E plotë! Fjala e Edi Ramës për projektin e Zvërnecit!
Dritare.net
Sikundër besoj jeni në dijeni, dua të flas sot edhe për publikun, lidhur me situatën e krijuar për investimin e zonës së Zvërnecit dhe dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejte për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht, pasi panë aktin e neveritshëm të tërheqjes zvarrë të njërit prej protestuesve në Zvërnec.
Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë!
Madje ju siguroj që në vendin tuaj edhe unë po njësoj do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundërt qeverisë dhe kundër kryeministrit, sidomos!
Sepse do më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie në sytë e Policisë së shtetit tim pas një gardhi me tela e me gjemba të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë, brenda, një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë nwpwr plazhin e rrethuar e pastaj Policia të thoshte se i zvarrituri u fut vet në pronën private dhe në këtë mënyrë ta relativizonte dhunën.
Ndërkohë që, duhet t’i kishte arrestuar aty në vend, ata, që e morën zvarrë protestuesin.
Ju mirëkuptoj dhe mbase duke pasur parasysh se çfarë kam bërë kur isha në anën tjetër të barrikadës, do kisha bërë dhe më keq se ju po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po ia fal të huajve.
Madje kam vënë re se është përhapur gjithandej me shumë helm nga pas edhe legjenda se shteti po ia fal atë tokë Izraelit për të sjellë palestinezet në Zvërnec. Po të më thoshin se aty janë futur ca rusë, që në bashkëpunim me “oligarkët” shqiptarë po rrafshojnë zonën e mbrojtur dhe do ndërtojnë pallate. Po të më thoshin se ajo ishte zonë e mbrojtur dhe qeveria e hoqi nga mbrojtja për ta falur tek të huajt që do vijnë për të shkatërruar biodiversitetin e zonës, po të më thoshin se në vend të flamengove dhe të breshkave të ujit, aty do pastrohen paratë e zeza të mafies ndërkombëtare. E të tjera e të tjera, nga ato që ju kanë thënë, që pastaj i keni thënë, duke i shpërndarë dhe janë shkruar duke ngritur një dallgë zemërimi deri duke bërë thirrje për të mbrojtur atdheun në rrezik.
Pikërisht sepse unë e kuptoj shumë mirë të tërë këtë dhe e kuptoj shumë mirë dhe zemërimin tuaj, kam dy ditë që e pyes veten dhe po flas shumë hapur a duhet vërtetë tua tregoj unë tani një e nga një, anën tjetër të kësaj medaljeje me probabilitetin shumë të lartë, që ju të mos besoni dhe të vazhdoni të më ngrini mua tradhtar dhe të më ulni të korruptuar dhe të shitur sa tek të huajt dhe sa tek oligarkët?
Apo mos vallë duhet t’ju them më falni, gabuam, nuk e gjykuam mirë këtë punë, projekti do anulohet dhe ju të qetësoni, të shijoni fitoren e një kauze që e parë nga ana juaj e medaljes është vërtetë fisnike. Dhe të mendoni pastaj se vërtetë e mbrojtët Shqipërinë nga një e keqe e madhe, ndërsa unë pasi ta bëj këtë të vazhdoj të rri në karrige, të shtyj kohën e pushtetit me shijen e hidhur të një humbje të madhe për Shqipërinë. Për ju! Për fëmijët e sotëm të Shqipërisë që do jenë përfituesit nesër të këtij investimi dhe të investimeve të tjera të kësaj natyre.
Po përse duhet ta bëj unë këtë? Për pushtetin? Për karrigen? Apo për baltën që e marr në fytyrë dhe që më vjen përditë mbi të gjallët dhe të vdekurit e shtëpisë time prej vitesh nga turlilloj kundërshtarësh politik e mediatik, të cilët i kam duruar dhe i duroj pikërisht se këtë mision e mbaj ende përsipër dhe në emër të shumëkujt nga ju që më ka besuar votën dhe sot i është bashkuar zemëratës në rrjetet sociale duke më treguar me gisht mua si prurësin e një fatkeqësie të madhe kombëtare.
Çfarë më duhet mua karrigia, pushteti nëse unë duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite? Gjithë këto vite duke nisur nga Shqipëria e 2 milionë turistëve ku edhe paraardhësi im numërohej si turist sa herë hynte e dilte nga vendi për shërbime.
Të heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që të mos ketë zili askënd? Për çfarë më duhet pushteti dhe karrigia? Që të qetësoheni ju?! Dhe që pastaj nesër të vazhdoni jetën tuaj normalisht siç është e natyrshme dhe pasnesër në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm që përgatitet atje të bëhet copëtimi i radhës? Golemi i radhës? Se ju do rroni më shumë se unë dhe do shikoni se aftësia dhe kuraja për ta kthyer Shqipërinë tek Golemi është e gjallë dhe e gatshme po t’i bjerë prapë në dorë Shqipëria.
Të heq dorë nga vizioni dhe nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që nuk ka frikë të hyjë në “Ligën e Kampioneve” të turizmit global dhe të rri këtu në karrige dhe në pushtet duke bërë sikur udhëheq një vend qe trembet nga sfidat e mëdha të investimeve të kësaj ‘’lige’’, në një vend që nuk ka frikë të përballet me rritjen e vet, nuk është më Shqipëria ku nuk afrohej më asnjë investitor, është Shqipëria ku të gjithë investitorët duan të vijnë; është Shqipërua e 12 milionë turistëve; është Shqipëria që unë e kam ndarë me ju kohë më parë. Duhet të hyj tani në elitën e turizmit global me investimet të cilat sjellin konsumatorë të nivelit të lartë që i lënë paratë këtu.
