
DW: S’ka ndodhur kurrë më parë. Një president amerikan nxori jashtë Shtëpisë së Bardhë liderin e një vendi tjetër!
Dritare.net
Pas skandalit në Zyrën Ovale shumë republikanë në SHBA ngrenë lart Trump, kurse demokratët janë të zemëruar. A mund të afrohen sërish SHBA e Ukraina pas grindjes?
Nuk kishte ndodhur kurrë më parë: një president amerikan fyen presidentin e një vendi tjetër në Zyrën Ovale para kamerave televizive dhe më pas e nxjerr jashtë Shtëpisë së Bardhë. “Po rrezikoni Luftën e Tretë Botërore. Dhe kjo që po bëni është mungesë e madhe respekti për këtë vend”, ngriti zërin Donald Trump në kulmin e mosmarrëveshjes. “Vendi juaj është në vështirësi të mëdha”, vazhdoi Trump, duke ia ndërprerë fjalën presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe duke shtuar se Ukraina nuk mund ta fitojë këtë luftë.
Zelensky: Grindja nuk është e mirë për të dyja palët
Zelenskyj u largua më herët nga Shtëpia e Bardhë pas grindjes. Por pavarësisht skandalit në Zyrën Ovale ai dha një intervistë për Fox News, ku theksoi, se marrëveshja e lëndëve të para, sipas përfytyrimit të SHBA nuk ishte e mjaftueshme për të nisur negociatat e paqes me Rusinë. Zelensky theksoi nevojën e garancive të sigurisë nga SHBA. “Kjo lloj grindjeje nuk është e mirë për të dyja palët”, tha Zelensky. “Por unë nuk mund ta ndryshoj qëndrimin e Ukrainës ndaj Rusisë. Ata janë vrasës për ne. Amerikanët janë miqtë tanë më të mirë, evropianët janë miqtë tanë më të mirë. Putini dhe Rusia janë armiqtë.”
Trump: Zelensky të kthehet kur të jetë gati për paqe
Para se të nisej për në Florida, ku po kalon fundjavën në Mar-a-Lago, Trump tha se Zelensky mund të kthehej sapo të ishte gati për të bërë paqe: “Ai nuk mund të qëndrojë atje dhe të thotë, Putin këtë dhe Putin atë, ai duhet të thotë, unë dua paqe, nuk dua të vazhdoj më këtë luftë”.
A ka ndonjë perspektivë pas këtij skandali? A mund të llogarisë Ukraina ende me mbështetjen e SHBA-së? A mund të flasin përsëri Trump dhe Zelensky me njëri-tjetrin? Senatori republikan Lindsey Graham dyshon për këtë pas mosmarrëveshjes në Zyrën Ovalle. Ai tha, se Zelensky u soll me mungesë respekti në Zyrën Ovale. “Nuk e di nëse do të jemi në gjendje të negociojmë përsëri me Zelenskyn”, tha Graham. Kurse republikani Mike Lawler shprehet më i përmbajtur: “Mund ta shpëtojmë këtë. Dhe duhet të shpëtohet”, tha Lawler për PBS. Sipas republikanit “dështimi do të ishte katastrofik si për Europën edhe botën e lirë.” Shumë republikanë të tjerë postuan në mediat sociale se Trump kishte demonstruar forcë kundër Zelenskyt.
Demokratët në SHBA kundër Trump
Me zemërim reaguan demokratët në SHBA. Senatori demokrat, Richard Blumenthal i tha CNN: “Ky lloj denigrimi dhe frikësimi nga presidenti dhe zëvendëspresidenti ishte i turpshëm. Ishte si një sulm në pritë.”
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio duke iu referuar reagimeve mbështetëse nga Europa për Zelenskyn pyeti në CNN: “Nëse Donald Trump vendos nesër se nuk më intereson Ukraina, nuk më intereson Rusia, nuk më intereson kjo luftë dhe kthen shpinën – kush në këtë planet ka ndonjë shans për t’i sjellë palët ndërluftuese në tryezën e negociatave? Përgjigja është: jo askush.”/DW

















