
Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel në bashkëpunim me ambasadën italiane në Tiranë, organizoi sot hapjen e ekspozitës "I Veggenti" nga artistët Andrea Anastasio dhe Patrick Tuttofuoco, kuruar nga Davide Quadrio dhe Ajola Xoxa.
Duke ardhur prej brezash dhe praktikash artistike të ndryshme, Tuttofuoco dhe Anastasio kanë pranuar ftesën për të punuar më vete, por njëkohësisht së bashku, në një projekt specifik në Tiranë, në të cilin reflektimi mbi kulturën dhe historinë e ndërlikuar të Shqipërisë do të mund të takohet me ndjeshmërinë e tyre artistike.
Patrick Tuttofuoco punon prej dhjetëra vitesh në sferën publike, duke krijuar punë që lidhin vendet historike të zonës me pop kulturën bashkëkohore: instalacione monumentale, duke përfshirë arkitekturën, krijime enigmatike dhe totemike që i dhurojnë publikut emocione shumëngjyrëshe dhe të mprehta.
Andrea Anastasio është një autor i cili punon me mediume të ndryshme në fushën e dizajn-it, arkitekturës dhe artit pamor. Të gjitha punët e tij karakterizohen prej nënkuptimesh filozofike dhe shpesh kanë një natyrë performuese: Anastasio ndërhyn me materialin dhe me arketipet e fshehura, duke krijuar përherë truke vizuale të reja që sjellin efekte emocionale komplekse.
Ekspozita “I VEGGENTI” është pritur mirë nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, Z. Fabrizio Bucci, dhe shënjon një kapitull të ri në marrëdhënien kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë.
“Ky projekt vendos një bashkëpunim të ri në artin bashkëkohor midis dy vendeve tona. Një rrugëtim zbulimi, krijimtarie dhe bashkëndarjeje, sjellë në Shqipëri nga dy artistë të mëdhenj italianë. Punimet e tyre, të rrëfyera nga përvoja njëzetvjeçare e Davide Quadrio dhe të realizuara falë bashkëpunimit të frytshëm me Harabel, jam i sigurt se do të ndihmojnë për të forcuar vlerën e artit publik në Tiranë dhe për të paraqitur në një mënyrë të re lidhjen midis historisë, mitologjisë dhe bashkëkohësisë shqiptare”, shpjegon ambasadori Bucci.
“Harabel e konsideron “I VEGGENTI” jo vetëm si një mundësi për të prezantuar para publikut shqiptar mendimin artistik provokues dhe ironik, të sjellë nga artistët Patrick Tuttofuoco dhe Andrea Anastasio përmes një ekspozite të ngritur në një vilë të vjetër, që shërbeu si shtëpi e nomenklaturës komuniste para vitit 1991, por edhe një ndërhyrje të freskët dhe tunduese në qytet, që do të lërë pas jehonën e saj përmes dy instalimeve të artit publik, të cilat do të ekspozohen përgjithmonë”, thotë Ajola Xoxa, themeluese e Harabel dhe bashkëkuratore e ekspozitës.
“Capo d’Arte, një shoqatë kulturore jofitimprurëse në Salento e angazhuar në përhapjen e artit bashkëkohor, është krenare që promovon një projekt për të rritur ndërgjegjësimin mbi përsosmërinë e artit bashkëkohor italian jashtë vendit, duke na lejuar kështu të shohim peizazhe artistike të panjohura dhe të eksplorojmë botë të ndryshme krijuese në dy vende aq afër sa Shqipëria dhe Italia “, thotë Francesca Bonomo, themeluese e Capo d’Arte.
“Ardhja nga Italia dhe takimi me një kulturë kaq të pasur dhe shumështresëshe, që ka aq shumë për t’i dhënë anës tjetër të detit Adriatik, ishte një udhëtim me të vërtetë i papritur dhe një zbulim që hap një rrugë afatgjatë të kërkimit dhe bashkëpunimit”, tha Davide Quadrio, bashkëkurator i ekspozitës dhe themelues i Arthub./M.T/dritare.net

