Një vend që nuk ka frikë nga një projekt i jashtëzakonshëm si ky, ku partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro. Jo si ndërtues, që ndërtojnë shesin dhe ikin, si ata që kanë ndërtuar edhe pallate në Tiranë dhe pastaj ia kanë lënë banorëve që s’marrin dot hipotekën, po si pronarë të terrenit, të cilin e kanë blerë me para të mbikëqyrura në mënyrë strikte nga Agjencia jonë Kundër Pastrimit të Parave dhe nga partnerët ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me atë agjenci. Një për një, euro për euro, me bankë dhe jo nga Izraeli, që mund të ishte fare mirë dhe nga Izraeli, por nga Katari, që nuk besoj se mund të konsiderohet, nga ata që i thonë vetes myslimanë po vetëm myslimanë nuk janë, vetëm Allah dhe Kuran nuk kanë sepse bëjnë përditë krimin e ndaluar nga Kurani për të helmuar njerëzit me shpifje.
Po si mund të jem unë njëherë kundër jush dhe kundër vetes dhe si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Pyeteni veten, si ndodh kjo? Gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet ‘’tradhtari’’, u gjet ‘’shitësi’’ i atdheut, u gjet ‘’i korruptuari’’ dhe ai është kryeministri juaj!
Thënë këto dhe ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe mbase edhe emocional, por kjo është ndjesia ime sepse për mua këto janë ditë shumë të habitshme. Janë ditë të habitshme që për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’ju përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’ju kërkoj ndjesë për të ikur në katund dhe për t’ju lënë në duart që do zgjidhni vetë pastaj, për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt, por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe e dua po ashtu siç e doni dhe ju dhe t’ju udhëheq për ta përmbyllur këtë që kemi nisur bashkërisht, falë votës suaj, me të cilin ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo ku është, me të cilën i kemi dhënë vlerën që ka flamurit tonë në sytë e të huajve dhe me të cilën unë dua ta bëj Shqipërinë vendin që të ketë destinacionin më për t’u pasur zili në Mesdheun e sotëm dhe ky projekt është pjesë e kësaj përpjekjeje.
Tani zgjodha që t’ju tregoj anën tjetër të medaljes edhe me rrezikun që të mos besoni dhe po aq hapur dhe sinqerisht, sa ç’ju thashë, çfarë ju thashë deri tani, vëllazërisht.
Kur unë kam hyrë në atë zyrë, kam thënë që zyra është e imja, pushteti është juaji dhe nuk kam premtuar që s’do bëj gabime, as që nuk do bëjmë gabime, por kam premtuar vetëm një gjë: që nuk do ju tradhtoj kurrë. Nuk është vendi këtu për tua shpjeguar të gjitha arsyet e këtij premtimi, po këtu është vendi tani për t’ju treguar se si ju kanë manipuluar, se si ju kanë tërhequr duke shfrytëzuar pikërisht atdhetarinë, dëshirën për të pasur një vend të bukur, të pastër; një mjedis të mbrojtur, një vend sovran e të tjera e të tjera dhe se si ju kanë kthyer në pjesë të një kurthi që i ngrihet kësaj partie dhe mua personalisht prej ditës së parë, por që këtu, në këtë rast është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë. Unë kështu e shoh dhe dua ta ndaj me ju që kam menduar këto ditë edhe për një film, një film që na identifikoi ne përpara botës kur bota na dinte njerëz me bisht dhe jo në vitet para erës sonë, por në vitet e demokracisë. Na dinin njerëz me bisht dhe u bëmë të njohur, ne, shqiptarët dhe Shqipëria përmes filmit “Wag dhe dog’’. Rekrutohet një producent i famshëm i Hollivudit, i luajtur nga Dustin Hoffman dhe bashkë me regjisorin Robert de Niro, fabrikoi një luftë; një luftë të trilluar të Amerikës me Shqipërinë.
Si e fabrikojnë? Përmes mediave, duke përdoru teknika hollivudiane, pamje të rreme lajmesh si ajo fotografia e shpërndare gjithandej e atij gardhit të mallkuar me tela me gjemba, me atë sinjalistikën ‘’këtu është kufiri midis Izraelit dhe Shqipërisë’’, për shembull. Këngë patriotike si plot nga këngët që shoqërojnë videot përkatëse, heronj të sajuar dhe ngjarje të organizuara me shumë kujdes dhe krijojnë një krizë të madhe, pushton titujt kryesorë të mediave dhe zhvendos komplet vëmendjen e publikut që përfshihet totalisht, emocionalisht në luftë me Shqipërinë dhe bëhet i gjithi i bashkuar për të shpëtuar një ushtar amerikan që ka mbetur në vijat ku janë armiqtë, domethënë ku janë shqiptarët, ushtria shqiptare që po lufton me ushtrinë amerikane dhe konflikti i fabrikuar e kthen opinionin publik komplet aty ku donin manipulatorët. Është film! Më është kujtuar këto ditë dhe këto nuk janë gjëra që ndodhin më në filma, falë rrjeteve sociale këto ndodhin në shumë vende të botës.
Tani të kalojmë nga filmi në realitet dhe në realitetin e kësaj ane të medaljes për t’ju thënë se në cilat pika ndryshon komplet ngjarja, historia dhe pamja e këtij investimi.
