Ndërpritet seanca! Kurti: Duam kohë për bisedime për presidentin
Dritare.net
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi një kandidat për postin e kryetarit të Kuvendit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të zhvilluar bisedime me partitë opozitare, me synimin për të arritur një marrëveshje më të gjerë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.
Në seancë morën pjesë 119 deputetë, të cilët bënë betimin, ndërsa mbledhja u drejtua nga deputeti më i vjetër në moshë i LVV-së, Avni Dehari.
Kurti deklaroi se synon të vazhdojë dialogun jo vetëm me LDK-në, por edhe me PDK-në dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pavarësisht qëndrimeve të tyre. Ai theksoi se vendit i nevojitet një president ose presidente unifikuese dhe se procesi duhet të mbështetet në një konsensus sa më të gjerë politik.
Sipas tij, konstituimi i institucioneve nuk duhet të çojë sërish në shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat i cilësoi të dëmshme për ekonominë dhe stabilitetin e vendit.
Dy ditë më parë, Kurti zhvilloi një takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, partia e të cilit kërkon që posti i presidentit t’i takojë një kandidati të propozuar prej saj. Pas takimit, Kurti u shpreh se Vetëvendosje do të mbështesë një figurë që nuk është pjesë e politikës së përditshme, ndërsa rikujtoi se në pranverë partia e tij nuk mbështeti një mandat të dytë për presidenten Vjosa Osmani, e cila tashmë është zgjedhur deputete./L.F-dritare.net