, bashkë me dy miq të mi. Kështu nisi aventura jonë e emigrimit. U nisëm me një kurajë të madhe, nuk e dinim çfarë do gjenim përpara, me çfarë do përballeshim. Unë kam filluar punë që muajt e parë. Një profesor i Universitetit të Barit na ndihmoi. Kështu ecëm përpara, fillimisht si projektues në një ndërmarrje në një provincë të Como-s, pastaj më spikatën disa nga miqtë italianë që takoheshim dhe njëri nga ata më bëri ofertë. Kështu nga një projektues në një ndërmarrje mekanike në Como, u bëra përfaqësues teknik dhe komercial në një ndërmarrje në Milano. Aty filloi një karrierë tjetër sepse isha nga të vetmit shqiptarë që kishte arritur kaq larg. Ishte një trampolinë shumë e madhe për mua, sepse po punoja me kompani të mëdha të rangut botëror.
Sot jam drejtor i një ndërmarrjeje të rëndësishme këtu që ka lindur në 1939-ën. Kam bërë dhe një projekt timin për prodhimin e lavastoviljeve që përdorën nëpër bare. Shpresoj që herët a vonë ta çojmë këtë teknologji dhe Shqipëri. Unë jam i mendimit që Shqipëria nuk ka pse i largohet mekanikes së lehtë, prodhuese. Të prodhojë gjërat bazike, tiganë, tenxhere, filxhanë etj. E ndiej që duhet bërë diçka. Tundimi i kthimit në Shqipëri i imi ka qenë shumë i madh dhe më ndodh gjithmonë. Kam 33 vjet këtu dhe mendojmë kthehemi. Duam të bëjmë diçka për vendin, por mendojmë: çfarë do bëjmë, po si do jetë konkurrenca etj. Ne duam që qasja e qeverise të jetë pak më profesionale. Unë nuk do doja të vija në Shqipëri thjesht i udhëhequr nga tundimi. Por të kishte një plan. Teknologia nuk mungon në Shqipëria, forca ekonomike jo sepse them që ai që do të kthehet i ka bërë dy llogari. Ne duam që të bëhet në mënyrën e duhur ky kthim. Nuk mund të bëjmë hapin e gabuar.”, thotë zoti Xhakolli.
Më 8-9 qershor votohet në Itali për këshillin bashkiak. Ardian Xhakolli ka nevojë vetëm për 50 vota, që duhet t’ia japin shqiptarët e Rozzano-s. Zoti Xhakolli i shpjegon gazetares Rudina Xhunga procesin se si mund të votoni. Detyrat e shtëpisë i kemi bërë në rregull, thotë zoti Xhakolli, tani kemi të drejtë të kërkojmë të përfaqësohemi.
“Kjo është hera e tretë që jam përfshirë në zgjedhje. Unë jetoj në Rozzano. Kemi një shoqatë shqiptare atdhetare që quhet Shqiponja. Vetë komuna, italianët na shtynë qe të kandidojmë.
Çfarë vote kërkoj?
Unë bëj pjesë të grupimi i superqendrës së majtë, që quhet Italia Viva e Matteo Renzit. Në këtë ditë votohet për këshillin komunal dhe deputetët që do venë në Parlamentin e Evropës. Ne si qendër e majtë kemi bashkuar votën dhe kryetarin bashkiak që është i Forzza Italia-s. Këto zgjedhje, kandidatura ime, janë të lidhura me kapitalizmin e fuqisë së shqiptarëve. Është një privilegj i madh që më besojnë mua për të kërkuar votën e shqiptarëve. Por jam edhe me fat që përfaqësoj komunitetin tim. Nëse unë marr 50 vota, kaloj direkt si anëtar i këshillit bashkiak. Lista ka më shumë persona, janë rreth 12. Në këtë rast do shkohet çift, pra një burrë dhe një grua.
Si të votoni?
Shkoni te simboli i Italia Viva dhe vendosini një kryq sipër. Pastaj shkruani në anë ose Ardian ose Xhakolli. Shpresoj që shqiptarët të më votojnë. Ky është momenti i duhur. Komuniteti po përgjigjet. Ne nuk kemi më turp të tregojmë që jemi shqiptarë. Detyrat e shtëpisë i kemi bërë në rregull dhe tani kemi të drejtë të kërkojmë.”, e përmbyll zoti Xhakolli intervistën e tij./K.C/dritare.net

















