Groenlanda, Bordi i Paqes i Trumpit dhe Ukraina: Çfarë ndodhi në Davos!
Dritare.net

E enjtja ka qenë një ditë intensive diplomatike në Davos të Zvicrës, ku liderët botërorë janë mbledhur për Forumin Ekonomik Botëror. Në qendër të vëmendjes ishin deklaratat dhe takimet e presidentit amerikan Donald Trump, që prekën tre tema kyçe: Groenlandën, Bordin e Paqes dhe Ukrainën.
Groenlanda
Në Evropë ka pasur një ndjenjë lehtësimi pas komenteve të Trumpit, i cili dukej se tërhiqej nga ideja e mëparshme për blerjen e Groenlandës nga SHBA-të. Ai deklaroi se ekziston një “kornizë e një marrëveshjeje të ardhshme” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Megjithatë, detajet mbeten të paqarta. Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, tha se marrëveshja ndodhet në një “fazë shumë të hershme” dhe se ende po priten udhëzime konkrete. Ndërkohë, në një intervistë për Fox Business, Trump u shpreh se marrëveshja do t’i jepte SHBA-ve “qasje të plotë”, duke shtuar se “po marrim gjithçka që duam pa asnjë kosto”.
Bordi i Paqes
Trump lançoi zyrtarisht Bordin e tij të ri të Paqes gjatë një ceremonie nënshkrimi me pjesëmarrjen e disa liderëve globalë.
Fillimisht, ky bord ishte konceptuar si pjesë e planit për armëpushimin në Gaza, por Trump dhe zyrtarët e tij kanë lënë të kuptohet se ai do të ketë një rol më të gjerë, duke u marrë me çështje të ndryshme globale. Presidenti amerikan e cilësoi atë si një organ me potencial për t’u bërë “një nga institucionet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë”.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, deklaroi se Londra nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen për momentin, për shkak të shqetësimeve lidhur me pjesëmarrjen e presidentit rus Vladimir Putin. Deri tani, asnjë nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së Kina, Franca dhe Rusia nuk është zotuar për pjesëmarrje.
Ukraina
Në vijim të axhendës së tij, Trump u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Pas takimit, Zelensky deklaroi se të dy palët kanë rënë dakord për një dokument mbi garancitë e sigurisë, i cili është “i përfunduar”, por ende duhet të nënshkruhet dhe të miratohet nga parlamentet kombëtare.
Në një fjalim të fortë përpara delegatëve në Davos, Zelensky kritikoi Evropën duke thënë se ajo shpesh shmang “veprimin”, ndërsa i bëri thirrje kontinentit të bëjë më shumë për të “mbrojtur veten”./ E.P-dritare.net