Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Aksioni ndaj grupit të Hajrullës/ Kush janë efektivët e arrestuar sot!

Aksioni ndaj grupit të Hajrullës/ Kush janë efektivët e

Një nga grupet kriminale më të fuqishme në Vlorë, që ka dominuar vitet e fundit por shpesh ka qenë edhe objekt sulmesh, këtë herë është vënë në shënjestër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), të mbështetur nga Policia e Shtetit dhe forcat e policisë së Vlorës, zhvilluan një operacion në zonën e Ujit të Ftohtë. Autoritetet zbarkuan me urdhërarreste për Ines Hajrullën dhe anëtarë të tjerë të grupit të tij kriminal.

Operacioni është bazuar në prova të siguruara nga zbërthimi i komunikimeve në platformën e koduar SkyECC. Sipas burimeve hetimore, nga këto komunikime dhe nga kryqëzimi me prova të tjera, Prokuroria e Posaçme dyshon se grupi është i përfshirë në dy vrasje, si edhe në disa episode të trafikut të lëndëve narkotike.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lëshuar 8 urdhër-arreste. Mes personave të shpallur në kërkim janë Ines Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, të cilët nuk janë gjetur nga autoritetet. Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, Flodian Plaku, e ka marrë masën e sigurisë në paraburgim, pasi ndodhet i arrestuar që nga gushti i vitit 2025 për vrasjen e Gentian Bejtes.

Tre persona të tjerë rezultojnë të arrestuar jashtë vendit për vepra të tjera penale.

Si në shumë operacione të tjera kundër krimit të organizuar, edhe në këtë rast nuk mungon dyshimi për përfshirje të efektivëve të policisë. Në pranga ka rënë ish-polici Hamëz Demushi, i arrestuar në Zvicër, si edhe Rezart Kuçi, i cili më herët ka shërbyer në Vlorë si shef i krimeve. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Trafik të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve, ky grup kriminal dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Gentian Qarrit, e ndodhur pesë vite më parë në Vlorë. 40-vjeçari u qëllua për vdekje me armë zjarri më 6 shkurt 2021, teksa po lëvizte në këmbë në orët e pasdites.

Një tjetër ngjarje e rëndë për të cilën dyshohet përfshirja e këtij grupi është vrasja e Bledar Briçajt në vitin 2021 në Vlorë. Ai u ekzekutua me armë automatike teksa po lëvizte me automjet./K.C/dritare.net