Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Betohen në Presidencë ministrat e rinj të qeverisë

Betohen në Presidencë ministrat e rinj të qeverisë

Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar u betuan sot në Presidencë, pasi më herët morën votëbesimin në Kuvend. Ndryshimet në qeveri përfshijnë disa poste kyçe, duke sjellë emra të rinj në kabinet.

Ferit Hoxha merr detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke zëvendësuar Elisa Spiropali. Ndërkohë, Enea Karakaçi emërohet ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë në vend të Belinda Balluku, ndërsa Ermal Nufi merr postin e ministrit të Mbrojtjes, duke zëvendësuar Pirro Vengu.

Gjithashtu, Eriona Ismaili emërohet ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke zëvendësuar Toni Gogu.

Hoxha, Karakaçi dhe Nufi, që i bashkohen për herë të parë kabinetit qeveritar, e ndoqën votimin nga lozhat e Kuvendit.

Kuvendi votoi gjithashtu për emërimin e Albana Koçiu në postin e zëvendëskryeministres, ndërsa Toni Gogu u emërua ministër i Drejtësisë dhe Besfort Lamallari ministër i Brendshëm. Votës së deputetëve socialistë iu bashkuan edhe votat e deputetëve të Partia Social-Demokrate.

Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe shkarkimet e ministrave të mëparshëm. Dekreti për largimin e Belinda Balluku mori shumicën më të madhe të votave, me 85 vota pro. Ministrat e rinj pritet të nisin zyrtarisht detyrën pas betimit në Presidencë./L.F-dritare.net