Na ndiqni edhe në

Arkiv

Marrëveshja e 9 marsit 1997, platforma që mbijetoi Berishën në politikën shqiptare

Marrëveshja e 9 marsit 1997, platforma që mbijetoi Berishën
Nga Ben Andoni

PS-ja e goditur tmerrësisht në muajt dhe vitet e para të vitit 1997 arriti që nëpërmjet një marrëveshje me ish-presidentin Berisha më datën 9 mars 1997 të ulej në bisedime dhe të arrinte një marrëveshje për të zbutur situatën kaotike në vend.

Me statusin e kreut të PD dhe të shtetit, Berisha kishte kohë që i kishte njësuar pushtetet, por më 9 Mars ai jo vetëm formalizoi bisedimet në interes të tij por ka diktuar edhe tekstin e marrëveshjes, që do i mundësonte qëndrimin në pushtet.

Që të kuptohet situata e vendit duhet të dihet se qeveria “Meksi” ishte dorëhequr prej 1 marsit 1997, kurse një ditë më vonë më 2 mars ishte miratuar ligji dhe vendimi “Për gjendjen e jashtëzakonshme”. Më 3 mars në situatën e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Sali Berisha organizoi një seancë parlamentare 10 minuta, ku u bë mandatimi i tij si President Republike, me vetëm 113 votat e deputetëve të djathtë.

Marrëveshja e 9 marsit 1997 u firmos prej 10 partive politike shqiptare, për t’i dhënë fund luftës civile nga ku humbën jetën mbi 3 mijë njerëz, u dëmtuan 25 mijë, u zhdukën 530 persona dhe mbetën të gjymtuar gati 4 mijë të tjerë.  Paradoksalisht njeriu që u negociua ishte pikërisht Sali Berisha, njeriu që lehtësoi sistemin piramidal dhe dha shumë nga urdhrat e tmerrshëm deri në sulmet me aeroplan kundra njerëzve të thjeshtë. Sipas studiuesve e analistëve, rezulton se “Marrëveshja e 9 marsit 1997”, ishte një nga kompromiset më të turpshme të historisë së PS e të së majtës shqiptare. Aq personazh ishte Berisha me të saqë ai propozoi edhe:

 -Krijimin e “Qeverisë së Pajtimit Kombëtar”,

-amnisti për civilët e ushtarakët e përzierë në krimet dhe ngjarjet e periudhës janar-mars 1997.

– Zgjedhje brenda qershorit 1997.

– Dorëzim të armëve brenda një jave.

– Shpalljen e “Zisë kombëtare për shqiptarët e vrarë në konfliktin civil e atë ushtarak.

Që të kuptohet sesa nuk e donin marrëveshjen e 9 Marsit 1997 njerëzit, duhet të kuptohet reagimi i gjerë dhe akuza që iu bë Partisë Socialiste se kishin bërë një akt tradhtie. Jugu i vendit, struktura territoriale më e goditur prej Berishës dhe urdhrave paradoksalë të tij, por edhe 1000 ushtarakë, që në ato ditë ishin tejet aktivë, nuk u bindën. Me gjithë marrëveshjen, civilët e armatosur, në të njëjtën ditë që pushteti merrte pak frymë, vendosën kontrollin e armatosur mbi Beratin e Përmetin dhe pak orë më vonë mbi Kuçovën, Poliçanin e Çorovodën. Dhe paradoksi është se pas dekretimit të qeverisë së re, ku kryeministër u zgjodh kryebashkiaku i Gjirokastrës Bashkim Fino, u çelën depot e armëve në krejt vendin, u hapën burgjet e kështu me radhë.

***

Në retrospektivë duhet kuptuar se kaluan 2 muaj të vështirë për Berishën dhe pushtetin e tij, që pas viteve ’90, e kishte përcjellë Shqipërinë në një rrugë krejt të pashpresë. Shkatërrimi i skemave piramidale, bëri që në janar 1997 të niste një protestë e pandalur popullore.

Afër mendjes që PS-ja, falë edhe realiteteve të reja ta shfrytëzonte sa më mirë këtë realitet të hidhur krijuar nga një drejtim kaotik i Berishës. Ky pushtet kishte marrë dërrmën sidomos pas 29 qershor 1997, ditën kur Berisha humbi zgjedhjet.

