Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Ministrja serbe i kërkon falje Vuçiçit pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezhana Paunovic, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçic, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut pas reagimeve të shkaktuara nga deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës”.

Në kërkim faljen e saj, nuk përmenden shqiptarët, as Kosova.

Paunovic deklaroi se fjalët e saj ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga një intervistë ishte shkëputur vetëm një pjesë prej shtatë sekondash, e cila sipas saj u shndërrua në një çështje politike.

Në intervistën e transmetuar në “Kurir TV” katër ditë më parë, ajo kishte deklaruar se “po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Në një reagim të mëvonshëm për “Informer TV”, Paunovic tha se deklarata e saj ishte pjesë e një qëndrimi personal dhe jo politikë e presidentit apo qeverisë serbe.

Paunovic reagoi edhe ndaj vendimit të Kosovës për shpalljen e saj “non grata”, duke e cilësuar atë si paradoks dhe duke thënë se prej katër vitesh nuk ka mundur të hyjë në Kosovë.

Deklarata e ministres serbe është dënuar nga organizata të shoqërisë civile dhe një pjesë e opozitës në Serbi, të cilat kanë kërkuar shkarkimin e saj.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi përmes zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anita Hipper, duke deklaruar se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik.

Presidenti serb Aleksandar Vuçic deklaroi se Paunoviq nuk përfaqëson qëndrimin e presidencës apo të Qeverisë së Serbisë.

“Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e kurrë në spastrim etnik”, tha Vuçic./L.F-dritare.net