Berisha-Salianji, "hidh e prit" për lidhjet me krimin!
Dritare.net

Tensionet në Partinë Demokratike janë përshkallëzuar ndjeshëm në prag të zgjedhjeve të brendshme të 23 majit, ku Sali Berisha dhe Ervin Salianji janë përfshirë në një shkëmbim të fortë akuzash publike.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha deklaroi se Salianji ka lidhje me persona të botës së krimit, duke përmendur emra të njohur dhe akuza për takime me figura të përfshira në çështje penale. Ai foli gjithashtu për ndikim të elementëve kriminalë në aktivitetin politik dhe strukturat e partisë.
"Verën e kaloi me Ergys Agasin në dreka dhe darka. Në një kohë kur unë Ergys Agasin e kisha sulmuar me qindra herë si koordinator i karteleve të drogës. Në Elbasan, sallën ia mbushi Suel Çela. Këtu je i përjashtuar, i thashë. Kjo është vija e kuqe. Krimi s'do mund kurrë dot këtë parti. Ervin Salianji nuk po merrem këtu në drekat dhe darkat me Oltion Bistrin në burg dhe Pëllumb Gjokën, sepse banorë të burgut janë", tha Berisha.
Në përgjigje, Salianji reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke i cilësuar akuzat si politike dhe të motivuara nga gara e brendshme në PD. Ai hodhi poshtë pretendimet për lidhje me persona të inkriminuar dhe akuzoi Berishën për përdorim të narrativave për të shmangur përgjegjësinë politike.
"Sa për Gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim. Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime", u përgjigj Salianji.
Konflikti verbal mes dy figurave të rëndësishme të PD-së u shoqërua me akuza të ndërsjella edhe për bashkëpunime të mundshme politike, përfshirë referenca ndaj qeverisë.
Përplasja vjen në një moment vendimtar për opozitën, teksa gara e brendshme në PD pritet të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të partisë./L.F-dritare.net