“Marrëveshja e 9 marsit 1997”, e realizuar mes partive politike shqiptare thuhet se u realizua falë “Forumit për Demokraci” (Lubonja-Kola-Gumeni), që synonte për të nënshkruar një “pakt paqeje”.  Përkundrejt mendimit të përgjithshëm popullor, që Berisha të mos ishte pjesë e tryezës, nuk ndodhi kështu. Ky moment shikohet nga shumë specialistë si momenti që e ricikloi Berishën si aktor politik, fakt që i mundësoi atij të merrte edhe tetë vjet të tjera në pushtet si kryeministër duke filluar nga viti 2005.

Berisha arriti të kërkonte respektimin e amnistisë së shpallur prej tij, madje duke na u shfaqur si personazh i barabartë me PS dhe me krejt të majtën.

Në vend, që ai të lihej mënjanë dhe të dilte para gjyqit, ai prej frikës së PS-së dhe amalgamës së saj nuk u vlerësua si shkaktar i tragjedisë kombëtare dhe as si personi kryesor që dha urdhra, për të goditur Opozitën dhe njerëzit e thjeshtë.

Lojën e tij e ndoqi edhe PS-ja, por më shumë drejtësia e kohës, që pas kësaj marrëveshje, bëri disa arrestime. Përparim Halili në një dossier, ku jemi mbështetur në logjikën e ngjarjeve të atyre ditëve, do të shpjegojë të gjithë këtë makinacion: u dhanë “….dënime formale fiktive të 6 zyrtarëve e ushtarakëve të PD, të cilët i akuzoi si “organizatorë të sulmit ushtarak mbi popullin, me bidonë me lëndë kimike, të hedhur me avionë”, të cilët po në pazar me Berishën, i liroi pas 6 muajsh me amnisti dhe dëmshpërblim financiar për 180 ditët e burgosjes. Ndërsa Berisha, jo vetëm nuk u prek nga drejtësia, por u trajtua si palë e barabartë dhe e preferuar politike prej PS, duke vijuar bashkëpunimin politik me të”. /JavaNews

Këto janë 9 pikat e “Marrëveshjes së 9 marsit 1997”

  1. Parlamenti shqiptar të shpallë amnistinë e përgjithshme për të gjithë ata civilë dhe ushtarakë që u implikuan në revoltën e fajdeve.
  2. Të krijohet një Qeveri e Pajtimit Kombëtar me përfaqësimin e të gjitha forcave politike në dialog.
  3. Brenda një afati një javor të dorëzohen armët dhe municionet nga të gjithë qytetarët, në të gjitha rrethet e Shqipërisë.
  4. Dita e diel datë 16 mars të shpallet ditë zie kombëtare për të nderuar të gjithë ata që humbën jetën gjatë kësaj periudhe.
  5. Të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në një periudhë jo më larg se muaj Qershor 1997.
  6. Zgjedhjet parlamentare të zhvillohen nën mbikëqyrjen e plotë ndërkombëtare.
  7. Qeveria në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe të vendit duhet të marrë të gjitha masat për të ndihmuar me përparësi zonat e dëmtuara.
  8. Të fillojë lehtësimi i gjendjes së jashtëzakonshme, deri në heqjen sa më të shpejtë.
  9. Partitë të vazhdojnë dialogun.

Ja kabineti “Fino” që drejtoi në periudhën 9 mars-29 qershor 1997

  1. Bashkim Fino-Kryeministër         PS
  2. Belul Çela-M. Brendshëm PD
  3. Shaqir Vukaj-M. Mbrojtjes    PS
  4. Arian Starova-M. Jashtëm ASD
  5. Arben Malaj-M. Financave PS
  6. Spartak Ngjela-M. Drejt. PLL
  7. Eduard Ypi-M. Privatizimeve PD
  8. Astrit Kalenja-M. Shënd. BK
  9. Myqerem Tafaj-M.Ars.Lartë PD
  10. Luan Skuqi-M. Arsim-Sport PD
  11. Haxhi Aliko-M. Bujqësisë PSD
  12. Kastriot Shtylla-M. Energj. PR
  13. Foto Dhuka-M. Transporti PBDNJ
  14. Ëngjëll Ndocaj-M. Kulturës PDK
  15. Elmaz Sherifi-M. Punës PS
  16. Vasillaq Spaho-M. Turizmit PR
  17. Ekrem Kastrati-S. Përgj KM. PD
  18. Lush Përpali-Sek. M. Brend. PS
  19. Ali Kazazi-Sek. Mbrojtjes PD
  20. Pavli Zëri-Sek. M. Jashtme PS

Ja 4 pikat e programit të Qeverisë “Fino”

  1. Stabilizimin e rendit publik dhe vendosjen e qetësisë.
  2. Stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit.
  3. Zotërimin e gjendjes financiare
  4. Përgatitjen e zgjedhjeve të lira.