Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kullat historike të Veriut do të rijetëzohen, Gonxhja: Investime konkrete deri në 2027

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se Programi Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave të Veriut po hyn në fazën e finalizimit, me synimin që brenda vitit 2027 të nisë kalimi nga evidentimi dhe projektimi drejt investimeve konkrete për restaurimin dhe rijetëzimin e tyre.

Programi po zhvillohet në bashkëpunim me GIZ dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ndërsa një nga prioritetet kryesore është zgjidhja e çështjeve të pronësisë për kullat që do të përfshihen në program.

Sipas ministrit, deri tani janë trajtuar 697 raste në qarqet Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës. Nga këto, 180 raste kanë përfunduar me vendim ose janë pajisur me certifikatë pronësie, ndërsa 50 raste ishin certifikuar më herët. Gjithashtu, 73 raste janë në pritje të plotësimit të dokumentacionit, 175 rezultojnë pa aplikim dhe 6 raste janë në proces afishimi.

Paralelisht me formalizimin e pronësisë, ka nisur edhe përgatitja teknike e ndërhyrjeve. Në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës, janë hartuar 28 projekte konceptuale restaurimi, të cilat do të shërbejnë si modele për ndërhyrjet e ardhshme.

Hapi i radhës do të jetë përcaktimi i listës së objekteve prioritare. Në fokus do të jenë fillimisht 64 kullat me status Monument Kulture, kullat në rrezik, si dhe objektet për të cilat procesi i pronësisë ka përfunduar ose është pranë përfundimit.

Për këto objekte pritet të parashikohet mbështetje e drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, me fokus restaurimin e plotë dhe rikthimin e kullave në funksion.

Sipas ministrit Gonxhja, qëllimi nuk është vetëm ruajtja e trashëgimisë kulturore, por edhe krijimi i një funksioni të qëndrueshëm ekonomik dhe turistik për këto ndërtesa. Kullat mund të shndërrohen në bujtina, agroturizme, muze apo qendra mikpritjeje, duke e lidhur restaurimin e trashëgimisë me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Programi synon kështu që kullat historike të Veriut të mos mbeten vetëm objekte të restauruara, por të kthehen në pika aktive të jetës ekonomike, kulturore dhe turistike të zonave ku ndodhen./L.F-dritare.net