
Grammy Awards 2026 u shndërruan jo vetëm në një festë muzike, por edhe në një platformë proteste kundër politikave anti-emigracion të administratës Trump. Shumë artistë, nga Justin Bieber te Carole King, u shfaqën me simbolet “anti-ICE”, ndërsa disa përdorën fjalimet e tyre për të dërguar mesazhe të forta.
Bad Bunny ishte një nga fituesit kryesorë të mbrëmjes, duke marrë tre çmime, përfshirë Albumin e Vitit, duke u bërë artisti i parë në gjuhën spanjolle që fiton këtë çmim. Në fjalën e tij, ai dënoi retorikën anti-emigracion dhe bëri thirrje për solidaritet dhe dashuri.
Kendrick Lamar hyri në histori si reperi më i vlerësuar ndonjëherë në Grammy, duke fituar 5 çmime këtë vit dhe duke çuar totalin e tij në 27 Grammy, më shumë se Jay-Z. Ai fitoi edhe çmimin për Record of the Year me këngën Luther, në bashkëpunim me SZA.
Billie Eilish, fituese e “Song of the Year”, Olivia Dean (Best New Artist) dhe Gloria Estefan iu bashkuan kritikave ndaj ICE, duke theksuar kontributin e emigrantëve dhe nevojën për humanizëm.

Lady Gaga fitoi çmime për pop vocal album dhe dance-pop, ndërsa Lola Young surprizoi duke fituar çmimin për pop solo performance, duke lënë pas emra të mëdhenj. Steven Spielberg arriti statusin EGOT pas fitores për filmin dokumentar muzikor Music for John Williams.
Në zhanre të tjera, çmime të rëndësishme fituan Jelly Roll, Chris Stapleton, Tyler Childers, ndërsa Joni Mitchell mori Grammy-n e saj të 11-të. Çmimi i parë ndonjëherë për kopertinën më të mirë të albumit shkoi për Chromakopia të Tyler, the Creator.
Trevor Noah, në moderimin e tij të fundit, e quajti ceremoninë “koncerti më i mirë që s’mund ta blesh me para”, duke mbyllur një natë të mbushur me performanca dhe homazhe emocionuese për artistë legjendarë.

Grammy 2026 u shndërrua në një platformë artistike kundër politikave të Trump, pa e përmendur gjithmonë drejtpërdrejt, por me mesazhe të qarta politike dhe sociale.
Donald Trump u përgjigj pas Grammy Awards 2026, por jo drejtpërdrejt për fjalimet kundër tij që kritikonin politikat e ICE (agjencia e emigracionit). Ai reagoi për një pjesë tjetër të ceremonisë.
Trump postoi në Truth Social pas ceremonisë duke e quajtur shfaqjen “të papërballueshme” dhe sulmoi moderatorin e ceremonisë, Trevor Noah, i cili kishte bërë batuta për të gjatë shfaqjes. Ai tha se Noah kishte bërë deklarata të gabuara dhe kërcënoi me veprime ligjore kundër tij./L.F-dritare.net