Gryka e Xhehenemit, tunelet sekrete dhe thesari i harruar i Haxhi Alisë. Ju tregoj Sazanin!
Dritare.net

10 vite në ishullin ushtarak më kanë mësuar më shumë se çdo libër historik, thotë Thanas Piro Tane, ish-mekanik dhe zëvendëskomandant baterie në Sazan nga 1967 deri në 1977. Një ishull që për shumicën duket i vogël, por që fsheh tunele, repartet sekrete dhe mistere të pazbuluara.
“Përveç grykës së Xhehenemit dhe Shpellës së Pëllumbave, nuk ka ngelur gjë që nuk e kam parë. Akustika kishte pusin e vet me ujë, i vetmi i tillë,” rrëfen Tane, duke shpjeguar se çdo cep i ishullit kishte një funksion të fshehtë.
Por intriguese është ajo që thuhet të jetë ruajtur në Grykën e Xhehenemit:
“Mendohet që aty mund të ketë thesar të ruajtur nga Haxhi Alia, busti i tij deri në 70-ën ka qenë poshtë në marinë. Nuk e di saktësisht çfarë ka mbetur, por nuk është lënë pa gjë. Ne shkonim te Gryka e Xhehenemit, bënim plazh. Aty nuk lejohesh të shposh ujë, sepse ishte repart sekret. Por edhe sot, kujt i shërben Sazani? Nuk duhet të lihet kështu,” thotë ai me merak.
Ai kujton edhe kohën e punës së përditshme, me riparimin e motorëve dhe mirëmbajtjen e centralit elektrik që siguronte dritat për ishullin:
“Unë riparoja motorët, atëherë kishte 14 deri në 16 orë drita. Edhe sot, po të më thotë dikush, unë i bëj gati ata motorë përsëri.”
Tunelet e Sazanit mbeten një tjetër mister për vizitorët e sotëm:
“Thuhet që janë më shumë se 20, por unë them se janë 23. Ne i hapëm për shefin e shtabit dhe komandën, për të strehuar dhe planifikuar situata të vështira. Disa janë akoma të fshehtë,” rrëfen Tane.
Thanas Piro Tane nuk e sheh Sazanin thjesht si një ishull, por si një arkiv të fshehtë të historisë ushtarake dhe mistereve të pazbuluara, ku çdo tunel dhe shpellë fsheh një copë të së shkuarës, dhe ndoshta, edhe një thesar të harruar./K.C/dritare.net