
Pas takimit me Zelenskyn, Trump mund të ndalojë ndihmat për Ukrainën!
Dritare.net
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është duke konsideruar ndalimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën, ka raportuar "Washington Post" nga burime brenda Shtëpisë së Bardhë.
Ky vendim do të aplikohej në armatime me miliarda dollarë vlerë, që përfshijnë radarë, autoblinda, municione dhe raketa që po presin të shkojnë në Ukrainë.
Ky qëndrim erdhi si pasojë e përplasjes së të premtes në Shtëpinë e Bardhë, gjatë takimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Zyrën Ovale, rreth marrëveshjes së paqes për luftën në Ukrainë.
Zelensky u përball me një retorikë të fortë përpara mediave të premten, pasi presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance kërkuan që ai të tregonte më shumë mirënjohje për mbështetjen e SHBA-së.
Presidenti ukrainas iu kundërvu sugjerimit të partnerëve të tij më të fuqishëm se ai duhet të punonte më shumë për t’u pajtuar për një marrëveshje armëpushimi me Vladimir Putinin, presidentin rus. Miqtë amerikanë u përgjigjën se ai po tregohej “i parespektueshëm”.
Në ndërkohë Zelenskyt iu tha që të largohej nga Shtëpia e Bardhë disa orë para se ai dhe Trump të mund të dilnin në një konferencë të planifikuar./E.P-dritare.net

















