
BE do ta bëjë të detyrueshme karikusin universal për telefonat!
Dritare.net
Momentet acaruese për të gjetur karikuesin e duhur për telefonin apo tabletin, mesa duket do të marrin fund.
Bashkimi Evropian ka rënë dakord përkohësisht që pajisjet e reja elektronike duhet që deri në vjeshtën e vitit 2024, të përdorin një karikues USB Type-C.
Produktet e Apple si iPhone dhe iPad do të duhet të jenë në përputhje me rregulloren e re, si dhe kompjuterët laptopë. Marrëveshja do të diskutohet në Parlamentin Evropian pas pushimeve verore, ku mund të miratohet zyrtarisht dhe më pas të publikohet.
Apple më herët ka qenë kundër këtij propozimi, kur u prezantua për herë të parë, në shtator 2021.
"Rregullorja e rreptë që detyron vetëm një lloj karikusi stopon inovacionin në vend që ta inkurajojë atë, gjë që nga ana tjetër do të dëmtojë konsumatorët në Evropë dhe rreth botë".
Apple është prodhuesi më i madh që përdor një fishë karikimi që është ekskluzive për disa nga produktet e saj.
Rregulli i ri do të mbulojë një sërë "elektronike portative të vogla dhe të mesme", sipas BE-së, duke përfshirë:
Telefonat celular, tableta, kufje.
Secila nga këto pajisje do të duhet të ketë një portë USB Type-C, pavarësisht se kush i prodhon pajisjet.
Laptopët gjithashtu do të duhet të respektojnë vendimin, por prodhuesit do të kenë 40 muaj kohë pasi ai të hyjë në fuqi për të bërë ndryshime.
"Ky ligj është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të BE-së për t'i bërë produktet në BE më të qëndrueshme, për të reduktuar mbetjet elektronike dhe për ta bërë më të lehtë jetën e konsumatorëve," tha BE në njoftimin e saj.
Kjo nismë do të kursente konsumatorët deri në 250 milionë euro në vit nga blerjet e panevojshme të karikuesve dhe do të shkurtonte 11,000 tonë mbeturina në vit, shtoi BE./L.F-dritare.net

















