Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Muzika shqiptare në Bienalen e Lionit, Oda Haliti sjell “Ode to All”

Artistja dhe muzikantja kosovare Oda Haliti po merr pjesë në Bienalen e 18-të të Artit Bashkëkohor të Lionit, ku prezanton projektin e saj të ri “Ode to All”, një koncept që ndërthur muzikën, artin dhe krijimin e një hapësire gjithëpërfshirëse bashkëpunimi.

Projekti synon të krijojë pika të reja takimi mes Prishtinës, Lionit dhe Tiranës, me ambicien për t’u zgjeruar në të ardhmen edhe në qytete të tjera të Evropës.

Bienalja e Lionit zhvillohet nga 19 shtatori deri më 13 dhjetor 2026 dhe mbledh 120 artistë nga 42 nacionalitete. Ky edicion, i kuruar nga Catherine Nichols dhe me drejtim artistik nga Isabelle Bertolotti, zhvillohet nën temën “To pass from one dream to another”, duke vënë në fokus krijimin e hapësirave të përbashkëta dhe mënyrat e reja të bashkëjetesës përmes artit.

Në hapësirat e Les Grandes Locos, Haliti ka krijuar selinë e përkohshme të “Ode to All”. Projekti nuk paraqitet si një vepër e përfunduar, por si një proces krijues që zhvillohet drejtpërdrejt gjatë tre muajve të Bienales.

Vetë emri “Ode to All” ndërthur fjalën shqipe “odë”, që lidhet me hapësirën tradicionale të mbledhjes dhe mikpritjes, me fjalën greke “ode”, që do të thotë këngë. Përmes këtij koncepti, muzika shndërrohet në një hapësirë për takime, krijim dhe bashkëpunim.

Një nga elementët e veçantë të projektit është fakti se publiku mund të ndjekë nga afër procesin e ndërtimit të një shtëpie të re muzikore. Nga sigurimi i fondeve dhe hartimi i planit të biznesit, te identiteti vizual, prodhimi i videove dhe krijimi i muzikës, proceset që zakonisht zhvillohen larg publikut bëhen pjesë e vetë ekspozitës.

Në këtë proces janë përfshirë muzikantë, producentë, inxhinierë zëri, dizajnerë, artistë dhe profesionistë të tjerë të industrisë kreative. Hapësira funksionon njëkohësisht si studio, vend pune dhe pikë takimi për bashkëpunëtorët dhe vizitorët.

Prania e Halitit në Bienale është shoqëruar edhe me një performancë muzikore, përmes një DJ seti të transmetuar drejtpërdrejt në Radio Nova, një prej radiove të njohura në Francë.

Procesi artistik pritet të kulmojë më 24 tetor, me realizimin e regjistrimit të parë të shtëpisë muzikore, publikimin e tij në format vinyl dhe një performancë të madhe në hapësirë të hapur në Lyon.

Përmes “Ode to All”, Oda Haliti e shndërron hapësirën e ekspozitës në një vend ku muzika, arti dhe puna krijuese zhvillohen në kohë reale, duke sjellë në vëmendje edhe lidhjet kulturore mes Prishtinës, Tiranës dhe skenës evropiane./dritare.net