Projekti ka nisur si interesim nga ana e investitorëve në vitin 2023, pra tre vjet përpara, dhe ka nisur si një interesim bashkë me Sazanin dhe qëndrimi ynë qysh në ditën e parë ka qenë: Sazani është tokë publike, ka qenë një dëshirë dhe një ambicie e kahershme edhe e qeverive të tjera dhe e kryeministrave të tjerë për ta kthyer një destinacion turistik. Ne jemi të gatshëm që të punojmë me ju dhe kini parasysh që ajo tokë nuk shitet dhe ne duam që shteti shqiptar të jetë palë, ortak shtetit shqiptar. Qeveria e kryeministrit tuaj që e keni votuar dhe që sot duke iu bashkuar zemëratës e konsideroni shitës dhe të korruptuar. Shitësit dhe të korruptuarit bënin Shqipërinë 1 euro dhe merrnin pjesë, nuk ia jepnin shtetit pjesën, po kjo është histori.
Ndërsa kemi thënë për projektin e Zvërnecit duhet të shikoni pronat dhe pronarët, pasi ne nuk kemi tokë shtet aty dhe copëza që mund të jenë shtet janë krejtësisht të papërfillshme për ambicien tuaj, kështu që merruni me pronarët, ky është fillimi, 2023-shi.
Ju e dini shumë mirë se kush janë njerëzit e interesuar se e di gjithë bota. Dhe këtu dua t'ju them diçka, bota e mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar projektin, Jared Kushner, por bota ka hesape për të larë dhe ka luftërat e veta për të bërë. Prandaj edhe projekti ka pasur qysh sapo ka dalë fjala, interesimin e të gjithë mediave amerikane dhe europiane, por me axhendë, jo për të informuar popullin e tyre se sa shumë po zhvillohet Shqipëria, po për të gjetur “gjilpëra në kashtë” dhe prandaj investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore në arkitekturë, në inxhinieri, në mjedis dhe në aspektin juridik.
Ndërkohë që, ne do t'ua tregoj hapat, administrata shqiptare, kemi mbrojtur interesin tuaj, interesin tim që është dhe juaj, interesin e vendit dhe kemi bërë detyrën jo thjesht procedurialisht, por profesionalisht dhe patriotikisht. Kam parë imazhe të projektit, kam parë pallate. Ku i keni gjetur? Ku i keni gjetur? Ato nuk kanë lidhje me projektin, projekti i vjetër, do t'ju informoj është rrëzuar dhe është rrëzuar nga administrata shqiptare dhe ju është kthyer mbrapsht dhe ju është thënë ndjesë, po ne kemi kërkesa të larta dhe duam standarde shumë të larta. Jo se ishte i keq, por ne donim më shumë, donim më shumë për ju, jo për vete, për vete si për ju.
Toka është e regjistruar në hipotekë prej shumë e shumë vitesh dhe negociatat me pronarët, transaksionet me pronarët janë një çështje mes palëve në të cilën ne as nuk kemi hyrë, as nuk ka qenë nevoja të hyjmë dhe as nuk kemi pasur asnjë interes të hyjmë. Ne jemi të fokusuar tek Sazani për të cilin akoma nuk kanë përfunduar negociatat, miqtë e mi. Dhe e dini pse s'kanë përfunduar negociatat? Se ne duam pjesën e shtetin shqiptar dhe negociohet!
Rrethimi i pronës është bërë bazuar tek leja e zhvillimit. Do t'ju them më pas që është dhënë leja e zhvillimit, e cila nuk është leje e ndërtimit, por rrethimi i pronës është një e drejtë e çdo pronari kur merr lejen e zhvillimit.
Nga ana tjetër, a ka pretendime për pronësi mbi atë territor? Për herë të parë, dje, dëgjova që aty paska një popullsi homogjene greke. Këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, ndoshta ngaqë jam injorant dhe nuk i di shumë gjëra. U mahnita nga deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, sepse ishte një akt dhune pa diskutim, por nuk ishte një akt dhune shtetërore, siç për shembull ndodh me shqiptarët në burgjet e Greqisë ose siç ka ndodhur më parë me shqiptarë edhe në rrugët e Greqisë. Ishte një akt dhune nga një roje, grup rojesh private dhe që të ngrihet shteti në këmbë dhe të nënvizojë etninë e protestuesit, kjo është diçka që sipas meje nuk i shërben marrëdhënieve tona, që janë përsëri në ditët e tyre më të mira, por këtë e futa këtu për të thënë diçka tjetër që pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata sepse ndërkohë titujt e pronësisë janë baza e çdo veprimtarie dhe jo pretendimet. Siç ndodhi dhe atje lart në Baks-Rrjoll ku toka ishte e blerë nga pronarët atje që kishin letrat. Disa të tjerë ishin pretendentë, por nuk mund të zhvillohet dot vendi nëse mbetet pezull mbi titujt e pronësisë dhe mbi pretendimet pas gjithë katrahurës që ne kemi trashëguar për fat të keq.
Ndërsa e drejta për të protestuar është një e drejtë që nuk mund të vihet në diskutim në asnjë mënyrë në këtë vend dhe është një e drejtë të cilën ne e kemi mbrojtur qysh nga dita e parë edhe me koston që të kemi në disa raste dëmtime serioze të forcave të Policisë, por sulmet politike mbi projektin nga forca të brendshme që predikojnë: ose të kthehemi në komunizëm, ose urrejtjen ndaj shteteve të tjera apo nga forca të jashtme nuk e duan këtë projekt nuk e duan, shumë e thjeshtë. Nuk e duan! Kjo është konkurrencë. Ne kemi hyrë tani në një territor shumë të ndryshëm nga ai që kemi qenë sepse ky projekt, së bashku me të tjerë, por ky, siç e ka ngritur vëmendjen globale ndaj Shqipërisë, e ngre Shqipërinë në një nivel tjetër me realizimin e vetë, totalisht.
