Betohet Skënder Hita: Po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian
Dritare.net
Skënder Hita është betuar sot si drejtor i ri i Policia e Shtetit, duke nisur zyrtarisht një mandat 5-vjeçar në krye të institucionit të rendit.
Emërimi i tij u bë një ditë më parë me vendim të qeverisë, pas propozimit të ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari. Hita zëvendëson në këtë detyrë Ilir Proda, i cili u shkarkua nga posti.
Në fjalën e tij të parë si drejtues, Hita e cilësoi këtë detyrë jo si një arritje personale, por si një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe vetë institucionit të policisë.
“Pas një rrugëtimi 25-vjeçar në shërbim të qytetarëve, kam nderin të marr këtë përgjegjësi. Nuk e shoh si sukses personal, por si detyrim për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit,” u shpreh ai.
Drejtori i ri falënderoi qeverinë për besimin, ndërsa vlerësoi punën e efektivëve të policisë, duke shprehur respekt për dëshmorët dhe veteranët e institucionit.
Prioritetet kryesore
Në vijim të fjalës së tij, Hita prezantoi edhe prioritetet që do të udhëheqin punën e Policisë së Shtetit gjatë mandatit të tij:
Luftë pa kompromis kundër korrupsionit, duke nisur nga vetë radhët e policisë
Rritja e sigurisë për qytetarët dhe në veçanti në shkolla
Forcimi i rendit dhe sigurisë publike
Modernizimi i Policisë së Shtetit
Rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale
Mbështetje dhe motivim për punonjësit e policisë
Forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë
Ai theksoi se synimi është ndërtimi i një policie moderne, në përputhje me standardet evropiane.
“Po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian,” përfundoi Hita./L.F-dritare.net