
Abdyl Koprëncka: Si u zhduk nga historia gjyshi im, firmëtari i Pavarësisë!
Dritare.net
Në një rrëfim në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV, Abdyl Bej Koprëncka, i ardhur posaçërisht nga SHBA pas më shumë se 34 vitesh emigrim, solli për herë të parë dëshmi personale për gjyshin e tij, një nga 40 firmëtarët e aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, Xhelal Bej Koprënckën.
"Xhelal Bej Koprëncka është gjyshi im. Unë jam djali i doktor Ali Koprënckës, i biri i tij.", tregoi Abdyl Koprëncka, duke theksuar origjinën dhe lidhjen familjare me një prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Kush ishte Xhelal Bej Koprëncka?
Sipas dëshmive të Abdylit, Xhelal Bej Koprëncka ishte ndër 40 burrat që më 28 nëntor 1912 hodhën firmën në Proklamatën e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai përfaqësonte zonën e Skraparit dhe u zgjodh një nga 18 senatorët e Kuvendit të Vlorës.
"Gjyshi im studioi në Turqi, në Robert Kolegj në Stamboll. Ishte oficer i lartë në ushtrinë osmane me gradën gjeneral dhe me qendër në Janinë.", tregoi Abdyl Koprëncka.
Më pas, Xhelal Beu la karrierën ushtarake në Perandorinë Osmane dhe iu bashkua lëvizjes për pavarësi. Pas shpalljes së pavarësisë, ai mori detyrën e zëvendësministrit të Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit.
"Ishte përgjegjës për mbrojtjen e kufirit në juglindje nga grekët. Poziciononte trupat, kujdesej që ata të mos hynin në territorin shqiptar për të kryer krime.", tha Abdyl Koprëncka.
Më 21 tetor 1919, ai u vra në një pritë në Qafën e Martës, teksa drejtonte 35 burra për të mbrojtur kufijtë e rrezikuar të Shqipërisë pas largimit të trupave franceze nga Korça.
"E qëlluan me një plumb në kokë. Ai që e vrau quhej Syrja Guri dhe më pas u strehua në Selanik.", u shpreh Abdyl Koprëncka. Ai shtoi se kishte shumë dyshime mbi autorësinë e atentatit: "Ka mundësi të kenë qenë grekët ose vetë Esat Pashë Toptani. Gjyshi im i luftoi grekët deri në fund."
Pas vrasjes, familja Koprëncka u godit rëndë nga regjimet që pasuan. Gjatë regjimit komunist, emri dhe firma e Xhelal Beut u zhdukën nga dokumentet zyrtare.
"Firma e gjyshit në Proklamatën e Pavarësisë u fshi. Nuk ekzistonte më në dokumentet që përdorte zyrtarisht regjimi.", tregoi ai.
Abdyl Koprëncka kujtoi se familja e tij u përndoq rëndë gjatë regjimit komunist:
"Të gjithë pjesëtarët e familjes u burgosën, u shpërngulën. Njëri nga nipërit, që kishte marrë emrin e gjyshit, Xhelal Koprëncka u pushkatua në vitet ’70 si armik i popullit."
Në fund të intervistës, Abdyl Koprëncka shprehu emocionin dhe dhimbjen për fshirjen e gjyshit të tij nga historia:
"Më vjen mirë që sot mund të flas për të. Gjyshi im nuk ishte kriminel. Ishte patriot. Dhe është koha që historia e tij të njihet."/K.C/dritare.net

















