Alarmi për motin ekstrem. Masat dhe zonat më të rrezikuara!
Dritare.net

Në një mbledhje urgjente të zhvilluar në sallën operacionale të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, autoritetet më të larta shtetërore prezantuan planin e posaçëm të masave për përballimin e një situate të rënduar moti që pritet të godasë vendin duke nisur nga nata e 18 nëntorit. Sipas parashikimeve meteorologjike, Shqipëria do të përfshihet nga reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe një intensitet i shtuar prurjesh në disa prej lumenjve kryesorë.
Front atmosferik i rrezikshëm, veçanërisht në veri
Reshjet, të cilat pritet të kapërcejnë 30 mm dhe të zgjasin deri në 48 orë, do të jenë më intensive në zonat veriore dhe verilindore, ndërsa pas datës 19 moti i keq do të shtrihet në juglindje dhe jug të vendit. Fushë-Shkodra mbetet një nga zonat me vëmendjen më të madhe, për shkak të historikut të përmbytjeve dhe rrezikut nga prurjet e shumta.
Zëvendëskryeministrja njoftoi se KESH ka nisur prej 11 nëntorit uljen e kontrolluar të niveleve në basenet e Komanit dhe Vaut të Dejës për të krijuar volume të lira uji, me qëllim menaxhimin më të mirë të kaskadës dhe shmangien e hapjes së portave në rast maksimalizimi të prurjeve.
Mbrojtja Civile: Strukturat në gatishmëri të plotë
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se të gjitha strukturat po punojnë me kapacitete të plota dhe janë të mobilizuara për çdo skenar. “Nga Forcat e Armatosura e Policia e Shtetit, deri te zjarrfikësit, të gjitha strukturat janë të gatshme. Nëse do të jetë e nevojshme, jemi të përgatitur edhe për evakuimin e banorëve,” u shpreh ai.
Bashkitë dhe prefekturat në zonat e rrezikuara kanë rifreskuar planet e emergjencave, ndërsa ekipet e terrenit janë vënë në koordinim të pandërprerë me qendrën operacionale.
Mbështetje e shtuar nga Ministria e Mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes konfirmoi se Forcat e Armatosura kanë dislokuar mjete të kalueshmërisë së lartë dhe personel të specializuar, sidomos në bashkinë e Vaut të Dejës, një nga zonat potencialisht më problematike. “Asnjë bashki nuk do të lihet vetëm përballë këtij rreziku. Koordinimi në kohë reale është vendimtar,” theksoi ai.
Bujqësia në alarm maksimal
Ministri i Bujqësisë raportoi se boret e kullimit në qarqet Lezhë, Shkodër dhe Fier janë në gatishmëri të plotë. Janë angazhuar dhjetëra ekskavatorë, ekipe teknike dhe personel monitorues në hidrovore e kolektorët kryesorë.
“Rrjetet kulluese janë pastruar, shtabet e emergjencës janë ngritur, dhe jemi duke monitoruar çdo centimetër të infrastrukturës për të shmangur bllokimet,” tha ministri.
Në mbledhje u theksua se parashikimet e motit janë dinamike dhe kërkojnë reagim të shpejtë e të koordinuar mes institucioneve si OSHEE, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Autoriteti i Aviacionit Civil. Autoritetet i bënë thirrje qytetarëve të zonave të ekspozuara ndaj përmbytjeve që të ndjekin me kujdes njoftimet dhe udhëzimet zyrtare.
Me strukturat në gatishmëri të plotë dhe masat e marra që në fazë paraprake, vendi synon të minimizojë pasojat e një prej episodeve më problematike të motit të këtij sezoni./L.F-dritare.net