
Firence ka shkollën e vet shqip në këto 35 vjet, ku gjuha shqipe mësohet falas për të gjithë fëmijët 5-15 vjeç. Shoqata kulturore shqiptare “Adriatiku”, e krijuar rishtas në Firence dhe e shtrirë në të gjithë Toskanën hapi shkollën shqipe në qytetin e kulturës e humanizmit. Në Firence, numri i shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nënshtetas italianë apo rezidentë, është i konsiderueshëm në raport me popullsinë vendase. Siç është kontributi i tyre në jetën e qytetit dhe përditshmërinë e tij.
Shtatë mësuese të shqipes, me përvojë në mësimdhënie në Shqipëri e Itali, zhvillojnë mësimin e gjuhës e kulturës shqipe me fëmijët me origjinë shqiptare të lindur në Itali, që duan të njihen me gjuhën e prejardhjes e jo vetëm, si element identitar e pasurues i dimensionit të tyre si nënshtetas a rezidentë italianë. Njohja dhe shkëmbimi i mendësive në një Firence të hapur multikulturore është një nga qëllimet e shoqatës dhe ky hap i parë i krijimit të shkollës shqipe, si bërthamë e qendrës së gjuhës e kulturës shqipe nesër, është i rëndësishëm.
Ditën e parë të shkollës, e cila ndodhet pranë Circolo SMS Rifredi, me praninë e 25 fëmijëve të parë të regjistruar dhe një numri të konsiderueshëm të komunitetit shqiptar në Firence, institucionet italiane u përfaqësuan nga drejtuesja e Bashkisë Firenze mbi Cështjet e të Rinjve e Traditave Popullore, znj. Letizia Perini, sekretari i përgjithshëm i CGIL, z. Bernardo Marasco, Presidenti i Disktriktit 5, z. Filippo Ferraro, zv/Presidenti, z. Franco Muzzi dhe këshilltarja e aktivistja znj. Senka Majda.
Presidenti i shoqatës “Adriatiku” z. Naim Doda, hapi takimin, duke shprehur optimizmin e tij për këtë fillim e për hapat e tjerë që do të ndërmerren, për të cilët po punohet në vijimësi.
Znj. Ardita Repishti, koordinatore e shkollës shqipe “Jeronim de Rada” e njëherësh mësuese, prezantoi hapat e bërë për këtë qëllim, në bashkëpunim me bashkësinë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut në Itali e atdhe, objektivat për rritjen e shkollës e konsolidimin e saj, duke u mbështetur në punën profesionale të gjashtë mësueseve të gjuhës shqipe, Tonine Maçaj, Dafina Shima, Saimire Kopshti, Filloreta Alltari, Dafina Nine e Etleva Gjinaj.
Znj. Senka Majda, bashkëpunëtore e hershme e shoqatës dhe komunitetit shqiptar në Firence, sa i takon përfaqësimit institucional, solli përshëndetjet e drejtueses së Arsimit të Bashkisë Firence, znj. Benedetta Albanese, e cila siguroi mbështetje për mësimin e gjuhës shqipe. Nga ana e vet, znj. Majda, e angazhuar në çështje të dinjitetit të qytetarëve në një Itali multikulturore, prezantoi lëvizjet e radhës për konsolidimin e veprimtarive të komunitetit me institucionet.
Z. Bernardo Marasco, Sekretar i Përgjithshëm i CGIL në Firence, u shpreh i nderuar për pjesëmarrjen në një aktivitet të tillë, me përfaqësi të zgjeruar të shqiptarëve në Itali, si kontribues të qenësishëm të jetën ekonomike, sociale e kulturore të vendit dhe ftoi për aktivizëm sa u takon çështjeve parësore të lidhura me fatet e emigrantëve në Itali.
Z. Filippo Ferraro, President i Distriktit 5 falënderoi për një organizim të tillë dhe premtoi hapësira e mbështetje të strukturave për shqiptarët në Itali. Aktivitetet e radhës të lidhura me uljen e viteve për marrjen e nënshtetësisë dhe gëzimit të të drejtave të plota të rezidentëve, si qytetarë italianë ishin një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së tij.
Z. Franco Muzzi, nënpresident i Distriktit 5, përgëzoi për hapin e rëndësishëm të bërë dhe premtoi mbështetje për më tej.
Premtime të rëndësishme për zgjerimin e shkollës shqipe në Firence, me filiale në të gjitha distriktet, me mjedise të përshtatshme për fëmijët e të rinjtë në institute vendore në qytet, apo ambiente shkollore, u artikuluan nga drejtuesja e Sporteve, Politikave për të Rinjtë dhe Traditat Popullore e Bashkisë së Firences, znj. Letizia Perini. Znj. Perini u shpreh entuziaste për organizimin dhe e gatshme të bashkëpunojë me komuntitetin shqiptar në Firence për konsolidimin e mësimit të shqipes për shqiptaro-italianët e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Sfida e shkollës shqipe është në hapat e parë, por sigurisht mbështetet në vullnetin e mirë të të gjithë atyre që e duan dhe punojnë për të.
Shoqata kulturore “Adriatiku”, me përfaqësues të Shqipërisë, Kosovës, arbëreshë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut, - veç mësimit të gjuhës dhe njohjen me kulturën e zakonet shqiptare në realitetin multikulturor të Firences së të nesërmes, - ndërmerr organizimin e seminareve, konferencave dhe festave tradicionale e kombëtare, po ashtu kremtime me karakter kulturor të ndërsjellë që kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve mes Italisë, Shqipërisë dhe Kosovës./dritare.net
Δείτε αυτή τη δημοσίευση στο Instagram.

















