Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A ka Shqipëria nevojë për një Ministri të Mirëqenies Sociale?

A ka Shqipëria nevojë për një Ministri të

Nisur nga tregimi i Rudina Xhungës, në lidhje me pamundësinë e Ministrisë së Shëndetësisë për të përballuar edhe Mirëqenien Sociale, Dritare TV ka bërë një vëzhgim krahasues: Çfarë ndodh rreth nesh?

Në shumë vende europiane, mirëqenia sociale është themeli i kontratës mes shtetit dhe qytetarëve. Është garancia që askush nuk mbetet pas, pavarësisht kushteve të lindjes, moshës, shëndetit apo fatit në jetë. Në Shqipëri, ky koncept ende funksionon më shumë si ndihmë për të varfrit, e jo si një sistem që promovon dinjitetin, barazinë dhe integrimin.

Aktualisht, mirëqenia sociale në Shqipëri është pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Një strukturë e gjerë, por me përgjegjësi të shpërndara dhe burime të kufizuara.
Si pasojë, çështje kyçe si ndihma ekonomike, mbrojtja për grupet vulnerabël, pensionet minimale apo integrimi në tregun e punës, trajtohen në mënyrë fragmentare, me mungesë fokusi dhe vizioni afatgjatë.

Po në vendet e tjera?

Gjermania ka një Ministri të Punës dhe Çështjeve Sociale që menaxhon pensionet, punësimin dhe mbrojtjen sociale. Franca e ka bashkuar mirëqenien me shëndetësinë nën Ministrinë e Solidaritetit, ndërsa Italia ka një ministër të posaçëm për Politikat Sociale. Në Britaninë e Madhe, një nga dikasteret më të mëdha është Departamenti për Punë dhe Pensione. Këto vende nuk e shohin mirëqenien si një temë dytësore, por si themelin e një shoqërie funksionale.

Çfarë mund të bëhej me mire ne Shqipëri?

Shqipëria ka nevojë për një Ministri të Mirëqenies Sociale dhe Punës, me kompetenca të qarta dhe buxhet të dedikuar. Një institucion që të mos merret vetëm me shpërndarjen e ndihmës, por me aktivizimin e qytetarëve, punësimin e të rinjve, përfshirjen e grave, mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit. Nje institucion i ndare nga shendetesia.

Nga një sistem pasiv, duhet të kalojmë në një model aktiv dhe gjithëpërfshirës. Një sistem që nuk ua ul kokën njerëzve, por i ndihmon të ngrihen.

Shqipëria e nesërme varet nga ky vendim

A do të vazhdojmë të menaxhojmë varfërinë me ndihma të vogla dhe struktura të mbingarkuara, apo do të ndërtojmë një sistem mirëqenieje që jep shpresë, mundësi dhe dinjitet?

Shtetet që sot kanë më shumë stabilitet, solidaritet dhe zhvillim, janë ata që investuan në mirëqenie. Shqipëria nuk është vonë për ta bërë këtë kthesë. Por duhet vullnet politik, ide të qarta dhe një ministër që ka vetëm një detyrë: të garantojë mirëqenien e cdo qytetari./ Dora Kraja/ Dritare.net

Ndiq “Tregimin e Ditës” këtu dhe mos harro bëj subscribe!