Natyrisht që sjellja e kompanisë së sigurisë ishte e neveritshme dhe jo më pak e neveritshme ishte dhe sjellja e drejtuesve të Policisë vendore, gjë për të cilën ka pasur reagim të menjëhershëm nga ana e lidershipit të Policisë së Shtetit, qoftë me shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës dhe vendosjen nën hetim të gjithë zinxhirit, qoftë me heqjen e licencës së aktivitetit të kompanisë, pra ajo kompani nuk mund të operojë më në Republikën e Shqipërisë, qoftë me arrestimin dhe vendosje në ndjekje penale të rojeve të sigurisë, ndërkohë që nuk e di se çfarë tjetër mund të bëjë shteti dhe nuk kuptoj pse shteti duhet të jetë target në këtë rast. Nuk ka asnjë relativizim të dhunës, përkundrazi për shkak edhe të relativizimit që ju bë dhunës, në komunikatën e Policisë vendore të Vlorës, ku u tha një e pavërtetë, u bë dhe shkarkimi edhe vendosja në hetim e gjithë zinxhirit.
Tani më lejoni t’iu shpjegoj një pikë tjetër që është shumë e rëndësishme për ju dhe për mua dhe më lejoni ta nis pak nga larg, se e vërteta është gjithmonë e mërzitshme. Gënjeshtrat janë zakonisht argëtuese. Është shumë më argëtuese të shikosh një video me një pelikan që e merr përpara ekskavatori sesa të dëgjosh rrugën e legjislacionit shqiptar për zonat e mbrojtura, duke filluar nga një fakt. Ka qenë kjo shumicë parlamentare, kjo këtu, e Partisë Socialiste të Shqipërisë, ka qenë qeveria e kësaj partie dhe kam qenë unë kryeministër në mandatin tonë të parë kur kemi bërë futjen në mbrojtje të Republikës së Shqipërisë në të gjitha ato territore të kërcënuara, 2017. Por ajo që dua t’iu them si anë tjetër të medaljes, që Pishë-Poroja për të cilën flasim, nuk është një zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet edhe sipas IUCN-së kategori e pestë. Peizazh i mbrojtur dhe për shpalljen peizazh i mbrojtur dhe të gjitha detajet, ka një vendim qeverie, por ajo që është e rëndësishme të thuhet dhe që nuk ju është treguar juve, është që në 2017, këto kategori në ligjin tonë, janë të adoptuara në mënyrë të plotë dhe thelbi i sistemit tonë, të zonave të mbrojtura është praktikisht i gjithi i linjëzuar me standardet më të larta ndërkombëtare dhe në princip, sa më lart të shkohet drejt kategoritë 1 dhe 2, aq më shumë kufizohet ndërhyrja njerëzore, ndërsa kategoritë 5 dhe rasti konkret dhe 6 janë të ndërtuara mbi konceptin e bashkëjetesës së natyrës, me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Për këtë arsye, kategoria 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim, sepse ajo është një zonë ku kanë banuar njerëz dhe banojnë njerëz sot dhe gjithë ditën që flasim, por si zonë ku peizazhi, biodiversiteti dhe aktiviteti njerëzor, kanë bashkëjetuar historikisht dhe duhet të vazhdojnë të bashkëjetojnë dhe në hartën e Europës, ka jo pak laguna, shumë përafërsisht të ngjashme me këtë lagunë, që janë destinacione turistike të jashtëzakonshme dhe ku ka aktivitet të plotë ekonomik dhe social.
Në nenin 20 të ligjit, në 2017-tën përcaktohet qartësisht se peizazhi i mbrojtur është një territor ku mund të ekzistojnë deri te qendra banimi dhe aktivitete si bujqësia, turizmi, peshkimi dhe përdorime të tjera të territorit dhe specifikisht në pikën 4, të nenit 20, përcaktohet se veprimtaritë që ndryshojnë përdorimin e territorit si ndërtimet, trajtimet e ujërave të zeza, autostrada, kanale lundruese, zonat urbane dhe të ngjashme, lejohen të ushtrohen vetëm nëse subjekti që kërkon t’i kryejë këto veprimtari, pajiset me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Prandaj miqtë e mi, ne nuk kemi bërë asnjë heqje nga asgjë. Pishë-Poroja ka qenë peizazh i mbrojtur dhe është peizazh i mbrojtur.
Do vij më pas dhe te mbrojtja. Edhe diçka tjetër, është e vërtetë që në vitin 2024, ne kemi bërë një amendim të ligjit, me një kërkesë të kryebashkiakëve të vendit dhe pastaj përmes deputetëve, për një ekuilibër të drejtë mes potencialit për zhvillim të territoreve dhe mbrojtjes, sepse ligji ekzistues nuk merrte parasysh në territor realitetet e tranzicionit. Për shembull, Thethi është një realitet, është zonë e mbrojtur. Si i bëhet? Legalizimet e të gjithë ndërtimeve të vjetra, domethënë të pas diktaturës në Theth, janë bërë pikërisht me këtë ndërhyrje ligjore sepse është realitet i krijuar. Ata njerëz janë banorë, kanë ndërtuar pa leje asokohe dhe mos i ngatërrojmë me ata që u turrën të ndërtojnë pa leje kur morën vesh se të tjerat do legalizoheshin, se ato u shembën dhe do shembet kushdo që do ta bëjë prap atë punë dhe ndërhyrjet e paligjishme, të parregulluara duheshin njëkohësisht rregulluar. Njëkohësisht nga ana tjetër, peizazhi i mbrojtur Pishë Poro - Nartë, deri në vitin 2020 quhej Vjosë-Nartë, se dhe këtu është një manipulim i madh. Nuk po ndërtohet në Vjosë, nuk po shkatërrohet grykëderdhja e Vjosës, zona e këtij projekti nuk ka lidhje me zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Vjosës. Zona e Mbrojtur e Parkut Kombëtar të Vjosës e ka nivelin më të lartë të mbrojtjes dhe aty nuk mund të bëhen dot resorte.
