Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A mund të vetëmbrohen Kosova dhe Shqipëria në rast lufte! Flet Dritan Goxhaj

A mund të vetëmbrohen Kosova dhe Shqipëria në rast lufte!

Ish-ushtaraku i UÇK-së Dritan Goxhaj ishte sot i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV. Ai foli për skenarët e mundshëm të luftës në Ballkan, në rast se Rusia pushton komplet Ukrainën. I pyetur nga gazetari Dritan Hila nëse Kosova ka kapacitete luftarake për t’i dalë zot vetes në rast lufte, zoti Goxhaj tha se nuk ka, as Kosova dhe as Shqipëria. Sipas Goxhajt, edhe Serbia nuk ka forca të mjaftueshme për të pushtuar Kosovën, por me ato 30 mijë që ka mund të marrë vetëm dy qytete në veri. Ish-ushtaraku thotë se në rast se forcat ushtarake serbe mësyjnë në Kosovë, do të ndërhyjnë edhe forcat ushtarake nga Shqipëria. Madje ai beson fort që do të ketë edhe shumë vullnetarë, kryesisht të rinj nga Shqipëria që i bashkohen luftës në Kosovë.

Dritan Goxhaj: Kosova nuk ka kapacitete që t’i dalë zot vetes. As Shqipëria nuk ka. Niveli i forcave ushtarake si në Kosovë dhe Shqipëri është pothuajse i njëjtë. Një diferencë prej 1500 forcash nuk ndryshon asgjë. Nuk ka kapacitete mbrojtëse, nuk ka struktura për të bërë mbrojtje në disa nivele. Ajo që është më e prekshme në Kosovë është që ajo nuk ka forca të armatosura. Nëse ke këto forca do të thotë që ke të gjitha shërbimet dhe armët. Edhe neve në Shqipëri pavarësisht se i kemi në letër forcat e armatosura nuk i kemi në realitet të gjitha shërbimet dhe armët që kërkojnë ato. Prandaj është e pamundur që Kosova ta mbrojë vetveten. E vetmja struktë që mund ta mbrojë është NATO-ja. Nëse nuk është NATO-ja nuk mbrohet vetë sepse nuk ka kapacitete ushtarake.
Dritan Hila: Në një përplasje me Serbinë, kjo e fundit është e kompletuar si ushtri?
Dritan Goxhaj: Po është e kompletuar si ushtri. Serbia ka bërë një reformim total të ushtrisë së saj që pas vitit 2005. Pas përfundimit të luftës në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc në 2001-shin, më mbrapa ata bënë strukturimin e forcave ushtarake dhe në 2012-ën e përfunduan. Nisën që nga shtabi i përgjithshëm, akademitë ushtarake, deri në njësitë me të vogla që posedojnë. Janë pajisur me armatime sepse edhe vetë si shtet kanë një industri të madhe armatimi. Janë dhe eksportues armatimesh. Po ashtu kanë blerë armatime nga të gjitha vendet. Serbia ka ndjekur të njëjtën politikë që ndoqi Jugosllavia e Titos. Pra bleu armatim dhe mori ku të mundte dhe kush t’i jepte për arsye se vazhdon të jetë mes vendeve të paangazhuara.
Dritan Hila: Ka një ushtri prej rreth 30 mijë vetash. Është e mjaftueshme që të pushtojë Kosovën?
Dritan Goxhaj: Jo nuk është e mjaftueshme të pushtojë një territor si Kosova. 30 mijë forca janë të mjaftueshme për të marrë një ose dy qytete veriore që ajo pretendon. Duke shfrytëzuar edhe terrenin sepse kemi të bëjmë me terren malor, të pyllëzuar, të thyer. Shfrytëzimi i këtij terreni do t’u jepte përparësi forcave ushtarake që të zbarkojnë në veri. Përveç 30 mijë forcave, Serbia ka edhe 50 mijë rezervistë. Edhe po nuk qe NATO-ja, forcat serbe nuk mund ta kalojnë Lumin e Ibrit sepse do të kemi një angazhim të popullatës civile në krahun këtej. Unë mendoj se në një rast të tillë do të kemi një angazhim edhe të forcave ushtarake të Shqipërisë dhe vullnetarëve të ndryshëm. Kësaj radhe jo si në 1999-ën, por do jetë jenë me mijëra. Në 1999-ën ishte vetëm një grusht i vogël që nuk e kalonte 140 veta. Unë mendoj se do të kemi vullnetarë në rast lufte. Do të ketë shumë rini. Vullnetarët nga Republika e Shqipërisë kanë eksperiencë ushtarake ndryshe nga ata në Kosovë, sepse kanë bërë shërbim ushtarak, kanë bërë zbor dhe kështu kanë njohuri. Ne vetëm oficerë në lirim kemi rreth 9000 vetë. Në rast se vetëm 1000 prej tyre angazhohen dhe shkojnë në Kosovë dhe të merren me trajnimin dhe krijimin e njësiteve të para, kjo do sillte një ngritje të madhe për Kosovën për një kohë të shkurtër./K.C/dritare.net