
Nga Dhurana Thanasi
Dikur kur hapeshin “butet” e verës, korçarët “bënin poshtë” në Pogradec për të mbushur damixhanat me të cilat do kalonin dimrin. Me pak verë e shumë raki, që nga Korça e deri në Ersekë e Leskovik, banorët e këtyre krahinave ja “hidhnin dimrit” falë perlave të tokës së tyre të begatë, të cilat si zahire dimri u mbushnin qilarët dhe sofrat. Fasulja Pllaqi ishte mishi i fukarait, por dhe Zengjinit!
Një kultivar kaq rrallë i këtij territori, i cili i jep mundësi të shpalosë të gjithë vlerat ushqimore që përmban. Për gjithë krahinën e Korçës, Pogradecit, Ersekës fasulja ka përcaktuar kulturën buknore vendase duke sjellë pjata që nga Petaniku me fasule, fasulet në vorbë (kryesisht fasulja Trenare) e deri tek tava me fasule Pllaqi. Kjo e fundit mbetet rapsodia kulminante e fshatrave të Korçës dhe simbol i bashkimit rreth vatrës familjare. Rituali i ndalesave në procese, edhe pse i gjatë, mëshiron përkushtimin e amvisave korçare për këtë pjatë të magjishme. Pasi përfundonte e pjekur në furrë ose në prush, tavës së fasuleve pllaqi u shtohej pak narden kumbulle, për të athtësuar ëmbëlsinë natyrale që pllaqitë kanë. Këtë recetë ia dedikoj kësaj krahine të magjishme, me kulturë të pashoqe dhe që na jep në çdo periudhë të historisë njerëz dhe vlera që na bëjnë krenarë. Shoqëroheni këtë pjatë me pak raki mani ose verë të kuqe Poradeci. Dëgjoni këngën “S’kam ç’e dua pasurinë” kënduar nga grupi Lira i Korçës.
Receta:
Tavë me pllaqi Korçe
•Përbërës 4 persona
• 250 gr fasule tip pllaqi
• 4 karrota
•2 kokrra qepë
•2 kërcej selino
•1 spec i kuq
•1 kokërr mesatare domate • 2 gjethe dafine
•1 degë rozmarinë
•6-7 thelbe hudhra
•2-3 spec djegës
• 80 ml vaj ulliri
• rigon
• nenexhik
• kripë
• piper
• 2-3 lugë çaji narden kumbulle
• Përgatitja
• Në një enë të thellë shtoni fasulet dhe ujë sa dyfishi masës së fasuleve
• Shtoni një lugë sodë buke në tenxheren e fasuleve ndërsa uji të jetë pak i vakët. • Ditën tjetër ndodh:
• Derdhni ujin me të cilën pllaqitë kanë ndenjur gjithë natën
• Transferoheni pllaqitë në një tenxhere me presion
• Shtoni mbi fasule qepë, 1 karrotë, 1 kërcell selino, 2-4 thelbe hudhra, rozmarinë (korçarët nuk përdornin rozmarinë pot vetëm dafinë) dhe ca spec djegës
• Mbyllini fasulet në tenxhere me presion dhe do shkurtoni kohën e zjerjes dhe harxhimin e energjisë elektrike. Maksimumi per 35 min pllaqitë janë zjerë
• Pasi fasulet janë zjerë, largoni karrotën, qepën, selinonë dhe grihini mënjëanë duke formuar një krem perimesh.
• Shtoheni kremin e perimeve mbi fasule
• Në një tigan shtoni vajin e ullirit dhe kavërdisni sipas radhës pjesën tjetër të perimeve, të cilat janë prerë në copa të vogla kubike duke filliar nga qepa, selinoja, karrota, speci, domatja. Hudhrat shtohini në fund.
• Merrni një tavë dheu ose në mungesë të xan dhe një tavë porcelani ose xhami dhe shtoni fasulet e zjera,
• Më pas shtoni perimet e kavërdisura dhe trazohini mirê me fasulet.
• Mbuloheni tavën me kapak ose me letër furre
• Futeni tavën e fasuleve pllaqi në furrë dhe piqeni per gati 45 minuta në temperaturë 220-230 grC.
• Hiqeni kapakun e tavës dhe lerini të piqen për gati 10 minuta në mënyrë që pllaqitë “të zënë pak sipër” dhe të piqen mirë.
• Shoqërohehi tavën e pllaqive me pilaf ose me turshi arme siç e shoqërojnë korçarët
Pija shoqëruese: Raki mani ose verë e kuqe Poradeci Kënga shoqëruase: “S’kam ç’e dua pasurinë” nga grupi Lira i Korçës./dritare.net

