Të vijmë pak te procesi që kanë ndjekur investitorët dhe si është qasur administrata shqiptare. Siç thashë, ata u paraqitën për herë të parë në Shqipëri në 2023, pastaj vazhduan me shtetin bisedimet për Sazanin dhe vazhduan me privatët punët e tyre. Projekti nuk u miratua në formën e paraqitur fillimisht. Aplikimin e tyre të parë ata e kanë bërë pranë Agjencisë së Zhvillimit të territorit në datën 10.9.2024, pra jemi thuajse dy vjet përpara. Dhe në mbledhjen e datës 25.9.2024 KKT e ka rrezuar projektin dhe ka kërkuar që të zvogëlohet intensiteti i ndërtimit dhe të sigurohet ruajtja e lagunës. Janë të shkruara këto, janë në proces verbale dhe projekti, gjithmonë flasim për konceptin, nuk flasim për projektin e ndërtimit, flasim vetëm për masterplanin, është miratuar vetëm pasi janë plotësuar një nga një kushtet e vendosura.
Në vitin 2024 nuk u miratua një projekt arkitektonik dhe nuk ka as sot që flasim ne dhe që juve jeni zemëruar, me të drejtë për çfarë keni dëgjuar, por tani më dëgjoni mua. Sot që flasim nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar, nuk ka, nuk ekziston, çfarë shihni neper filmat që i prodhojnë ata që duan t’ju nxisin sa më shumë duke shfrytëzuar pikërisht ndjenjën e pastër tuajën, janë të krijuara si “Wag the dog”.
Leja e masterplanit ka përcaktuar zonën zhvillimore, parametrat teknik dhe urbanistik dhe pasi u refuzua projekti, investitorët kanë angazhuar 5 studio ndërkombëtare ndër më të mirat në botë. 5, janë 5, nuk është 1.
Emre Arolat Architecture, studio e njohur për vepra në zona me karakter trashëgimie. Është K- studio. Emre Arolat nga Turqia, K- Studio nga Greqia. Është studio BIG nga Danimarka, është Kengo Kuma nga Japonia, është dhe studio Jean Nouvel nga Franca.
Bashkë me këto studio, kompania ka angazhuar një grup inxhinieresh nga më të mirët në botë dhe ka angazhuar njëkohësisht dhe inxhinierët e mjedisit që sot që po flasim, tani që flasim vazhdojnë punojnë për të paraqitur studimin mjedisor, nuk e kemi të paraqitur akoma studimin mjedisor, e kuptoni apo jo?
Domethënë lufta zhvillohet sot për sot vetëm me një gjë konkrete, me një gardh të shëmtuar, skandaloz me tela me gjemba për të cilin kompania e cila ka marrë përsipër këtu të bëjë gardhin do paguajë një gjobë të majme dhe natyrisht pastaj për atë dhunën për të cilën ajo kompania tjetër nuk do punojë më në Republikën e Shqipërisë.
Në ndërkohë, keni parë që kanë ardhur investitorët këtu, ka ardhur dhe ajo zonja në Vlorë. Nuk ka ardhur në Vlorë për të bërë pushime, nuk ka ardhur në Vorë për të bërë fotografi. Ka ardhur në Vlorë me të gjithë grupin e arkitektëve, të gjithë bashkë, inxhinierëve dhe kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë të etnologjisë, me profesorë të gjeodezisë, me profesorë të historisë këtu në Shqipëri. Profesorët janë gjallë, të cilët kanë folur për të gjitha këto aspekte dhe aty një grup i madh njerëzish ka dëgjuar, ka bërë pyetje, ka marrë shënime.
Në mars të 2026-ës, pra llogariteni nga fundi i 2024-ës, është paraqitur një projekt krejt tjetër, i rikonceptuar me një qasje tërësisht ndryshe, projektuese, zhvillimore, mjedisore dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, pra tregtarët që për emrin tim, që për llogarinë time shesin Shqipërinë nuk e kanë miratuar të gjithin ashtu siç e kanë paraqitur subjekti zhvillues, por ka vendosur kushte përsëri, të shkruara, janë me shkrim dhe kufizime konkrete për vijimin e projektit.
E para, është e shkruar. Projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me titull pronësie në Kadastër dhe në asnjë pronë tjetër të kontestuar apo që mund të rezultojë për momentin tokë shtet. Është e shkruar.
Laguna nuk preket, është e shkruar dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë, është e shkruar! Kishte marinë në versionin e parë. Edhe në të dytin. U hoq!
Dhe për marinën është kërkuar që të hartohet më pas një projekt i detajuar dhe konsultim me të gjithë autoritetet përgjegjëse për mjedisin, burimet ujore, trashëgiminë kulturore, infrastrukturën dhe vetëm pasi të jenë parë projekti tjetër në tërësi.
Nuk po ju them që investitorët thonë, “nuk e kemi pritur kurrë që në Shqipëri shteti do jetë kaq rigoroz” edhe pse ata kryesorët nga Shtetet e Bashkuara që ditën e parë që jemi takuar më kanë thënë çdo gjë sipas librit të ligjit, asgjë jashtë librit të ligjit. Nuk kemi ardhur në Shqipëri të importojmë barsoleta dhe të importojmë filma për veten, se boll kemi. Kemi ardhur në Shqipëri të bëjmë një investim për Shqipërinë, për ne dhe për Europën.
