Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra zjarri mbeten aktive, mbi 600 forca në terren

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 28 vatra zjarri, ndërsa 5 prej tyre vijojnë të mbeten aktive.

Sipas njoftimit, në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe një avion "Air Tractor" i Forcës Ajrore.

Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e forcave zjarrfikëse, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe 50 efektivëve të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet edhe nga avioni "Air Tractor", ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatrat Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes nga toka dhe ajri. Për arsye sigurie janë evakuuar përkohësisht katër familje.

Vatra zjarri po monitorohen edhe në qarkun e Elbasanit, ku zjarri në zonën e Shqiponjës është vënë nën kontroll, ai në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në Mjekës vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e plotë. Nuk raportohet rrezik për banesat.

Ndërkohë, në Kostren të Beratit po kryhet monitorimi i zonës, ndërsa zjarret në Pocest të Dibrës dhe në zonat Stegopull–Selckë e Levenishtë në qarkun e Gjirokastrës janë shuar dhe mbahen nën vëzhgim.

Si pasojë e zjarreve janë dëmtuar rreth 34.5 hektarë sipërfaqe me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera të emergjencave vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë vendin.