
Gjerak Karaiskaj zbulon kalimin nga arkeologjia në letërsi: Një roman për periudhën komuniste dhe postkomuniste
Dritare.net
Historiani dhe arkeologu i njohur Gjerak Karaiskaj rrëfen për herë të parë për kalimin e tij nga arkeologjia në letërsi, duke botuar një roman "Ferma e Dijes" që përmbledh përjetimet e periudhës komuniste dhe postkomuniste në Shqipëri. Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, Karaiskaj shpjegon motivet që e shtynë drejt këtij ndryshimi.
“Pas viteve ’90 ndjeva nevojën të shprehesha ndryshe për atë që kemi kaluar. Letërsia më dha lirinë për të rrëfyer më hapur dhe emocionalisht përvojat e mia dhe të kohës,” tha ai.
Duke theksuar dallimin mes shkencës dhe letërsisë, Karaiskaj shpjegoi: “Në shkencë kërkohen dokumente dhe fakte, që kufizojnë rrëfimin, ndërsa letërsia më lejoi të hyj më thellë në dimensionin njerëzor dhe ndjesor të historisë.”
Ai tregoi se kalimi nga arkeologjia në letërsi nuk ishte i lehtë, por i domosdoshëm për të shprehur plotësisht realitetin e periudhës: “Arkeologjia më mësoi rëndësinë e faktit dhe dëshmisë, por për t’u përballur me errësirat e brendshme të kohës komuniste, letërsia ishte rruga më e mirë.”/K.C/dritare.net

















