Ekspozohet për herë të parë letra e shkruar në shqip nga Nënë Tereza
Dritare.net

Për herë të parë është ekspozuar letra e shkruar nga Nënë Tereza në shqip. "Unë ia kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni and pagje mbi gjithë botën”, janë disa nga fjalët e Nënë Terezës drejtuar Ramiz Alisë në tetorin e vitit 1989.
Në moshën 79 vjeçare, pasi përmes dhembshurisë kishte marrë vlerësimin e mbarë botës perëndimore dhe një sërë çmimesh prestigjoze përfshi dhe atë Nobel, Shën Tereza shkeli për herë të parë në Tiranë, qytetin ku kaluan pjesën më të madhe të jetës e ëma dhe motra e saj. Anjezë Gonxhja e Shkupit u rikthehej territoreve ku flitej gjuha e saj amtare, të cilën edhe pse nuk e përdorte prej vitesh, e ka lënë të shënuar në një nga letrat që ekspozohen.
Tri letrat e shkëmbyera me kreun e shtetit shqiptar të asaj kohe rrëfejnë përmes fjalës së kujdesshme të hedhur në fletë fletoreje me shkrimin e vetë shënjtores shqiptare këtë udhëtim dhembshurie dhe dashurie për të varfërit, të vobektët por edhe për kombin pjesë e së cilit ishte.
Letra e plotë:
I dashur Zoti Ramiz Alia,
Ju faleminderit për letrën tuaj të ngrohtë. Të më falni që nuk ju kam shkruar gjithë këtë kohë, sepse, siç e dini, kam qënë e sëmurë. Po përpiqem të shkruaj disa rreshta në shqip pas shumë e shumë vitesh, prandaj të më falni për gabimet. “Une ja kam dhan “besën a shqiptarit, Zotit me prue dashni and pagje mbe gjithë botën” duke u dhënë dashuri të ngrohtë dhe kujdes të sëmurëve, të vetmuarve, atyre qi si duan, që ju mungon dashuria.
“Zemra jame ka ni dishir t’madhë me ardh në Shqipëni me motrat e mija e me prue ket dashni dhe kët pagje. Unë kam pa qi ju keni t’gjith punt shum mir- por zemra jeme dishron shum me ardh me motrat e mija me dhan ket dashni”.
Unë kam parë se çdo gjë eshtë bërë bukur nga njerëzit, të cilët u shërbejnë të sëmurëve dhe fëmijëve, por ende e ndiej se motrat do të jenë në gjendje të ndajnë gëzimin e të dhënit dashuri duke ofruar dashurinë e tyre të ngrohtë dhe kujdesin, siç bëjnë edhe sot në vende të ndryshme, përfshirë Rusinë, Kubën dhe shumë vende të tjera.
Isha shumë e lumtur që pashë popullin tim, që pashë varret e nënës dhe motrës sime, të cilat nuk i kam parë kurrë për 60 vjet që kur u largova nga Jugosllavia.
Tani që ju tregova për dëshirën time të thellë, ua lë juve të vendosni.
Shpresoj se ato që ju shkrova në shqip, të mund t’i kuptoni, sepse është hera e parë pas shumë e shumë vitesh që shkruaj shqip.
Po ju dërgoj zonjushën J.Petrie, personin që realizoi filmin “Nënë Tereza”, të cilin shpresoj që ta keni pare. Shpresoj dhe lutem që nga fundi i këtij viti të jem me popullin tim, në vendin tim, Shqipëri.
“Unë dot lutem shum për ju
Zoti kjoft me ju”
Nënë Tereza, Misionare Bamirësie".
Qendra për Hapje dhe Dialog ku zhvillohet ekspozita, do të qëndrojë e hapur në datën 5 shtator 2020 nga ora 09AM-09PM. Hyrja në ekspozitë është e lirë, duke respektuar rregullat mbi masave kufizuese të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë, për të parandaluar përhapjen e COVID-19./dritare.net