Përcaktimi i brezit mbrojtës, flas për vendimin, është i shkruar ky. Pra projekti duhet të konsiderojë dhe të respektojë një brez mbrojtës nga vija bregdetare e Lagunës, e cila do përcaktohet pas përfundimit të studimit nga studio ndërkombëtare mjedisore dhe pas koordinimit nga autoritetet përgjegjëse. Kjo distancë duhet të ruajë peizazhin natyror, cilësinë e habitatit dhe të garantojë proceset ekologjike e karakteristike të zonës. Është e shkruar. Nuk është shkruar këto ditë kur ju shkruanit se “unë po shes Shqipërinë dhe po ju tradhtoj juve”, por është e shkruar përpara kur ka ardhur kompania dhe është përballur me të gjitha vërejtjet dhe me vendimin e radhës për t’u thyer mbrapsht për të përmirësuar projektin.
Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për të siguruar zbatimin e kushteve dhe kritereve të zhvillimit brenda zonës së mbrojtur.
Leja e infrastrukturës në prill 2026 është dhënë për realizimin e rrugë kalimeve të nevojshme për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do përdoren për studimin e biodiveristetit, ujit dhe lagunës. A e kuptoni tani? Domethënë ka nevojë për rrugë kalime, për të vendosur pajisje që do bëjnë studimin e biodiversietit, të ujit, të lagunës sepse siç thashë paralelisht me arkitektët, punon një studio prestigjioze e mjedisit dhe për këtë arsye u dha leja, u bë rrethimi dhe makineritë u morën me gurë. U morën me gurë, pa kuptuar se çfarë po ndodh dhe çfarë po bëhet!
Pasuritë objekt zhvillimi janë pronë private sipas dokumentacionit pasuritë objekt zhvillimi përfshijnë vetëm prona private. Të gjitha rezultojnë në pronësi të shoqërisë Albania Land Development ndërsa struktura e pronësisë së shoqërisë, shoqëria “Albania Land Development’’ ka si ortak vetëm shoqërinë ‘’Sazan Holding’’. Tani, edhe një herë, e thashë më përpara, një çmenduri totale ajo futja e urrejtjes për hebrenjtë dhe shfrytëzimi i dhembjes së Gazës, nga ata që i thonë vetes myslimanë por janë pa din dhe pa iman, duke iu thënë shqiptarëve që ‘’po vijnë izraelitët të marrin tokën’’, ju thashë që aty janë ata që dinë dhe janë dy bashkëpronarët e kompanisë ‘’Power Holding’’ nga Katari, një nga fuqitë më të mëdha të Lindjes së Mesme; një “holding” që zotëron kompani të ndryshme dhe që portofolin e turizmit e ka ndër më të shkëlqyerit në botë
Futuni, kërkoni “Poëerholding.com’’. shkoni tek kompania “Assets’’ që është edhe pjesë prapë këtu, e regjistruar dhe do shikoni se kush po vjen në Shqipëri ‘’të shkatërrojë mjedisin, të vrasë pelikanët dhe të sjellë palestinezët’’.
Dhe po ju them dhe këtë, sot që flasim, investitorët kanë marrëveshje me “AMAN Hotel’’, “Cheval Blanc”, është brandi më ekskluziv sot i cili është në Paris, është në Venecia, do vijë dhe në Vlorë, nëse së bashku do t’ia sigurojmë mirëseardhjen; nëse do vazhdoni dhe ca ditë kështu, atëherë e dini çfarë do ndodhë? Do ndodhë tragjedia e Porto Montenegros, po në përmasa të kësaj kohe.
Porte Montenegro që bëri fatin e Malit të Zi u ndërtua nga dikush që u sorollat nëpër Shqipëri me vite dhe ‘’e hidhnin dhe e prisnin’’. Donte të bënte portin e Durrësit dhe vajti në Mal të Zi dhe sot Mali i Zi i ka pagat më të larta dhe të ardhurat për frymë, më të lartat në këtë rajon, falë atyre investimeve që nuk pati frikë t’i bëjë dhe që nuk ua vuri ‘’shqelmin në fyt’’, natyrisht investitorëve. Çfarë do zgjedhim? Do zgjedhim të rrimë ta shikojmë akoma Malin e Zi nga prapa apo do zgjedhim që të parakalojmë edhe Malin e Zi dhe të tjerët që janë të shqetësuar për këtë projekt? Si do ta bëjmë këtë zgjedhje?
Është zgjedhja juaj. Ma thoni dhe unë adaptohem se unë jam këtu me votën tuaj. Thashë dhe më parë, i duroj të gjitha ato që më thonë perversët që për fat të keq, kanë rënë të jenë kundërshtarë të kësaj partie dhe të mitë personalisht, por i duroj, jo se i pranoj. Duroj dhunë mbi kockat e tim eti, duroj dhunë mbi fytyrën e gruas sime dhe të fëmijëve të mi, po sepse mendoj që jam këtu, për ju dhe me ju. Nëse dhe ju mendoni si ata, ma thoni dhe vazhdoni më këdo tjetër që ju dëshironi. Unë këtu nuk rri të vegjetoj.
O do ta bëjmë Shqipërinë me atë vizion për të cilin më keni mbështetur, ose më thoni që keni një vizion tjetër dhe doni të shkoni me Sazo Gurin dhe me Arlindo ‘’dritëgjatin’’. Jam ok unë. Por shkoni shikoni “PowerHolding.com’’ dhe mos harroni një gjë; që nëse ne e harrojmë që rolin kryesor që kemi në këtë proces dhe rolin kryesor që kemi ne si Shqipëri dhe si shqiptarë për ta bërë Shqipërinë ashtu siç duam, është të krijojmë klimën e duhur dhe të krijojmë mikpritjen e duhur për investitorët dhe nëse këta investitorë largohen, nuk është problemi që nuk do bëhet Zvërneci, problemi është që nuk do vijë më njeri për kushedi sa kohë. Se do thonë ‘’kur edhe ata nuk e çanë dot atje, me ata s’merremi vesh’’. Këto janë të vërteta që po ua them copë sot siç i ndjej. Mendojini gjërat, mendojini.
