Humbën jetën tragjikisht në Itali, trupat e katër anëtarëve të familjes Kola nisen drejt Shqipërisë
Dritare.net

Katër anëtarët e familjes Kola, që humbën jetën tragjikisht disa ditë më parë në Porcari të Italisë, janë nisur drejt Shqipërisë, ku do të prehen në vendlindjen e tyre, në fshatin Gryksh i Madh të Peqinit. Kryefamiljari Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida dhe dy fëmijët e tyre, Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeçe, ndërruan jetë më 4 shkurt në banesën e tyre për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit. Dyshohet se shkaku ishte një kaldajë gazi e instaluar së fundmi.
Trupat iu nënshtruan analizave toksikologjike në Itali dhe tashmë është bërë i mundur kthimi i tyre në Shqipëri. Për të mbuluar shpenzimet e transportit, vëllai i Artit, Durim Kola, hapi një fushatë në GoFundMe, e cila brenda dy ditësh arriti të mbledhë mbi 75 mijë euro.
Banesa ku ndodhi ngjarja ishte në pronësi të Artit, e blerë rreth tre vite më parë dhe e restauruar pjesërisht prej tij, pasi ai ushtronte profesionin e piktorit. Ndërkohë, djali i tyre 22-vjeçar punonte si elektricist./K.C/dritare.net


