
Elvis Rroshi në shënjestër të SPAK-ut. Sekuestrohet telefoni, ja çfarë iu gjet në shtëpi!
Dritare.net
Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), është sekuestruar telefoni i ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, si pjesë e një hetimi për korrupsion zgjedhor.
Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Shtetit, strukturat e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare, Forca e Posaçme Operacionale dhe oficerët e BKH-së, ekzekutuan një vendim të Gjykatës së Posaçme të datës 17 maj 2025, në funksion të procedimit penal nr. 82/2025. Ky vendim parashikonte kontroll fizik dhe në banesat e pesë shtetasve të ndryshëm.
Gjatë kontrolleve, Elvis Rroshit iu sekuestrua telefoni dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.
Gjithashtu, shtetasve Orges Sinella (38 vjeç) dhe Tak Rroshi (44 vjeç), të dy nga Kavaja, dhe Tauland Hasa (35 vjeç), nga Qerreti i Durrësit, iu sekuestruan telefonat.
Në banesën e Mirel Sinellës (37 vjeç), u sekuestrua një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.
Të gjithë këta persona dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërsa hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë në vijim./K.C/dritare.net

















