
Lista/ Ja çmimet e reja të apartamenteve në 32 zonat e Tiranës
Dritare.net

Duke iu referuar tabelave të çmimeve të apartamenteve për sipërfaqe shfrytëzimi, disa lagje të kryeqytetit janë bërë më të shtrenjta, në disa të tjera çmimi është ulur, ndërsa në 23 zona kadastrale çmimet nuk kanë ndryshuar. Edhe për Tiranën, mbi bazën e këtyre çmimeve, do të llogaritet vlera aktuale e shtëpisë për rastet e shitblerjes.
Pra, e thënë ndryshe, për çdo transaksion për shitblerjen e banesave, zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do t’u referohet tabelave të miratuara nga qeveria për 32 zonat e Tiranës. Sipas udhëzimit, shitblerjet në tregun e banesave do të kenë në çdo rast si referencë vlerat mesatare të përcaktuara nga udhëzimi i qeverisë.
Vlera shërben për t’i orientuar shitësit apo blerësit e apartamenteve drejt çmimeve reale. Referuar tabelave, çmimi fiskal për shitblerjen e apartamenteve në zonën e ish– Bllokut ka mbetur i pandryshuar.
Çmimi i apartamenteve për këtë zonë do të vazhdojë të jetë 190 mijë lekë për metër katror. Sipas tabelave, rritje të çmimit fiskal për shitblerjen e apartamenteve ka shënuar në rrugën “Bardhyl”, Xhamlliku, Profarma, rruga “Kongresi i Manastirit” dhe bulevardi “Zhan Dark”.
Qeveria ka shtrenjtuar edhe çmimet e shitblerjeve të apartamenteve për Rrugën e Durrësit. Në tabelë kjo përkon me zonën kadastrale 3/ 1, ku çmimi më parë ishte 75 mijë lekë për metër katror, ndërsa sot bëhet 77 mijë lekë për metër katror me një rritje prej 2 mijë lekësh për metër katror. Çmimi i referencës për këtë zonë më parë ishte 100 mijë lekë për metër katror, ndërsa bëhet 102 mijë lekë për metër katror, pra rritet 2 mijë lekë.
Ndërsa çmimi fiskal për zonën 1/1, që përfshin “Ali Demin” dhe fshatin Shkozë, çmimi i vlerës të tregut është ulur 300 lekë për metër katror. Nga 98 mijë lekë për metër katror, me udhëzimin e ri bëhet 97,700 lekë për metër katror. Ulje modeste ka shënuar edhe çmimi i tregut të apartamenteve në zonën e 9Katësheve prej 500 lekësh për metër katror./Panorama

