O do zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të ekselencës, se nuk e mbarova numrin e brandeve që kanë bërë marrëveshjen. Rosewood Hotels, Mandarin Oriental, Atlantis. Altantis nuk ka ardhur në Evropë, Atlantis është vetëm në Dubai dhe më duket, mos gabohem, në Kinë. E doni ta sillni në Evropë? Silleni në Vlorë. S’doni? Nuk them pa problem se është problem shumë i madh, por unë me forcë kundër jush nuk jam i interesuar; me forcë kundër atyre që me forcë na kanë qëndruar përballë ne dhe Shqipërisë, po. Deri në fund, pa asnjë problem, por me forcë kundër jush, jo. Që t’ju shoh unë juve që të shkoni pas Berihait të Fatos Lubonjës që jeton me makthin e mafies që kur u nda nga unë, unë nuk e pranoj. Respekt për atë si person, respekt për vuajtjet e tij të mëparshme, por mafien që ai më tregon mua, ma tregon sepse është njësoj si ata që i tregonin atij armikun e popullit. Njësoj. E njëjta gjë.
Doni? Aty e keni dhe atë. Që të mos them dhe ata të tjerët që rrinë tani të fshehur se thonë ‘’ishallah tani po çohen ata që e kanë mbështetur Edi Ramën e po shkojnë pas Berihajit, se ne nuk e mundim dot’’.
Mua nuk ka nevojë të më mundni, ju miqtë e mi. Ju jo. Ju jo! Mua nuk ka nevojë të më mundni fare. Unë nuk e kam me ju betejën. Unë betejën e kam bashkë me ju dhe çfarë niveli e duam Shqipërinë, është pyetja që duhet të bëjmë përballë këtij projekti. Ndërkohë që siç ju thashë, projekti akoma nuk është dorëzuar, studimi mjedisor akoma nuk është bërë. Patjetër që do t’i shohim kur të vijnë dhe do t’i ekspozojmë, dhe do të kuptojmë të gjithë se çfarë po bëhet, por un po them që me ç’më kanë parë sytë, nga çfarë po bëjnë ata njerëz, është diçka që në Europë dhe në Mesdhe nuk është.
Po pse duhet të rrimë ne me zili dhe të shikojmë Greqinë për Costa Navarino? Costa Navarino ça ishte? Ça ishte Costa Navarino? A ishte zonë e mbrojtur apo s’ishte? Nuk e di çfarë kategorie. E keni parë çfarë është Costa Navarino sot? Krenaria e turizmit grek!
Pse duhet ne të shikojmë me zili Greqinë për Costa Navarinon apo për të tjera gjëra? Me admirim po, e shikoj Greqinë patjetër. Por me zili pse?
Pse duhet te shikojmë ne me zili Malin e ZI? Sveti Stefan ça ishte? Ça është Sveti Stefan? Monument kulture i kategorisë se parë absolut. Pse është bërë hotel, mor zotëri? Po Kroacinë pse duhet ta shikojmë ne me zili? Dubrovniku ça është? E të tjera, e të tjera.
Mund të konkurrojmë ne, duam të konkurrojmë ne me këta? Nëqoftëse nuk duam të konkurrojmë dhe duam të rrimë tek turizmi i masës me bukë me vete, që prodhojnë mbetje më shumë seç sjellin të ardhura, kjo është një zgjedhje që mund ta bëni, jo me mua, me mua jo. Turizmi i masës na është dashur në këtë fazë sepse është turizmi i ambasadorëve. Të gjithë ata janë ambasadorët tanë që shkojnë kudo dhe thonë: “Sa e bukur është Shqipëria”.
Tani ne na duhet turizmi i klasit që të na sjelli shumë para, jo për mua, jo për mua, o Fatos, jo për mua se unë jam i informuar që kur kam qenë i vogël që sado të besosh në Zot dhe më ka informuar një njeri që besonte shumë në Zot që ishte gjyshja ime, “sado të besosh në Zot, mos harro që një ditë do ikësh nga kjo botë dhe atje s’ka as “cash”, as karta krediti më pas, mësova që ekzistonin, as rroba e asgjë”. Jam i informuar unë, ashtu sikundër jam informuar nga im atë që: “E vetmja gjë që vlen është çfarë lë mbrapa për kujtim”. Unë kujtim përfundimtar, turizmin e masës nuk e lë dot si pjesë të misionit tim.
Unë dua të lë gjërat të cilat bashkë me ju t'i bëjnë të mundura dhe të jenë krenarë në gjenerata fëmijët tanë dhe të vijnë të gjithë dhe të na kenë ne zili. Pse t'i kemi ne zili ata? U shqetësuan gazetat greke se po dëmtohet mjedisi në Zvërnec! Ou? Po pagat si do i rrisim ne më shumë? Na duhet ta rrisim Prodhimin e Brendshëm apo jo? Na duhet rrisim Prodhimin e përgjithshëm kombëtar? E kemi rritur goxha, e kemi pasur më pak se 10 miliard, e kemi çuar 27, unë dua ta çojmë 35 deri në fund të dekadës. E dini sa e impakton Prodhimin e Përgjithshëm ky investim? Llogariteni vetë, ne e kemi 27 miliardë, 4 miliardë është investimi dhe nuk është vetëm vlera që krijohet nga investimi vet, po janë të gjitha ato që vijnë mbrapa. 10.000 të punësuar, jo të punësuar tek Mihali i Porto Palermos. Doni turizmin e Mihalit? Se kam dëgjuar ca që thonë mos i japim të huajve ne, le ta bëjmë vetë ata aty të aranzhohen vetë. Mihalin doni? Unë them jo! Unë them jo! Se e kemi bërë zgjedhjen, e kemi bërë zgjedhjen që të jemi aktorë në një arenë ku s'jemi vetëm. Ishim ne, vetëm ishim, e kishim të mbrojtur të gjithë bregdetin edhe nga vetja e kishim mbrojtur, madje e kishim mbrojtur dhe detin deri në një distancë të caktuar.
