Dita zgjatet dhe temperaturat rriten, gjë që miqtë tanë me katër këmbë, e ndiejnë po aq sa ne. Për këtë arsye Dritare ju jep disa këshilla sesi të kujdeseni për ta gjatë muajve të nxehtë, pa i vënë në rrezik. Shmangni shëtitjet e gjata në orët e pikut të vapës, nga ora 11:00 deri në 17:00. Duhet ta mbani nën kontroll gjendjen e përgjithshme shëndetësore të kafshës suaj, veçanërisht nëse është mbipeshë apo i moshuar, pasi mund të goditet nga dielli.
Nëse ndodh, pavarësisht nga masat parandaluese, gjëja e menjëhershme që duhet të bëni është ta zhvendosni qenin në një vend të freskët e të ajrosur. Do të ishte lehtësuese për të ta freskoni me një qese me ujë të ftohtë apo peshqir të lagur, kryesisht në zonat e qafës, sqetullave dhe shputave të këmbëve.
Duhet bërë gjithsesi kujdes me temperaturën e dhomës, pasi nga mania për të krijuar një ambient të freskët, mund të teprohet me ajrin e kondicionuar. Luhatjet e temperaturës duhen shmangur, duke ruajtur një mesatare të pranueshme. Temperaturat e larta favorizojnë zhvillimin e parazitëve, pleshtave apo rriqrave, që mund të shkaktojnë sëmundje të rrezikshme te kafshët.
Kafshët shtëpiake rrezikohen njësoj sa ne njerëzit nga helmimet ushqimore, sidomos gjatë ditëve të nxehta. Mos lini mbetje ushqimesh në tasat e tyre, pasi me rritjen e temperaturave bakteret zhvillohen me shpejtësi marramendëse dhe rreziku për infeksione rritet.
Kujdes me gjithçka që macet apo qentë fusin në gojë, veçanërisht jashtë mureve të shtëpisë. Qentë hanë më pak gjatë muajve të verës. Nëse kafsha juaj nuk ka oreks, mos u alarmoni. Kjo është diçka e natyrshme që vjen me vapën dhe nevojat e reduktuara stinore. Por në çdo rast, nëse mungesa e oreksit vazhdon për një kohë të gjatë, drejtohuni te veterineri./M.T/dritare.net