Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Atentati në Lezhë, çfarë dihet deri tani!

Atentati në Lezhë, çfarë dihet deri tani!

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i një berberhane në zonë. Burime policore bëjnë me dije se bashkë me të dyshohet të jetë plagosur edhe një anëtar i fisit Nikulaj, i cili mendohet të ketë qenë shënjestra e sulmit.

Në momentin e atentatit, brenda berberhanes ndodheshin disa persona, mes tyre edhe një punonjës policie. Sipas hetimeve paraprake, autorët kanë qenë të paktën tre persona, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje me një automjet tip “Audi”, ku njëri prej tyre ka zbritur dhe ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të biznesit.

Dyshohet se personat që ndodheshin brenda kanë kundërpërgjigjur me armë zjarri. Polici që ndodhej në ambient ka deklaruar se ka qëlluar me armën e shërbimit me qëllim neutralizimin e autorëve. Nga të shtënat, plumba kanë goditur edhe dy biznese përballë berberhanes, por fatmirësisht pa të lënduar.

30-vjeçari Sokol Daci u transportua në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai nuk rezulton me precedentë penalë dhe njihej në zonë si “berber Coli”. Policia po ushtron kontrolle në klinika dhe spitale private për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të plagosur, përfshirë edhe shënjestrën e dyshuar të atentatit.

Paraditen e së hënës, ekspertët e policisë janë rikthyer në vendngjarje për të mbledhur gjurmë gjaku, të cilat do t’i nënshtrohen analizës ADN, për të përcaktuar nëse ka pasur një tjetër person të plagosur dhe për të identifikuar atë.

Ngjarja rikthen në vëmendje hasmërinë e vjetër mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, e cila daton që nga viti 1996 dhe ka sjellë një sërë vrasjesh ndër vite. Tre vite më parë, biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua në lokalin e tij në Shëngjin, ndërsa më pas u regjistruan edhe vrasje të tjera të lidhura me këtë konflikt, përfshirë ekzekutimin e Nikolin Lekstakajt dhe Entjan Nikulajt.

Hetimet për atentatin në Rrilë vijojnë, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve./L.F-dritare.net