Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fotoreporteri britanik i tregon botës Rilindjen Shqiptare!

Fotoreporteri britanik i tregon botës Rilindjen Shqiptare!

Në një fshat të vogël dhe të thellë malor në jug të Shqipërisë, historia e një kombi të tërë ka zanafillën e saj. Frashëri, vendlindja e Abdylit, Naimit dhe Samiut, vëllezër të një gjaku e një ideali, është sot një vend i shenjtë për kujtesën kombëtare. Për fotoreporterin britanik Robert Hackman, ky nuk është thjesht një udhëtim turistik. Është një përkulje para tri figurave që ëndërruan dhe vepruan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe të ndritur.

“Kur ëndrrat e këtyre tre vëllezërve dhe bashkëmendimtarëve të tyre u realizuan me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, selia qendrore e bektashinjve ndodhej ende larg, në Turqi. Por kjo po ndryshonte.”, thotë Robert Hackman në dokumentarin e DritareTV.

Në një shtëpi të madhe, që qëndron sot si muze në zemër të Frashërit, ruhen kujtimet, portretet dhe jehona e fjalëve të tyre. Hackman shikon përreth dhe ndien peshën e historisë në çdo dhomë, në çdo pikturë që, siç thotë ai, “nuk ka shpjegim, por flet vetë”.

“Ndoshta nuk ka një shpjegim për këtë pikturë, por mendoj se përfaqëson një takim të mbajtur këtu në këtë fshat nga Abdyl Frashëri, ku u prezantuan idetë e Lidhjes së Prizrenit…”, tregon udhëtari britanik.

Ai ndalet në figurën e Abdyl Frashërit, vëllait më të madh. Një burrë që dinte të fliste me forcën e arsyes, jo të urrejtjes.

“Ishte një burrë shteti i shquar, një njeri me fjalë të fuqishme që dinte të frymëzonte popullin, jo me urrejtje apo dhunë, por me dashuri, pasion dhe tolerancë., shprehet Hackman.

Vëllai i dytë, Samiu, është për Hackman një vizionar i jashtëzakonshëm. Ai përmend librin e tij të famshëm, një manifest i vërtetë kombëtar.

“Sami Frashëri shkroi një libër në ndërrim të shekujve XIX dhe XX, me titull: ‘Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet’. Ky libër ishte një manifest i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.”

Por është Naimi ai që prek më shumë shpirtin e udhëtarit britanik. Poeti i dashurisë, i unitetit dhe i paqes.

“Naim Frashëri konsiderohet poeti kombëtar i Shqipërisë. Shkrimet e tij mbi unitetin, lirinë dhe, mbi të gjitha, tolerancën, vlerësohen shumë nga shqiptarët.”, thotë Hackman.

Ai e përshkruan Naimin si një njeri të rrallë, që ndërtoi ura mes Lindjes dhe Perëndimit.

“Ishte një njeri i jashtëzakonshëm, sepse ishte ndër të paktët shkrimtarë në histori që kuptoi si Lindjen, ashtu edhe Perëndimin dhe i ndërthurte në veprën e tij. Ishte një urë mes Lindjes dhe Perëndimit.”

Në fund të rrëfimit, Hackman e sheh Frashërin jo thjesht si një vend të bukur në një malësi shqiptare. Ai e sheh si një qendër mendimi, një vullkan që shpërtheu me ide, vizione dhe shpresë. Dhe ashtu siç e thotë në heshtje, por me ndjenjë:

“Ky ishte një vend ku ëndrrat nisën. Dhe ato ëndrra, më pas, ndryshuan fatin e një kombi.”, e përmbyll rrëfimin Robert Hackman./dritare.net