
Skype do të mbyllet, zbulohet aplikacioni që do ta zëvendësojë!
Dritare.net
Microsoft njoftoi se do të mbyllë Skype pas një periudhe 21-vjeçare, duke i dhënë fund një prej platformave më të njohura për komunikimin me mesazh dhe mbi të gjitha me video. Kompania e teknologjisë, që bleu Skype në vitin 2011, njoftoi se përdoruesit nuk do të kenë më qasje në llogaritë e tyre pas 5 majit 2025 dhe u bëri thirrje të kalojnë në aplikacionin Teams sa më shpejt të jetë e mundur.
“Skype kishte 1.95 miliardë llogari të regjistruara, por numri i përdoruesve aktivë ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit. Sipas Microsoft, në vitin 2024, Skype kishte 27.8 milionë përdorues aktivë, një rënie nga 40 milionë në vitin 2020. Teams, platforma e cila është publikuar në vitin 2017, është tashmë një konkurrent kryesor për Skype, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, kur aplikacione si Zoom dhe Teams fituan popullaritet të madh.
Microsoft ka theksuar se Teams do të plotësojë nevojat e përdoruesve të Skype për thirrje, mesazhe dhe shpërndarje dokumentesh, duke ofruar funksionalitete të ngjashme me ato të Skype. Përdoruesit mund të kalojnë në Teams duke përdorur llogaritë e Skype dhe mund të eksportojnë të dhënat e Skype deri më 5 maj.
Për shkak të rënies së përdoruesve dhe rritjes së popullaritetit të Teams, Microsoft ka vendosur që të fokusohet plotësisht në zhvillimin e kësaj platforme. Jeff Teper, president i aplikacioneve dhe platformave të bashkëpunimit Microsoft 365, tha se kalimi në Teams është një hap që do të mundësojë inovacion më të shpejtë dhe do ta bëjë më të thjeshtë për përdoruesit.
Skype ka pasur një ndikim të madh gjatë dekadës së parë, duke i mundësuar përdoruesve të flisnin falas pa paguar për kompani telefonike. Por, me kalimin e kohës dhe rritjen e përdorimit të pajisjeve mobile, platforma ka humbur terren, duke lënë vend për aplikacione më të reja si Teams dhe Zoom. /E.P-dritare.net

