Po bujqësinë si do ta mbështesim, si do ta e ndihmojmë ne? E dini sa ushqim duhet për këto investime? Po ku do t'i marrin ata? Ndërkohë që shikojeni “powerholding.com”, është holding-u që ka kompaninë më të madhe të agro-ushqimit dhe biznesit në Lindjen e Mesme dhe një nga pjesët e planit është stimulimi dhe lidhja e marrëdhënieve me fermerët për të dhënë ushqimin bio të Shqipërisë, se për të marrë ushqimin e Greqisë, shkojnë në Greqi ose në Itali ose për të dhënë ushqimin bio të fermerëve tanë. E kuptoni se çfarë lloj fabrike ndërtohet atje për ekonominë tonë? Se nuk është vetëm, “do vijnë ta marrin të huajt”. Çfarë do marrin tuaj? Do marrin detin? Jo, do ta pastrojnë! Laguna është në pikë të hallit, por nuk ju intereson ambientalistëve, është në pikë të hallit, do pastrohet, prandaj po bëhet gjithë ajo punë me inxhinierë mjedisi. Do shtohen breza të tërë pemësh, rëre, ishuj të vegjël, është diçka krejt tjetër. Lëreni të mbarojnë punën! Lëreni të mbarojnë punën! Pastaj gjykoni këtu jemi prapë, s'ka problem. Nëse s'do ju pëlqejë projekti, shkoni edhe merreni me guna përmbi tela, gunat aty janë.
Dhe në fund fare dua të them që ne nuk mund ta lëmë këtë debat, të bëhet një debat për një kompani private hajvanësh të sigurisë që na morën fytyrën të gjithëve si vend në fakt, edhe pse unë nuk do isha aq i lumtur kur i shikoja ato pamje që i shpërndan bota, se për botën është bukur shumë që të na tregojë ne, “ja këta janë ata të vërtetët”, po këtë nuk e marrin parasysh këta manipulatorët tuaj.
Ky s'është debat as për kompaninë, ky s’është debat as për Shefqet Kastratin që të jemi të qartë. Fare! Ky është debat për Shqipërinë dhe për çfarë Shqipërie duam nesër dhe kaq e thjeshtë është gjëja. A e mbajmë dot sfidën e një gjëje të madhe? Patjetër që është një projekt i madh, ka risqet e veta. A jemi të gatshëm që të punojmë për këtë duke i mitiguar të gjitha risqet edhe duke bërë më të bukurën për atë vend, për vendin tonë, për popullin tonë, për fëmijët tanë. Kjo është sfida jonë dhe për këtë duhet të angazhohemi, është kollaj të bësh të kundërtën.
Nuk kemi ne asnjë luftë dhe asnjë dilemë lidhur me ata që protestojnë, me ju që po ju drejtohem gjatë gjithë kohës dhe me ju nuk kam parasysh të gjithë ata që protestojnë, s'kam parasysh Fatos Lubonjën, është hera e parë që ia përmend emrin prej shumë vitesh. Po e kam pasur mik edhe më vjen keq për të, por me thënë të drejtën më vjen keq edhe për ju që të shkoni pas tij, sepse është e pavërtetë, është tërësisht e pavërtetë, siç ju thashë, por unë ju mirëkuptoj edhe njëherë për ta mbyllur edhe unë do kisha bërë të njëjtën gjë sikur mos dija të gjitha këto gjëra që ju thashë një nga një. E mos çohet njeri të më thotë që pse nuk na e keni thënë më parë sepse e para kemi thënë që po bëhet një projekt, por nuk e kemi projektin, s'është bërë gati akoma. Nuk e kemi studimin mjedisor, s'ka ardhur akoma. Ndërkohë që Ministria e Mjedisit përpara, jo tani që ndodhën këto, por përpara ka nxjerrë dhe një urdhëresë për të bërë punën e vetë dhe për të marrë vendimin lidhur me impaktin mjedisor dhe për të dhënë të gjithë porositë e duhura në rast se investimi do të shkojë përpara. Çfarë duhet të thoshim ne përpara? Ai është një projekt privat! Për Sazanin po, kemi ne detyrë t'ju informojnë rregullisht kur të kemi informacion dhe nuk mund të bëhet një gardh shumë i shëmtuar, një akt skandaloz i një roje sigurie, “pleshti që djeg gjithë jorganin”. Kompania e mori dënimin e vet të plotë, ata që vunë telat me gjemba do ta paguajnë gjobën e tyre të plotë dhe ne duhet të vazhdojmë përpara dhe të shikojmë hap pas hapi zhvillimin e projektit.
Dhe mos e harroni asnjëherë ditën që do të më shkonte në mendje t'ju tradhtoja, do largohesha kokulur dhe nuk do rrija më këtu. Kaq, kaq kisha unë, tani ndajeni mendjen si doni të vazhdojmë?/dritare.net