Helmohen 40 studentë të Akademisë së Sigurisë, dyshohet nga ushqimi
Dritare.net

Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë kanë shfaqur probleme shëndetësore pas konsumimit të drekës në ambientet e institucionit, duke përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas informacionit paraprak, studentët janë ndjerë keq pak kohë pasi kanë konsumuar ushqimin e servirur në mensën e Akademisë. Ata kanë shfaqur simptoma si të përziera, të vjella dhe komplikacione të tjera shëndetësore, çka ka bërë të nevojshëm transportimin e tyre drejt spitalit për trajtim.
Dyshimet e para lidhen me një helmim të mundshëm nga ushqimi i konsumuar gjatë drekës. Burime bëjnë me dije se Akademia e Sigurisë ka një kontratë me një kompani private kateringu, e cila ofron shërbimin e ushqimit për tre vaktet ditore të studentëve.
Pas incidentit, institucionet përgjegjëse kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të verifikuar standardet e sigurisë ushqimore të kompanisë që ofron kateringun. Ndërkohë, pritet edhe rezultati i analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit të dyshuar./L.F-dritare.net