LVV-LDK, vijojnë përplasjet për marrëveshjen politike
Dritare.net

Pavarësisht përfundimit të bisedimeve pa marrëveshje, përplasjet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po vijojnë në distancë, me palët që po mbrojnë publikisht qëndrimet dhe ofertat e tyre për ndarjen e institucioneve.
Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka përsëritur ofertën e subjektit të tij për LDK-në dhe PDK-në, duke e cilësuar si kompromis propozimin për një president konsensual dhe ndarjen e pozitave të larta institucionale.
Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kundërshtuar pretendimet se LDK-ja po kërkon më shumë se sa i takon. Ai ka argumentuar se, bazuar në numrin e deputetëve, ndarja e pushtetit duhet të jetë proporcionale mes dy forcave politike.
Gashi ka theksuar gjithashtu se problemi mes LVV-së dhe LDK-së nuk lidhet vetëm me postin e presidentit, por edhe me mungesën e mirëbesimit dhe dallimet për programin qeverisës dhe politikat kryesore.
Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat për takim nga Albin Kurti për diskutimin e konstituimit të institucioneve dhe çështjes së presidentit.
LDK-ja i ka pranuar ftesat për takim, por pas takimit të fundit, kryetari i saj ka deklaruar se palët mbeten ende larg një marrëveshjeje.