
Gazetarët që ishin në Leskovac: Çfarë na bënë serbët!
Dritare.net
Përvoja e gazetarëve shqiptarë në Leskovac ishte një histori më vete, e mbushur me tensione dhe masa të rrepta sigurie. Gazetari Tami Kona i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV tregoi një video ku ai dhe kolegët e tij shoqëroheshin nga një eskortë e fortë policore serbe që nga momenti i mbërritjes. 'Në momentin që kemi shkuar, na erdhi një polic civil,' rrëfen Kona, duke shpjeguar se autoritetet serbe kishin informacion të saktë për ardhjen e tyre.
Surpriza ishte prania e katër inspektorëve nga Policia e Shtetit Shqiptar, të cilët kishin ardhur nga Tirana për të bashkëpunuar me autoritetet lokale. Kjo dëshmon nivelin e lartë të rrezikshmërisë së ndeshjes. 'Gjithë problemi ishte kur ne me makinë me targa shqiptare udhëtonim,' tha Kona. Policia serbe u dha gazetarëve një numër kontakti për çdo emergjencë dhe i këshilloi të lëviznin sa më pak me makinë për të mos tërhequr vëmendje. Autoritetet kishin frikë se persona të kamufluar si gazetarë mund të tentonin të futeshin në stadium për të shkaktuar provokime, ndaj çdo gazetar shqiptar ishte i skeduar dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm.

















