Na ndiqni edhe në

Editorial

Meta në morsën e ndërkombëtarëve

Meta në morsën e ndërkombëtarëve
Nga Dritan Hila

Ilir Meta nuk zhgënjeu.

Nuk ia mbajti të firmoste një dekret për shpërndarje Parlamenti, duke treguar kështu se nuk është gati për një betejë,  të paktën siç e bëri PD-ja duke braktisur institucionet.

Skenografia  e tij e lodhur, me dy pensionistë që janë bërë si biçikletat me qira të Veliajt, që mund t’i marrë çdokush që mbetet në këmbë dhe një aktor te realizmit socialist, që publikun e ka 60 vjeç e sipër.

U betua për sovranizëm duke tundur flamurin e SHBA-së, e cila për hir të së vërtetës as e pëlqeu fare këtë fakt, madje u nxitua ta bëjë dalje,  çdo asocim të mundshëm.

Kjo në mbyllje të protestës. Ndërsa në hapje, BE-ja premtoi hapje negociatash me Shqipërinë.

Mbështetja në shesh, pa praninë e PD-së do të ishte një dështim. Dhe nuk ka asnjë garanci që kjo mbështetje do të vazhdojë. Nëse Basha e vazhdon, do të firmosë edhe groposjen e tij.

Në konkluzion, mitingu i Presidencës ishte një akt që tregoi vetëm diçka: Morsën rreth Metës nuk po e shtrëngon Edi Rama, por ndërkombëtarët. Dhe ndërkombëtarët ai as mund t’i trembë dhe as t’i blejë.

Gjithë deklaratat e mbështetësve të tij kundër perëndimit dhe ambasadave, në shumicën e rasteve e kanë bërë qesharak, ndërsa diku-diku ka ngjallur zemërim. Gjykimi i të huajve me kutin e Tiranës dhe profkave me Soros e komplote, mund të shërbejnë për të mpirë trutë e sëmura shqiptare, por nuk janë manual si të sillesh me perëndimin. Dhe kjo ka sjellë një braktisje të presidentit.

Mitingu i sotëm tregoi se Ilir Meta nuk ka më armë dhe zhvlerësoi të fundmin enigmë që kishte: Shpërndarjen e Parlamentit. Tani edhe në e bëftë, askush nuk do e marrë seriozisht./dritare.net