Mbi 200 mijë fuçi radioaktive në Atlantikun Lindor
Dritare.net

Për herë të parë, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka vëzhguar nga afër fuçitë me mbetje radioaktive të depozituara në fund të Oqeanit Atlantik midis viteve 1950 dhe 1990, kur hedhja e mbetjeve bërthamore në det ishte ende e lejuar.
Misioni kërkimor NODSSUM, i koordinuar nga Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS), eksploroi një zonë rreth 1.000 kilometra larg brigjeve franceze, në një thellësi prej 4.700–5.000 metrash, ku ndodhen mbi 200 mijë fuçi me mbetje radioaktive nga industria bërthamore.
Ekspedita u zhvillua me anijen kërkimore franceze Pourquoi Pas? dhe nëndetësen Nautile, e cila realizoi 20 zhytje në thellësi të mëdha. Shkencëtarët konstatuan se shumë prej fuçive janë gërryer rëndë, ndërsa disa janë hapur plotësisht, duke bërë që përmbajtja e tyre të shpërndahet në sedimentet e detit.
Matjet e kryera në fundin e oqeanit zbuluan praninë e radionuklideve si kobalti-60 dhe niobiumi-94, me nivele më të larta se ato që priten normalisht në këtë zonë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se radioaktiviteti i matur mbetet relativisht i ulët dhe nuk paraqet rrezik të menjëhershëm për ekipet kërkimore. Analizat laboratorike do të përcaktojnë përqendrimin e saktë të substancave radioaktive dhe ndikimin e tyre në mjedisin detar.
Për të kuptuar nëse radioaktiviteti futet në zinxhirin ushqimor, shkruan dritare.net janë marrë qindra mostra uji, sedimentesh dhe organizmash detarë, të cilat do të analizohen në muajt në vijim.
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit ishte biodiversiteti i pasur në këto thellësi. Ndryshe nga sa besohej dekada më parë, fundi i oqeanit është i populluar nga peshq, korale, sfungjerë, anemone, krustace dhe organizma të tjerë, ndërsa shumë prej fuçive janë shndërruar në substrakte artificiale të kolonizuara nga jeta detare.

Shkencëtarët morën mostra edhe në një zonë tjetër pa mbetje bërthamore për të krahasuar nivelin e radioaktivitetit dhe biodiversitetin, me synimin për të vlerësuar ndikimin real të ndotjes.
Të dhënat e mbledhura pritet të ndihmojnë edhe në studimin e ndikimit mjedisor të nëndetëseve bërthamore të fundosura, depozitave të tjera nënujore me mbetje radioaktive dhe aktiviteteve të ardhshme minerare në thellësitë oqeanike.

Gjatë eksplorimeve u zbulua edhe një tjetër problem shqetësues: përveç fuçive radioaktive, në fund të Atlantikut u gjetën qese plastike, kanaçe, bojëra dhe mbetje të tjera, duke treguar se edhe zonat më të largëta të planetit nuk i kanë shpëtuar ndotjes nga aktiviteti njerëzor./L.F-dritare.net