
Bardhi në Elbasan: Luçiano Boçi, kandidat i Ilir Metës!
Dritare.net
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi ka zhvilluar një takim në qytetin e Elbasanit. Diskutimet e zhvilluara i bëri të ditura në një postim në facebook, në të cilin e cilësoi Luçiano Boçin si kandidat të Ilir Metës. Gjithashtu ai i tha qytetarëve se shumë herë i kanë dhënë pushtet Ilir Metës dhe ky i fundit vetëm u ka kthyer kurrizin.
“Sot në takimin me strukturat e Partisë Demokratike Elbasan i falenderova që u bënë pjesë e zgjidhjes, duke mos e copëzuar alternativën e opozitës në zgjedhjet e 14 Majit. 16 vjet keqqeverisje në Bashkinë Elbasan nga Partia Socialiste janë një thirrje zemre për ndryshim. Elbasani meriton më të mirën dhe duhet ti ofrohet më e mira.
Për këtë ne kemi paraqitur një listë të shkëlqyer për Këshillin Bashkiak Elbasan, me gra e burra, djem e vajza, që e duan Elbasanin dhe qytetarët e saj. Lista e kandidatëve për Këshillin Bashkiak kryesohet nga Kryetari i Partisë Demokratike Dega Elbasan z. Eugen Isaj, një administrator lokal i provuar, me integritet dhe përkushtim profesional e qytetar për Elbasanin.
Të tillë janë të 51 kandidatët e listës së PD për Këshillin Bashkiak, duke ofruar modelin më të mirë për qytetarët e Elbasanit. Ne jemi aty ku kemi qenë në 32 vjet, në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Kemi qenë dhe do të mbetemi përjetë demokratë. Në 2023 nuk mund të përsërisim gabimet e të shkuarës. Të gjithë e mbani mend se sa herë i kemi dhënë pushtet të pa merituar me votën e demokratëve Ilir Metës, na ka kthyer kurrizin dhe e ka përdorur për të fuqizuar, sjell apo mbajtur në pushtet Edi Ramën. Për këtë arsye, në 14 Maj, votoni Partinë Demokratike, votoni nr. 9, votoni listën e këshilltarëve të Partisë Demokratike. Kjo nuk është koha që me votën e demokratëve të fuqizohen parti të tjera, përfshirë partinë e Ilir Metës. Kjo është koha për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të siguruar të ardhmen e saj”, shkruan Bardhi./A.ZH-dritare.net

















