
Çfarë duhet të ndryshojë në drejtshkrimin e gjuhës shqipe të ‘73-shit! Flet Linda Mëniku!
Dritare.net
Në episodin e radhës të ciklit “Gjuha shqipe” në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv ishte e ftuar profesoresha dhe pedagogia Linda Mëniku për të folur mbi problemet më të mëdha gjuhësore, drejtshkrimore që hasim sot. Akademikja u shpreh se është urgjente që të rishihen normat e drejtshkrimit ose të paktën të përditësohen ato rregulla që kanë ndryshuar, si për shkrimin e emrave apo vendeve të huaja, përdorimin e shkronjës së madhe, emërtimin e institucioneve, apo të komunave dhe bashkive.
“Në drejtshkrimin e shqipes një nga çështjet më të debatueshme është si do shkruhen emrat e vendeve apo emrat e huaj. Deri në vitin 1990 ishte e thjeshtë për t’u bërë sepse çdo emër i huaj futej bashkë me shqiptimin. Me morinë e emrave që hynë me telenovelat, librat, botimet, me lajmet ditore ishte e pamundur që të dije si do ta shqiptoje një fjalë. Gjëja më e thjeshtë për t’u bërë ishte ta shkruaje siç ishte në origjinal. Kjo vazhdon edhe sot. Pa pasur një udhëzues nuk mund të ndalohet kjo gjë. Ne kemi ende një drejtshkrim të botuar në vitin 1973. Ka pafund gjëra që duhen ndryshuar.
-Për shembull si do të shkruhen e emrat e huaj? Vetë drejtshkrimi ka dhënë një sqarim, pra që emri mund të shkruhet në origjinal në kllapa kur futet për herë të parë dhe të lakohet sipas sistemit të shqiptimit në gjuhën shqipe. Por duhet të bëhet një rishikim i normave të drejtshkrimit, të bëhet një udhëzues sepse njerëzit hasin vështirësi pafund.
-Një problem tjetër është emërtimi i institucioneve. Nëse punojmë ende me drejtshkrimin e ‘73-shit, atje presidenti, apo emërtime të larta si Papa, shkruhen me shkronjë të vogël. Emrat e festave fetare janë të shkruara me të vogël, sepse Shqipëria ishte vend ateist, nuk kishte pritshmëri të shkruheshin me shkronjë të madhe. Por bota ka ndryshuar. Në drejtshkrim ka një rregull që thotë se festat zyrtare duhen shkruar me të shkronjë të madhe. Atëherë Krishtlindjet, Pashkët, Bajrami janë festa zyrtare dhe duhen shkruar me shkronjë të madhe. Ne që merremi me këto gjëra i dimë dhe i themi, por ai që hap drejtshkrimin dhe nuk e gjen ka nevojë të orientohet. Ka ardhur koha që të ketë një përditësim, të hartohet një udhëzues në të cilin thuhet se këto rregulla kanë ndryshuar. Këto rregulla duhet të ndryshojnë sepse ai që i referohet drejtshkrimit e ka të pamundur të orientohet në këtë mori informacioni.
-Në drejtshkrimin e ‘73-shit ka pafund emra institucionesh që sot nuk ekzistojnë. Ndërkohë ka edhe pafund institucione të reja që njerëzit nuk i gjejnë në drejtshkrim. Si do të shkruhen emrat e tyre? Po flas këtu për rishtarët, nëpunësit civilë që kanë nevojë të orientohen diku. Administrata duhet të jetë në nivelin më të lartë. Ajo ka nevojë për një udhëzues drejtshkrimor.
-Një tjetër problem i madh është shkrimi i emrave të qyteteve, komunave dhe fshatrave. Me gjithë këtë ndryshim që ka marrë Shqipëria, ka shumë bashki dhe komuna që ne nuk i njohim, nuk dimë si shkruhen emra e tyre. Akademia e Shkencave e ka detyrim parësor të hartojë një listë, që të jetë në dispozicion edhe online për ta gjetur si shkruhet emri i një fshati apo qyteti që nuk e ke dëgjuar kurrë. Pa e bërë këtë gjë ne nuk mund t’i themi një gazetari pse e shkroi gabim këtë apo atë fjalë. Sepse përgjigja e tij do jetë: Ku ta gjej si shkruhet? Duhet një udhëzues ose manual i emërtimeve të të gjitha vendbanimeve në Shqipëri. Urgjente është që të rishihen normat e drejtshkrimit ose të paktën të përditësohen ato rregulla që kanë ndryshuar.”, tha Linda Mëniku për gazetaren Rudina Xhunga./K.C/dritare.net

















